Burimi: Sherhu Kitab el-Kebair, fq. 11-14
Hyrje në Librin e Mëkateve të Mëdha – Muhammed Ibën ‘Abdul-Uehhab
Tha shejkhu, imami dhe muxhedidi, Muhammed Ibën ‘Abdul-Uehhab, Allahu i Lartësuar pastë mëshirë për të:
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, e prej Atij kërkojmë ndihmë:
Libri i mëkateve të mëdha
(Argument për to është) Fjala e Allahut, të Lartësuarit:
إِن تَجْتَنِبُوا كَبَائِرَ مَا تُنْهَوْنَ عَنْهُ نُكَفِّرْ عَنكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ وَنُدْخِلْكُم مُّدْخَلًا كَرِيمًا
“Nëse ju qëndroni larg nga gjynahet e mëdha që janë ndaluar për ju, Ne do t’u shlyejmë juve mëkatet tuaja.” [en-Nisaa, 31] [1]
Si dhe Fjala e Allahut të Lartësuar:
الَّذِينَ يَجْتَنِبُونَ كَبَائِرَ الْإِثْمِ وَالْفَوَاحِشَ إِلَّا اللَّمَمَ
“Ata të cilët qëndrojnë larg gjynaheve të mëdha dhe imoralitetit, përveç atyre që janë të vogla.” [en-Nexhm, 32] [2]
Ka transmetuar Ibën Xheriri nga Ibën ‘Abbasi – radijAllahu ‘anhuma – se ai ka thënë: “Të mëdhatë janë çdo gjynah, për të cilin Allahu ka përmendur në fund Zjarrin apo mallkimin apo zemërimin apo ndëshkimin.” [3]
E po ashtu ka transmetuar se ai ka thënë: “Të mëdhatë ka gjasa që të arrijnë deri në shtatëqind e nuk janë veçse shtatë, mirëpo nuk mbetet më gjynah i madh nëse kërkohet falje dhe as nuk mbetet më gjynahu i vogël nëse bëhet me insistim.” [4]
Ka transmetuar ‘Abdurr-Rrazzaku nga ai gjithashtu se: “Të mëdhatë ka gjasa të arrijnë deri në shtatëdhjetë e nuk janë veçse shtatë.” [5]
________________________________
Shpjegimi i Shejkh Feuzanit:
[1] Fjala e të Lartësuarit:
إِن تَجْتَنِبُوا كَبَائِرَ مَا تُنْهَوْنَ عَنْهُ
“Nëse ju qëndroni larg nga gjynahet e mëdha që janë ndaluar për ju…” përmban argument që gjynahet ndahen ashtu siç e përmendëm, në gjynahe të mëdha dhe të vogla, dhe se kush qëndron larg nga gjynahet e mëdha, Allahu do t’ia shlyejë atij gjynahet e vogla. Ky është premtim nga Allahu – SubhaneHu ue Te’ala –.
Tha pastaj Allahu – SubhaneHu ue Te’ala –:
وَنُدْخِلْكُم مُّدْخَلًا كَرِيمًا
“…dhe do t’ju fusim në një vend të nderuar.” [en-Nisaa, 31]
Edhe ky është premtim nga Allahu dhe ai përmban refuzim kundër sektit të Khauarixhëve dhe Muëtezilëve, si dhe sqaron doktrinën e tyre të prishur, sepse ata pretendojnë që gjynahet e mëdha e nxjerrin vepruesin e tyre nga Feja. Kjo u sqarua më përpara detajisht, se e vërteta te kjo çështje qëndron te doktrina e Ehli Sunetit dhe Xhematit, doktrinë e cila është shumë larg teprimit dhe neglizhimit, ekzagjerimit dhe ekstremizmit.
[2] Gjithashtu prej argumenteve që vërtetojnë se gjynahet ndahen në të mëdha e të vogla, është Fjala e të Lartësuarit:
الَّذِينَ يَجْتَنِبُونَ كَبَائِرَ الْإِثْمِ وَالْفَوَاحِشَ إِلا اللَّمَمَ
“Ata të cilët qëndrojnë larg gjynaheve të mëdha dhe imoralitetit, përveç atyre që janë të vogla.”
