Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij ibën Hadij el-Medkhalij

Burimi: “edh-Dheri’ah ila Bejani Mekasidi Kitabi esh-Sheri’ah” vëll. 4, fq. 49-50.

Pyetje:

Fjala e të Dërguarit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

الْمُؤْمِنُ الَّذِي يُخَالِطُ النَّاسَ، وَيَصْبِرُ عَلَى أَذَاهُمْ، خَيْرٌ مِنَ الَّذِي لاَ يُخَالِطُ النَّاسَ، وَلاَ يَصْبِرُ عَلَى أَذَاهُمْ

“Besimtari i cili përzihet me njerëzit dhe bën durim ndaj mundimeve të tyre, është më i mirë se ai që nuk përzihet me njerëzit dhe nuk bën durim ndaj mundimeve të tyre.” [1]

Përgjigje:

Pa dyshim se ai që përzihet dhe bën durim ndaj mundimeve të njerëzve për hir të Fytyrës së Allahut, është më i mirë se ai që izolohet nga njerëzit. Sidoqoftë, përzierja me njerëzit për t’i ndaluar ata nga e keqja dhe për t’i urdhëruar në të mira është ajo që kërkohet. Përndryshe, si do t’i thërrasim (në Fe) njerëzit?! Si do t’i thërrasim (në Fe) kufarët?! Si do të bëjmë d’auet nëse ne rrimë nëpër shtëpitë tona?! Patjetër që të dalim (publikisht) përmes shkrimeve, kasetave, hutbeve, ligjëratave në të cilat marrin pjesë që të gjithë njerëzit. Kjo është përzierja, (p.sh.) unë flas në xhami dhe në xhaminë time prezanton bidatçiu dhe sunniju, ndoshta mund të prezantojë edhe munafiku dhe unë flas. Kjo është përzierja me njerëzit.

Nuk është përzierja që të shkosh nëpër shtëpitë e tyre dhe të hash, të pish, të ulesh e të qeshësh vazhdimisht me ta. Unë jap mësim në Universitet dhe aty më vijnë lloj-lloj njerëzish dhe unë ua tregoj të vërtetën (hakun) që unë kam. Ky është d’aueti dhe përzierja. Domethënë ti, nuk e kupton përzierjen vetëm se të ulesh, të hash e të pish me bidatçijtë dhe njerëzit e devijimit?! Jo! Ekzistojnë rrugë të tjera për t’i thirrur ata (bidatçijtë) dhe metoda tjera, prej tyre janë ato që i përmenda dhe ka të tjera.

Kur u bë pakti i Hudejbijes, e që ishte marrëveshja e të Dërguarit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – me Kurejshët për armëpushim për një periudhë prej dhjetë vjetësh, pas këtij pakti Muslimanët u përzjenë me fiset tjera, kështu u përhap Islami shumëfish më shumë se sa ishte para ditëve të paktit. Kjo ishte një mundësi dhe Islami u përhap, kështu Allahu udhëzoi shumë fise, pastaj pas kësaj erdhi çlirimi (i Mekës).

Do të vij një kohë kur njeriu nuk do të ketë fuqi që të bashkëjetojë me njerëzit dhe përzierja mund ta dëmtoj atë, kështu që ai do t’i marr plaçkat e tij dhe do të shkoj në maj të maleve, duke u arratisur nga njerëzit që ata të shpëtojnë nga sherri i këtij dhe ai të shpëtoj nga sherri i tyre, dhe ta fal namazin, ta jap zekatin, etj.

Pra ky është prej njerëzve më të mirë, por pa dyshim se ai që përzihet me njerëzit dhe i thërret ata dhe përmes këtij Allahu udhëzon njerëz, është më i mirë se ai (i izoluari nga njerëzit).

لأَنْ يَهْدِيَ اللَّهُ بِكَ رَجُلاً وَاحِدًا خَيْرٌ لَكَ مِنْ حُمْرُ النَّعَمِ

“Që Allahu ta udhëzojë një njeri të vetëm përmes teje, është më e mirë për ty se sa devetë e kuqe.” [2]

Dobia e këtij do te jetë e shumtë, kurse dobia e atij tjetrit (të izoluarit) do jetë për veten e tij, e ndalon të keqen e tij nga njerëzit dhe mirësia e tij është e kufizuar vetëm tek ai. Ndërsa ky që përzihet me njerëzit me këtë nijet të saktë, jo për (interesa) të dynjasë, por për t’i udhëzuar njerëzit dhe për ta përhapur mirësinë dhe të vërtetën në mesin e tyre, për ta larguar sherrin nga ata, siç është shirku, bidatet, besëtytnitë, kjo padyshim është mirësi e madhe. Ky është besimtari i fortë (që përzihet me njerëzit) kurse ai është besimtari i dobët (i izoluari).

الْمُؤْمِنُ الْقَوِيُّ خَيْرٌ الْمُؤْمِنِ الضَّعِيفِ وَفِي كُلٍّ خَيْرٌ

“Besimtari i fortë është më i mirë se besimtari i dobët, dhe tek të dy ka mirësi.” [3]

Fundnota:

[1] Këtë hadith e ka transmetuar Imam Ahmed në Musnedin e tij (43/2), Tirmidhiu në librin “Ebuabu Sifetu-Kijameh”, hadithi (2507), dhe Ibën Maxheh në librin “el-Fiten”, hadithi (4032). Zinxhiri i tij është hasen (i mirë).

[2] Një pjesë e hadithit të saktë (d.m.th Shejh Rabij ka sjellë këtu vetëm një pjesë të hadithit, sh.p), e ka nxjerrë Bukhari në “el-Xhihad ue es-Sijer”, hadithi (2942). Muslimi në “Fadailu-Sahabeh”, hadithi (2406).

(Shënim i përkthyesit) Devetë e kuqe kanë qenë pasuria më e çmuar dhe më e vlefshme e Arabëve në atë kohe.

[3] Një pjesë e hadithit. E transmeton Muslimi në “el-Kader”, hadithi (2664).

Përktheu: Jeton Shasivari