Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

Burimi: Sherh Kitab el-Fiten uel-Hauadith, fq.125-126

 

Cili është shkaku i zinasë? Të gjithë e dinë që zinaja është haram, mirëpo cili është shkaku i shfaqjes dhe shtimit të saj? Shkaku i saj është kur gratë lihen pa mbikqyrje dhe u jepet liri e plotë, lihen që të punojnë me burrat – siç po bëhet thirrje sot – e pikërisht këto janë motivi i shtimit të zinasë. Sepse epshi gjendet te burrat dhe te gratë, epshi nuk ikën. Pra, nëse gruaja pispilloset, parfumoset dhe del nëpër tregje, zyra, sportele, merret me shitblerje, me biznes, përzihet me burrat, atëherë epshi është prezent dhe shejtani po ashtu është prezent, e rrjedhimisht që do të ndodhin ngacmime dhe do të ndodhin fitne.

Ama nëse gruas i vendosen norma dhe ajo tregohet e përmbajtur, atëherë ajo është e siguruar nga rënia në fitne. Por nëse gratë lihen pa mbikqyrje, e nga ana tjetër njerëzit e poshtër thërrasin për lirinë e gruas – siç thonë ata – e që në të vërtetë ajo nuk është liri por është robërimi më i keq, është robërim ndaj epsheve, Allahu na ruajtë! Liria është në bindjen ndaj Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm dhe në çlirimin nga gjynahet. Kështu që, gruaja nëse lihet pa mbikqyrje në fundin e kohës, ka për t’u shtuar zinaja, sepse ajo është rrugë që të shpie te zinaja, sidomos nëse gruaja pispilloset, përzihet me burrat dhe i jepet liri e plotë që të shëtisë, merr në dorë çelësin e makinës dhe kërkon që të ngasë makinën dhe të shkojë ku të dojë ajo, pastaj i vijnë telefonatat. Ndërkohë që ajo është brenda shtëpisë së saj, i vijnë telefonatat nga njerëzit e poshtër, i vijnë fotot, ajo shikon çdo gjë në internet, gjëra të cilat unë nuk i di, mirëpo kjo ka ndodhur dhe sa vjen e shtohet. Ndërkohë që gruaja është brenda shtëpisë së saj! Kjo është fatkeqësi shumë e madhe që ndodh për shkak të daljes së gruas dhe lirisë që të shkojë ku të dojë. Edhe nëse ajo rri në shtëpinë e saj, asaj i vjen e keqja nëpërmjet këtyre mjeteve të komunikimit. E për këtë arsye shtohet zinaja, Allahu na ruajtë!

Allahu i Madhëruar e i Lartësuar thotë:

وَلَا تَقْرَبُوا الزِّنَا ۖ

“…e mos iu afroni zinasë!” [el-Israa, 32]

Mos iu afroni, nuk thotë vetëm mos bëni zina por thotë: “mos iu afroni”. Kuptimi i kësaj është se ndalohen të gjitha rrugët apo mjetet që të çojnë te zinaja, siç është përzierja, pispillosja, t’i jepet gruas liri që ajo të veprojë si të dojë, e këto janë rrugë që të çojnë në zina.

لا يَحِلُّ لِامْرَأَةٍ تُؤْمِنُ باللَّهِ واليَومِ الآخِرِ تُسافِرَ مَسِيرَةَ يَومٍ إلَّا مَعَ ذِي مَحْرَم.

“Nuk i lejohet gruas që beson Allahun dhe Ditën e Kijametit që të udhëtojë distancën e një dite përveç se duke patur me vete mahrem.” [E ka transmetuar Bukhari (nr.1088) dhe Muslimi (nr.1339) nga Ebu Hurejrah – radijAllahu ‘anhu].

Disa thonë: “Përse gruaja nuk është e besueshme? Përse nuk besoni te gruaja porse e akuzoni atë dhe thoni që ajo ka nevojë për mahrem? Ndërkohë që ajo është e besueshme dhe ajo ka liri që të udhëtojë pa patur me vete mahrem?” Ata duan që t’i sjellin të gjitha mjetet që të çojnë në zina, duan që ta lënë të lirë gruan të bëjë çfarë të dojë. Ata pretendojnë se parimi që thotë se është obligim që të mbyllen të gjitha rrugët që të çojnë në fitne, është parim i pabazë dhe i pavlerë. Ata thonë: “Ju po i shtypni të gjitha liritë! Nuk ka asnjë parim ne fe që të ndalohen rrugën që të shpien në fitne!” Ndërkohë që për këtë parim ka unanimitet nga të gjithë dijetarët dhe ka bazë në argumentet e Kur'anit dhe Sunetit. Ata thonë: “Lejojini të gjitha mjetet, lëshojini të gjitha mjetet pa kufizim, të cilat të shpien në zina, jepni gruas çdo gjë.” Atëherë ndodhë zinaja – Allahu na ruajtë! Sepse nëse mundësohen mjetet që të shpien në zina, atëherë ka për të ndodhur zinaja, pa pikë dyshimi.

 

Përktheu: Alban Malaj