Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthjemin (1421 h.)

Burimi: Tefsiru Sureti el-Huxhurat, fq. 52

 

Por nëse gibeti (përgojimi) bëhet për ndonjë dobi, atëherë nuk ka problem, as nuk ka gjynah për këtë. Prandaj kur shkoi Fatime bintu Kajs tek i dërguari i Allahut – sal-la Allahu alejhi ue sel-lem – që të konsultohej me të për ata burrat që e propozuan për martesë, ai i sqaroi të metat e atyre që shikonte se kishin të meta, ngase atë e propozuan tre burra, Muauije bin ebi Sufjani – Allahu qoftë i kënaqur me të –, Ebu Xhehm bin Harith dhe Usame bin Zejd, ndërsa i dërguari – sal-la Allahu alejhi ue sel-lem – tha:

أَمَّا مُعَاوِيَةُ فَصُعْلُوكٌ لَا مَالَ لَهُ، وَأَمَّا أَبُو جَهْمٍ فَضَرَّابٌ لِلنِّسَاءِ، انْكِحِي أُسَامَةَ بْنَ زَيْدٍ

Sa i përket Muauijes, ai është i varfër dhe nuk ka pasuri, ndërsa Ebu Xhehmi i rreh shumë gratë. Andaj, martohu me Usame bin Zejdin”.

Pra i dërguari – sal-la Allahu alejhi ue sel-lem – përmendi të metat e këtyre dy burrave për shkak të këshillës dhe sqarimin e të vërtetës. Kjo padyshim që nuk llogaritet gibet.

Prandaj, nëse vjen ndonjë njeri dhe kërkon të konsultohet me ty për një person me të cilin do të bëjë biznes, dhe thotë se filani do të bashkëpunojë me mua në tregti apo qira, apo konsultohet për martesë me atë që ka propozuar vajzën e tij, e të ngjashme me këto, dhe ti e di se filani ka të meta, atëherë është detyrë që t’ia sqarosh atij atë të metë; ti e ke detyrë që ta sqarosh dhe kjo nuk konsiderohet siç thonë disa nga populli i thjeshtë se kjo e ndërpret rizkun, përkundrazi kjo është prej sqarimit të së vërtetës.

Nëse ti e di se ai njeri me të cilin ai do të bëjë tregti, është njeri që i zvarrit punët, është gënjeshtar, hileqar, atëherë thuaji: “O vëllai im mos shit tek ai, sepse ai ti vonon paratë! Ai është hileqar! Ai është gënjeshtarë. Ndoshta pretendon që plaçka kishte defekt ndërkohë që ajo s’ka defekt, ndoshta pretendon se ia ke shitur më shumë se sa e ka vlerën, ndërkohë që nuk është ashtu.” E gjëra të ngjashme me këtë, të cilat të fusin ty në sherr dhe grindje me të.

Dikush vjen dhe do të konsultohet me ty për dikë që ka propozuar të bijën e tij për martesë, dhe ky person në aparencë shfaqet se ka drejtësi, qëndrueshmëri në fe dhe shfaq moral të mirë, mirëpo ti e di se ai ka një cilësi të keqe, atëherë ti e ke obligim që ta sqarosh atë; kjo duhet të sqarohet. P.sh. ti e di se ky person është gënjeshtar, apo e di se ky person pi duhan, mirëpo ai nuk e pranon këtë dhe as nuk ua shfaq njerëzve, në këtë rast ti e ke detyrë që t’i sqarosh, të thuash: “Ky person shfaq fetari, shfaqet i moralshëm, shfaqet si i mirë, mirëpo ai ka këtë të metë.” Edhe nëse përgjegjësi i vajzës dëshiron të bëhet martesa me të, ti sqaroja atij të metën e propozuesit. Pastaj ai zgjedh çfarë të dojë, ngase ai pastaj do veprojë me dije.

Sidoqoftë, çfarë përjashtohet nga përgojimi i cili është përmendja e dikujt me diçka që ai e urren?

Nxënësi: nëse dikush kërkon prej tij këshillë.

