Bismilah...

Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

 

Kur jemi pas mjeteve të komunikimit, ne e shajmë dikë, e ofendojmë dikë tjetër, shpifim për nderin e dikujt tjetri, ndërkohë që ne fshihemi pas emrave të rremë, fshihemi pas mjeteve të komunikimit dhe jemi të bindur se askush nuk e di se kush jemi ne, por ama ne nuk e kemi mendjen se Allahu 'Azze ue Xhel-le po na shikon dhe i dëgjon fjalët tona, dhe se Allahu 'Azze ue Xhel do të na marrë në llogari. Një ditë Pejgamberi ynë - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - u tha shokëve të tij: “A e dini se kush është i falimentuar?” Sahabët e nderuar - riduanUllahi alejhim - thanë: “I falimentuar midis nesh është ai që nuk ka dirhem e as pasuri.” Atëherë tha Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -: “I falimentuar në Umetin tim është ai që vjen Ditën e Gjykimit me namaz, agjërim, zekat, por ai ka ofenduar dikë, ka shpifur për nderin e dikujt tjetër, ka ngrënë pasurinë e një tjetri, ka derdhur gjakun e dikujt tjetër dhe ka gjuajtur dikë tjetër. Kështu që, do të merren prej sevapeve të tij derisa kur t'i mbarojnë të gjitha sevapet dhe nuk ka me çfarë të shlyejë hakun e atyre që u ka bërë padrejtësi, atëherë do të merret prej gjynaheve të atyre e do t'i ngarkohen atij, e rrjedhimisht ai do të hidhet në Zjarr.”

Ky është i falimentuari në realitet, adhuruesi i cili vjen me vepra të mira, të pranuara, që vjen Ditën e Gjykimit dhe ka falur namaz e Allahu ia ka pranuar atë, ka agjëruar dhe Allahu ia ka pranuar atë, dha sadaka e Allahu ia ka pranuar, porse ai u ka hyrë në hak të tjerëve. Kështu që, ai do të vijë Ditën e Gjykimit dhe njerëzit do të marrin hakun e tyre për padrejtësitë që ua ka bërë ai, dhe do t'i marrin prej tij. E si do t'i marrin prej tij? Me sevape e me gjynahe; do të merren prej sevapeve të tij dhe do t’u jepen atyre. E nëse mbarojnë sevapet e tij dhe ai nuk ua ka dhënë hakun akoma atyre, atëherë do të merret prej gjynaheve të tyre e do t'i ngarkohen atij, Allahu na ruajttë! Rrjedhimisht ai do të hidhet në Zjarr.”

Përktheu: Servet Mata