Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

 

Nëse përfundon muaji i Ramazanit, e drejta e Allahut nuk përfundon vetëm se nëse vdes.

وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ

“Adhuro Allahun derisa të të vijë vdekja.”  El-Hixhr, 99

Allahu është Zoti i Ramazanit, Ai është Zoti i muajit Sheual, Ai është Zoti i të gjithë muajve të vitit, atëherë kini frikë Allahun në çdo muaj. Ruani fenë tuaj! Ruani fenë tuaj! Ruani fenë tuaj në gjithë jetën tuaj, se ajo është kapitali juaj tek Allahu, i Pastër nga çdo e metë dhe i Lartësuar, dhe ajo është shpëtimi juaj nga Zjarri. Andaj, ruani fenë tuaj dhe përmbahuni asaj në çdo muaj dhe në çdo kohë. Muaji i Ramazanit vijon me falënderim, kërkim faljeje dhe gëzim për mirësitë e Allahut i cili na mundësoi agjërimin dhe faljen e namazit të natës. Ne gëzohemi me këto begati dhe nuk gëzohemi me mbarimin e muajit të Ramazanit, por gëzohemi që e përfunduam me adhurim për Allahun. Për këtë arsye, ne gëzohemi.

قُلْ بِفَضْلِ اللَّـهِ وَبِرَحْمَتِهِ فَبِذَٰلِكَ فَلْيَفْرَحُوا هُوَ خَيْرٌ مِّمَّا يَجْمَعُونَ

Thuaj: “Vetëm me dhuntinë Allahut dhe mëshirën e Tij le të gëzohen. Kjo është më emirë se ajo që grumbullojnë.” Junus 58

Ruhuni nga teprimi në gjëra të kota, dëfrime dhe shkujdesje. Kujdes nga gjërat që të largojnë nga bindja ndaj Allahut, ngase shejtani është i zellshëm që t’i zhvlerësojë veprat tuaja dhe t’i fshijë të gjitha veprat e mira që keni bërë. Shejtani i mashtron disa njerëz se kur të përfundojë Ramazani, njeriu bëhet i lirë dhe i çliruar, sikur të ketë dalë nga burgu. Kështu, njeriu jepet pas gjërave të kota, dëfrimeve, shkujdesjes, humbjes së namazit, si dhe të këqija të tjera.

وَلَا تَكُونُوا كَالَّتِي نَقَضَتْ غَزْلَهَا مِن بَعْدِ قُوَّةٍ أَنكَاثًا

“Mos u bëni sikur ajo (gruaja) që e shprish dhe bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort.” En-Nahl, 92

Kini frikë Allahut o ju robër të Allahut! Ruani veprat e mira që keni bërë! Pendohuni tek Allahu për mangësitë tuaja dhe gjynahet tuaja, sepse Allahu ia pranon pendimin atij që pendohet.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org