Gjynahet e mëdha (el-keba`ir) janë veprat e mosbindjes ndaj Allahut. Kurse imoraliteti (el-feuahish, që është njëjësi i fjalës fahisheh) është çdo gjë që arrin kulmin e shëmtirës dhe neverisë.
Kurse fjala e Allahut të Lartësuar “el-lemem”, ka për qëllim gjynahet e vogla. Pastaj tha i Lartësuari:
إِنَّ رَبَّكَ وَاسِعُ الْمَغْفِرَةِ
“Me të vërtetë që Zoti yt posedon falje shumë të gjerë.” Që do të thotë se gjynahet e vogla shlyhen me shkaqe të shumta shlyese, prej të cilave:
Qëndrimi larg gjynaheve të mëdha, siç qëndron te ky ajet.
Prej tyre janë pesë namazet obligative.
Prej tyre janë fatkeqësitë që i bien njeriut, siç janë sëmundjet, sikletet dhe shqetësimet, vdekja e të afërmve, madje edhe gjembi që e shpon muslimanin, siç ka ardhur në hadithin e njohur. [Hadithin e ka transmetuar Bukhari (5640) dhe Muslimi (2572) nga ‘Aishah – radijAllahu ‘anha -] Pra, të gjitha këto janë prej shkaqeve që i shlyejnë gjynahet e vogla, e kjo ndodh me mirësinë e Allahut – ‘Azze ue Xhel-le –.
Po kështu është edhe Fjala e të Lartësuarit në ajetin tjetër, te sureja esh-Shuura:
وَالَّذِينَ يَجْتَنِبُونَ كَبَائِرَ الْإِثْمِ وَالْفَوَاحِشَ وَإِذَا مَا غَضِبُوا هُمْ يَغْفِرُونَ
“Edhe ata të cilët qëndrojnë larg gjynaheve të mëdha, e kur inatosen, ata falin.” Vazhdon më tej ajeti. [esh-Shuura, 37]
Pra, ky ajet është argument tjetër që vërteton se gjynahet ndahen në të mëdha e të vogla.
[3] “el-Keba`ir” (Gjynahet e mëdha) janë veprat e mosbindjes, domethënë janë ato vepra të cilat i ka ndaluar Allahu.
Parimi bazë për çdo gjë që e ka ndaluar Allahu është se ajo konsiderohet gjynah dhe haram. Mirëpo kur asaj vepre i bashkangjitet edhe kërcënimi me ndëshkim në ahiret ose masa ndëshkimore në dynja, atëherë ajo konsiderohet gjynah i madh.
Fjala e tij: “për të cilin Allahu ka përmendur në fund”, domethënë mbasi përmend gjynahun, në fund Allahu kërcënon me Zjarr apo me mallkim vepruesin e tij, ose e mallkon i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –. Pra, ky është gjynahu i madh.
Fjala e tij: “apo zemërimin”, domethënë kur Allahu e kërcënon me zemërim vepruesin e atij gjynahu, atëherë ai konsiderohet gjynah i madh po ashtu.
Fjala e tij: “apo ndëshkimin” që do të jetë në ahiret ose masë ndëshkimore që jepet në dynja, siç janë ndëshkimet shpaguese, si prerja e dorës për hajdutin, fshikullimi i zinaqarit beqar apo gurëzimi për zinaqarin e martuar. Këto pra janë gjynahet e mëdha, janë ato që marrin masë ndëshkimore në dynja ose zemërimin e Allahut ose kërcënimin me largim nga Mëshira e Tij.
Kurse ato gjëra që i ka ndaluar Allahu porse nuk ka përmendur asnjë lloj dënimi si këto që u përmendën, atëherë ato hyjnë te kategoria e gjynaheve të vogla.
