Autor: Shejkh Suleman Ruhejli
Besimtari i cili bie në mëkate duke shpresuar për faljen e tyre është sikur i sëmuri apo sikur ai që pi helm duke shpresuar në shërim pasi që e ka pirë atë. Nuk ka njeri të mençur që të marrë helmin dhe ta pijë atë dhe ta gëlltis, e pasi që ta ketë gëlltitur të thotë: “Ky është ilaç, do ta pi.” Sepse ai mund të vdesë para se të marrë ilaçin.
Kurse ti o robi i Allahut nuk e di se kur do vdesësh. Ka të ngjarë që të vdesësh duke bërë mëkate. Robi do të ringjallet Ditën e Gjykimit ashtu siç ka vdekur. Ai që vdes duke thënë telbijen (në Haxh – lebbejke Allahume lebbejk) do të ringjallet duke e thënë telbijen. Ai që vdes duke u falur, do të ringjallet duke u falur. Ai që vdes duke bërë davet, do të ringjallet duke bërë davet. Ai që vdes duke bërë zina – Allahu na ruajttë – do të ringjallet duke qenë në këtë gjendje të pështirë. Ai që vdes duke gënjyer, do të ringjallet duke gënjyer. Ai që vdes duke përgojuar, do të ringjallet në këtë gjendje të ndyrë. Ai që vdes i dehur, do të ringjallet në këtë gjendje të fëlliqtë.
Andaj, nëse robi bën mëkat, nuk e din se ndoshta mund të vdesë. Për këtë arsye, është thënë se njëri nga selefët u ka thënë nxënësve të tij duke i këshilluar: “Kush garanton se do të jetojë deri nesër, unë i jap leje që të bëjë mëkate.” Pra, ai që çohet nga mesi juaj dhe thotë: unë i garantoj vetes time së do të jetoj deri nesër, unë i jap leje që të bëjë çdo gjynah. Kush është ai që e garanton këtë?!
Pasha Allahun! Njeriu mund të jetë i fortë, i fuqishëm dhe nuk i mungon gjë, për një çast rrëzohet dhe vdes papritmas. Sa e sa të shëndoshë kanë vdekur pa pasur ndonjë sëmundje dhe sa e sa të sëmurë kanë jetuar për një kohë të gjatë.
Ndonjë person sëmuret dhe njerëzit e vizitojnë atë duke menduar se do të vdesë dhe se do t’ia falin namazin atij, kurse ata vdesin para atij. Mjafton vdekja si këshillues.
Përktheu: Jeton Shasivari