Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Alij Ferkus

Burimi: http://ferkous.com/home/?q=fatwa-568

Fetvaja nr. 568

 

 

Pyetje: A lejohet të shkëmbesh mesazhe përmes internetit me femrat e huaja, për t’u njohur apo për t’u martuar? Allahu u shpërbleftë me të mira.

Përgjigje: Falenderimi dhe lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Lëvdata dhe shpëtimi qofshin për atë që Allahu e dërgoi mëshirë për njerëzit dhe xhinët, për familjen e tij, shokët dhe vëllezërit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Më tej:

Të shkëmbesh mesazhe me një grua të huaj apo të flasësh me të, qoftë edhe me argumentin se do të njihesh apo me pretendimin për t’u martuar, nuk është e lejuar nga ana e Sheriatit, qoftë kjo me mjetet e thjeshta të komunikimit apo përmes internetit. Për arsye se, me këto gjëra hapet dera e fitnes, dhe kjo shpie në tundime, të cilat ngjallin në shpirt dashurinë për kërkimin e rrugëve të takimit dhe kontaktit, si dhe ndalesat e tjera që vijnë si pasojë e kësaj, ku nuk ruhet nderi dhe nuk ruhet feja. Ngase Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

مَا تَرَكْتُ بَعْدِي فِتْنَةً أَضَرَّ عَلَى الرِّجَالِ مِنَ النِّسَاءِ

“Nuk kam lënë fitne më të dëmshme pas meje për burrat sesa fitneja e grave.” [1]

Dhe fjala e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

فَاتَّقُوا الدُّنْيَا وَاتَّقُوا النِّسَاءَ؛ فَإِنَّ أَوَّلَ فِتْنَةِ بَنِي إِسْرَائِيلَ كَانَتْ فِي النِّسَاءِ

“Kini frikë nga dynjaja dhe kini frikë nga gratë, sepse fitneja e parë e Bijve të Israilit ishin gratë.” [2]

Kjo është kështu, sepse sado që ai të mbrohet nga shejtani dhe armiqësia e tij në raste ku ka dëme (tundime), shejtani do ta bëjë atë që të bjerë në një ndalesë, duke e magjepsur mashkullin me femrën dhe femrën me mashkullin.

I Lartësuari ka thënë:

إِنَّ الشَّيْطَانَ لَكُمْ عَدُوٌّ فَاتَّخِذُوهُ عَدُوًّا ۚ إِنَّمَا يَدْعُو حِزْبَهُ لِيَكُونُوا مِنْ أَصْحَابِ السَّعِيرِ ﴿٦﴾

“Me të vërtetë Shejtani është armik i juaji, andaj merreni atë për armik. Ai thërret grupin e vet (ndjekësit e tij) që edhe ata të jenë nga banorët e Zjarrit të ndezur fort.” El-Fatir, 6

I Lartësuari ka thënë:

أَفَتَتَّخِذُونَهُ وَذُرِّيَّتَهُ أَوْلِيَاءَ مِن دُونِي وَهُمْ لَكُمْ عَدُوٌّ ۚ بِئْسَ لِلظَّالِمِينَ بَدَلًا ﴿٥٠﴾

“A do ta merrni atë (iblisin) dhe pasardhësit e tij, si mbrojtës dhe ndihmës në vend Timin, kurse ata janë armiqtë tuaj. Sa këmbim i keq që është ky për zullumqarët.” El-Kehf, 50

Po mjaftohemi me kaq.

Origjina është obligimi i largimit nga joshjet dhe tundimet. Parandalimi i tyre është më parësor se dobia e kontakteve për t’u njohur me njerëz dhe martesa, duke e zbatuar parimin: Parandalimi i dëmeve është më parësor se përfitimi i dobive.

Dituria është tek Allahu i Lartësuar. Lutjet tona të fundit janë se i gjithë lavdërimi dhe falenderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut është për Pejgamberin tonë, Muhamedin, për familjen e tij, shokët dhe vëllezërit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

 

Algjeri, 14 Dhul-K’adeh 1427 H.

5 Dhjetor 2006 G.

 

Fundnotat:

[1] Këtë hadith e transmeton: Bukhari (5096), Muslimi (2740), Tirmidhiu (3998), Ahmedi (21746), nga hadithi i Usameh bin Zejd – radijAllahu ‘anhu. Po ashtu, e ka nxjerr Tirmidhiu (2780) nga hadithi Seid bin Zejd – radijAllahu ‘anhu.

[2] Këtë hadith e transmeton: Muslimi (2742), Tirmidhiu (2191), Ibën Hibbani (3221), Ahmedi (11143), Bejhakiu (6746) nga hadithi i Se’id el-Khudrij – radijAllahu ‘anhu.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Jeton Shasivari