Çfarë do thuash për këtë fenomen që është shfaqur sot në shoqëritë Islame, për fat të keq, që kur prindi të plaket, të hidhet në shtëpinë e të moshuarve – siç e quajnë. Djali i heq qafe prindërit dhe i vendos të dy ata apo njërin në shtëpinë e të moshuarve. Ky sikur nuk është fëmijë i tyre! Sikur këta janë prindër të atyre njerëzve në shtëpitë e të moshuarve që kujdesen për ta!

I Pastër je Ti o Allah, nga çdo mangësi! Ky që e bën këtë, a është kafshë apo njeri?! Nuk ka ndryshim dhe as fuqi vetëm se me lejen e Allahut! Ky është nënçmimi dhe ofendimi më i madh që u bëhet prindërve! Këtë nuk e bën ai që ka në zemër frikë nga Allahu, i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari!

Çfarë do të ndjeje ti në qoftë se fëmija yt do ta bënte të njëjtën gjë, kur ti të plakesh dhe të sëmuresh, ai të të marrë dhe të të lë në shtëpinë e të moshuarve? Çfarë do të ndjeje ti dhe sa i zemëruar do të ishte ti me të? Çfarë mëkati do të mbartë ai fëmijë që e bën këtë gjë? Përse ti si fëmijë e kërkon të drejtën tënde (që kur të plakesh të kujdesen për ty fëmijët e tu), kurse ti nuk do që ta kryesh këtë të drejtë ndaj prindit tënd?

Andaj, le t’ia ketë frikën Allahut çdo Musliman!

 

Përktheu: Jeton Shasivari