Shejkhu: vetëm nëse është në aspektin e këshillës. Për këtë çështje përmendëm argument nga suneti, po nga vepra e dijetarëve a ka argument për këtë? Po ka argument, kthehu librave të transmetuesve, aty p.sh do të shohësh se dijetarët thonë: “Filani i biri i filanit ka memorie të keqe, filani i biri i filanit është gënjeshtar, filani i biri filanit ka këtë e atë.” Pra, ata përmendin prej cilësive të tij atë që ai e urren, si këshillë për t’ju bindur Allahut dhe të dërguarit të Tij. Pra, nëse me përmendjen e vëllait tënd me diçka që ai e urren është për qëllim këshilla, atëherë nuk ka problem.

Gjithashtu nëse me përgojimin është për qëllim ankimi dhe denoncimi, atëherë nuk ka problem. P.sh. nëse ty të bën padrejtësi dikush dhe ti shkon tek një person që ka mundësi ta largojë këtë padrejtësi dhe i thua: “Filani më ka marrë pasurinë! Filani mohoi të drejtën time!” e të ngjashme me këto, atëherë nuk ka problem, sepse Hind bint Utbe shkoi te profeti – sal-la Allahu alejhi ue sel-lem – dhe u ankua për burrin e saj, Ebu Sufjanin duke thënë se ai është njeri dorështrënguar, nuk më jep aq sa më mjafton mua dhe birit tim, atëherë i dërguari i Allahut – sal-la Allahu alejhi ue sel-lem – i tha asaj: “Merr aq sa të mjafton ty dhe birit tënd, sipas traditës.” Pra, ajo përmendi një cilësi të cilën Ebu Sufjani e urrente padyshim, mirëpo në çfarë aspekti ishte kjo? Përgjigjuni!

Nxënësit: në aspektin e ankimit dhe denoncimit.

Shejkhu: pra në aspektin e ankimit dhe denoncimit, dhe Allahu i Lartësuar ka thënë në Librin e Tij:

لَا يُحِبُّ اللَّهُ الْجَهْرَ بِالسُّوءِ مِنَ الْقَوْلِ إِلَّا مَنْ ظُلِمَ

“Allahu nuk e do shprehjen e fjalëve të këqija, përveç atij që i është bërë padrejtësi.” en-Nisa, 148

D.m.th. i lejohet atij që i është bërë padrejtësi që të shprehi fjalë të këqija për të larguar zullumin që i bëhet.

Mirëpo, a lejohet diçka e ngjashme si kjo në rast se qëllimi i njeriut është që t’ia lehtësojë vetes barrën e brengave dhe dhimbjeve që ka në zemrën e tij duke ia treguar atë që ka ndodhur një shokut të tij, ndërkohë që shoku i tij nuk ka mundësi që t’ia largojë këtë padrejtësi atij, mirëpo ai e ngushëllon atë apo nuk lejohet kjo gjë? Sipas asaj që shihet është se kjo gjë lejohet, për shkak të përgjithësimit në Fjalën e të Lartësuarit:

لَا يُحِبُّ اللَّهُ الْجَهْرَ بِالسُّوءِ مِنَ الْقَوْلِ إِلَّا مَنْ ظُلِمَ

“Allahu nuk e do shprehjen e fjalëve të këqija, përveç atij që i është bërë padrejtësi.” en-Nisa, 148

Kjo gjë ndodh shpesh. Shpeshherë njeriu dëmtohet dhe i bëhet padrejtësi duke iu mohuar apo marrë pasuria, e të ngjashme me këto, dhe personi i dëmtuar shkon te shoku i tij dhe i thotë: “Filani ka thënë për mua kështu, ka thënë për mua ashtu.” Me këtë ai synon që ta qetësojë dhimbjen dhe pikëllimin që ka në zemrën e tij, apo e diskuton këtë çështje me fëmijët, me familjen, apo me  gruan e tij, e të ngjashme me të, për këtë nuk ka problem, sepse i dëmtuari nuk e ka harram që të flasi për zullumqarin.

 

Përktheu: Muhamed Kallashi

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org