Bismilah...

Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

 

 

Pyetje: Kemi një pyetje këtu që thotë: si ta zbatojmë butësinë në marrëdhëniet tona kur përballemi me qëndrimet e ndryshme të shokëve tanë dhe kolegëve apo familjes dhe bijve tanë?

 

Përgjigje: O vëllezër! Morali është ushtrim dhe kalitje. Nëse ti e ushtron veten tënde për një sjellje të caktuar, ajo do të bëhet tipari yt. Nuk ka moral të mirë që t’i nuk mund ta fitosh, por duhet që të kërkosh ndihmë nga Allahu, i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar, dhe të bësh përpjekje të vazhdueshme. Disa njerëz thonë “Unë jam gjaknxehtë! Unë jam kështu!” Jo! Ti ke mundësi ta ushtrosh veten tënde. Stërvite veten tënde pak e nga pak që ta lësh gjaknxehtësinë. Ke për të parë se avash-avash zemërimi dhe gjaknxehtësia do të largohen nga vetja jote.

 

Pra, butësia është moral i mirë, të cilin në fillim e ke barrë të rëndë, pastaj të bëhet zakon. Përdore butësinë me familjen tënde, sepse gjëja më e vështirë te morali i mirë është që atë ta kesh me familjen tënde. Për këtë arsye, shumë njerëz nuk kanë moral të mirë brenda në shtëpi. Siç thonë disa njerëz “Disa njerëz jashtë shtëpisë janë si mjalti, kurse brenda në shtëpi janë si qepa.” Kur është jashtë shtëpisë, u buzëqesh njerëzve, duke u thënë: “O i dashur! O vëlla!” Nëse ai gabon ndaj këtij, ky i thotë: “Allahu të faltë! Allahu të faltë.” Ndërsa, sapo futet në shtëpi dhe sheh një gabim te gruaja e tij, i thotë: “Moj ti...! Nëna jote ka bërë kështu! Babai yt ka bërë kështu!” Sepse ai nuk shtirret në shtëpi; çdo gjë i hiqet kur vjen në shtëpi. Kështu që, nuk ngelet në shtëpi vetëm se morali i mirë.

 

Andaj, vendi më i mirë për t’u kalitur me moral të mirë është shtëpia, sepse nëse ti ia del mbanë që të pajisesh me moral të mirë në shtëpinë tënde, ta dish sigurtë se këtë moral do ta kesh edhe jashtë shtëpisë tënde. E nuk ndodh e kundërta e kësaj! Kalite veten tënde. Nëse je i martuar dhe ke grua e fëmijë, mësoje dhe ushtroje veten tënde që të sillesh butë me ta në fjalë dhe vepra; ke për ta parë se pas një kohe kjo do të të bëhet shprehi. Nëse ti e ke kuptuar këtë rrugë, pas kësaj, do ta kesh të lehtë kur të përballesh me vështirësi ndaj qëndrimeve të ndryshme. Kështu ti do të kesh mundësi ta zbatosh këtë moral fisnik.  

 

Kliko këtu për ta parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari