Bismilah...

Ai është Hafidhi, dijetari i hadithit Jusuf Ibn Abdullah Ibn Abdul-Berr el-Kurtubi, i njohur me nofkën Ebu Umer. Ka lindur në Kordoba të Spanjës në vitin 368H/978EK. Qyteti i Kordobas në atë kohë ishte një nga qendrat e studimit dhe edukimit Islamik dhe aty ai nisi studimet e tij të para me dijetarët më të shquar.

Ai u lidh me shumë dijetarë të famshëm të Lindjes me të cilët edhe pse nuk u takua përfitoi nga korrespondenca që pati me ta. Ka udhëtuar në shumë krahina të vendit të tij në kërkim të diturisë. Imam Dhehebi shkruan në librin e tij madhështor Sijer A’lamun-Nubela: “Askush nuk mund të krahasohej në Shkencën e Hadithit me Ibn Abdul-Berr në pjesën Perëndimore të vendeve Islame. Ai ishte i mirë dhe besnik në dije dhe Hafidh (në Hadith).”

Ai (Imam Dhehebiu) e quajti atë Hafidhin e Perëndimit kurse Khatib el-Bagdadin e quajti Hafidhin e Lindjes. Umeti i Muslimanëve i humbi të dy këta dijetarë të mëdhenj në vitin 463H.

Ai ka studiuar me shumë dijetarë të famshëm dhe prej tij dolën shumë studentë që u bënë të njohur, ku më të rëndësishmit prej tyre ishin Imam Ibn Hazmi dhe Ebu Abdullah el-Humejdi.

Ibn Abdul-Berr u bë një nga dijetarët më të shquar të hadithit në kohën e tij dhe më pas.

Ai u dallua si në shkencën e Fik’hut ashtu edhe në shkencën e gjenealogjisë. Ka qenë mbajtës dhe mbrojtës i shquar i Sunetit të Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), gjë që dëshmohet nga mendimet dhe librat e tij. Ai ka mbajtur postin e lartë të gjykatësit në Lisbonë dhe Santarem gjatë kohës kur në pushteti ishte Mudhaffer Ibnul-Aftas dhe ka vdekur në vitin 463H/1070E.K në Shatibah (Jativa).

Ibn Abdul-Berr ishte një dijetar Maliki i cili njihet për shkrimin e shumicës së librave më të saktë të Fik’hut Maliki. Ai shkroi gjithashtu një sërë veprash që nuk i përkisnin Fik’hut Maliki dhe duke qenë një dijetar i specializuar i hadithit dhe jurist (fakih) i dalluar, ai i bazoi të gjitha diskutimet dhe studimet e tij në Kur'an dhe Sunet.

Nga veprat e tij më rëndësishme të cilat kanë mbijetuar deri në ditët e sotme, janë:

Xhami Bejanil-Ilm ue Fadlihi ue ma Jembegi fi Riuajetihi ue Hemlihi” - Shpjegim gjithpërfshirës i dijes dhe vlerës që ka ajo;

Kitabul-Isti’ab fi Ma’rifetul-As’hab – me biografitë e Sahabëve të Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem);

Kitabul-Istidhkar Sherh Medhahib Ulema el-Emsar” – vepër madhështore rreth Fik’hut me shpjegimin e renditjes së temave të tij.


Vepra më e rëndësishme që ka shkruajtur Ibn Abdul-Berr është parathënia që i ka bërë librit me përmbledhjen e Haditheve të Imam Malikut, Muwetta, e cila fatmirësisht ka mbijetuar deri në ditët e sotshme. Kjo vepër njihet me emrin “Kitabut-Temhijd li ma fil-Muwetta minel-Ma’ani uel-Esanid”e cila është e përbërë nga njëzetë vëllime. Ibn Hazmi ka thënë në lidhje me këtë: “Nuk njoh ndonjë njeri tjetër si ai për nxjerrjen dhe kuptimin e Hadithit, e lëre më pastaj ndonjë që t’ia kalojë atij.”

Imam Dhehebi ka thënë: “Ibn Abdul-Berr ka shkruajtur libra të cilët janë të pashembullt në tematikat e tyre dhe metodikën e shkrimit të tyre.”