[4] Domethënë ka transmetuar Ibën Xheriri nga Ibën ‘Abbasi – radijAllahu ‘anhuma –: se gjynahet e mëdha janë të shumta, ka më shumë gjasa që të arrijnë në shtatëqind e nuk janë veçse shtatë. Pra, gjynahet e mëdha nuk janë të gjitha një gradë, porse ato ndahen në dy kategori: gjynahet e mëdha më të rëndat, si dhe gjynahet e mëdha që janë më poshtë tyre.
Pra, ka gjynahe të mëdha që janë shumë të rënda dhe ka gjynahe të tjera që janë veçse të mëdha, domethënë s’janë shumë të rënda. Kjo për arsye se gjynahet e mëdha dallojnë nga njëra-tjetra. Kurse për sa i përket llogaritjes së tyre, duhet t’i referohesh Kur`anit dhe Sunetit.
Mere këtë kriterin që përmendi Ibën ‘Abbasi – radijAllahu ‘anhuma – dhe zbatoje për gjynahet. Nëse përputhet kriteri i tij te ndonjë gjynah, atëherë ai është gjynah i madh. Kurse çfarë gjen vepra të tjera të ndaluara por që ky përkufizim nuk përputhet me to, atëherë ato janë gjynahe të vogla e janë haram.
Dijetarët kanë shkruar disa vepra për gjynahet e mëdha. Për shembull hafidh Dhehebiu arriti të llogarisë më shumë se shtatëdhjetë gjynahe të mëdha, kurse Ibën Haxher el-Hejtemi arriti të llogarisë më shumë se katërqind gjynahe të mëdha. Ndërsa Ibën ‘Abbasi – radijAllahu ‘anhuma – ka thënë se: “…ato ka gjasa që të arrijnë deri në shtatëqind e nuk janë veçse shtatë.”
Gjynahet e mëdha më të rënda janë shtatë gjynahet shkatërrimtare, siç ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
اجْتَنِبُوا السبْعَ المُوْبِقات
“Qëndroni larg nga shtatë gjynahet shkatërrimtare.” [E ka transmetuar Bukhari (2766) dhe Muslimi (89), nga Ebu Hurejrah – radijAllahu ‘anhu]
Sa i përket fjalës së tij: “mirëpo nuk mbetet më gjynah i madh nëse kërkohet falje”, kjo do të thotë se kush i kërkon falje Allahut me sinqeritet nga zemra e tij, Allahu ia pranon pendimin atij dhe ia fshin gjynahun. Kurse gjynahun e vogël nuk duhet ta nënvlerësojë njeriu sepse ai bëhet i madh. Pra, njeriu s’duhet ta neglizhojë gjynahun e vogël sepse ai të shpie te gjynahet e mëdha. Kështu që, njeriu duhet të ruhet nga gjynahet, qofshin ato të vogla apo të mëdha. Ka thënë Allahu i Lartësuar:
وَلَٰكِنَّ ٱللَّهَ حَبَّبَ إِلَيْكُمُ ٱلْإِيمَٰنَ وَزَيَّنَهُۥ فِى قُلُوبِكُمْ وَكَرَّهَ إِلَيْكُمُ ٱلْكُفْرَ وَٱلْفُسُوقَ وَٱلْعِصْيَانَ ۚ
“Mirëpo Allahu e bëri të dashur për ju imanin dhe e zbukuroi atë në zemrat tuaja, si dhe ua bëri të urryer juve kufrin, poshtërsinë dhe mosbindjen.” [el-Huxhurat, 7]
Pra, kufri është më i rëndi nga të gjitha gjynahet e mëdha.
Poshtërsitë “el-fusuuk” janë gjynahet e mëdha që vijnë mbas kufrit.
Kurse mosbindja “el-‘isjaan” ka për qëllim gjynahet e vogla.
[5] Pra, gjynahet e mëdha nuk përllogariten dot me një numër preçiz, por ama mund të përkufizohen me këtë kriterin që është transmetuar nga Ibën ‘Abbasi – radijAllahu ‘anhuma – dhe që e kanë përzgjedhur dijetarët hulumtues, siç është Ibën Tejmijjeh – rahimehUllah – dhe dijetarë të tjerë.
Përktheu: Alban Malaj