Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

Burimi: Sherhu Kitab el-Keba`ir, fq. 15-17

 

Kapitulli: Më i madhi nga të gjitha mëkatet e mëdha

Në dy librat e saktë të Bukharit dhe Muslimit është transmetuar nga Ebu Bekrah – radijAllahu anhu – se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

ألا أنبئكم بأكبر الكبائر؟ قلنا: بلى يا رسول الله! قالالإشراك بالله، وعقوق الوالدين، وكان متكئًا فجلس فقال: ألا وقول الزور ألا وشهادة الزور، فما زال يكررها حتى قلنا: ليته سكت.

“A t’ju njoftoj për më të madhin nga të gjitha mëkatet e mëdha?” Thamë: “Pse jo, o i Dërguari i Allahut!” Ai tha: “T’i bësh shirk Allahut dhe sjellja e keqe ndaj prindërve.” Ai po rrinte i mbështetur dhe më pas u ul dhe tha: “Në të vërtetë është dhe fjala e rreme, dëshmia e rreme.” Ai nuk ndaloi se përsërituri derisa thamë në vete: ah sikur të ndalonte.” E ka transmetuar Bukhari (2654) dhe Muslimi (87). [1]

­­­­­­­­­­­­­­­­________________________________________________

Shpjegimi i Shejkh Feuzanit

[1] Mësuam tashmë se mëkatet e mëdha nuk janë të gjitha të njëjta. Prej tyre është mëkati më i madh fare, e prej tyre janë dhe ato që janë më poshtë se ai. Edhe shtatë gjynahet shkatërrimtare janë mëkatet më të mëdha. U quajtën shkatërrimtare sepse ato e shkatërrojnë vepruesin e tyre. Kjo ka ardhur te fjala e Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -:

اجتنبوا السبع الموبقات، قالوا: يا رسول الله وما هن؟ قال: الشرك بالله، والسحر، وقتل النفس التي حرم الله إلا بالحق، وأكل الربا، وأكل مال اليتيم، والتولي يوم الزحف، وقذف المحصنات المؤمنات الغافلات.

“Qëndroni larg nga shtatë gjynahet shkatërrimtare.” Thanë: “O i Dërguari i Allahut cilat janë ato?” Ai tha: “Ti bësh shirk Allahut, magjia, vrasja e njeriut që Allahu e ka bërë të ndaluar vrasjen e tij, përveç se me të drejtë, marrja e kamatës, përvetësimi i pasurisë së jetimit, mbathja nga fushëbeteja në kulmin e saj, si dhe shpifja për nderin e  besimtareve të devotshme e të pafajshme.” [E ka transmetuar Bukhari (2766) dhe Muslimi (89), nga Ebu Hurejrah - radijAllahu anhu -.]

Pra, Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - përmendi mëkatet më të mëdha, i pari prej tyre është shirku ndaj Allahut dhe ai është më i madhi prej tyre në mënyrë absolute, ngase ai nuk falet vetëm se me pendim dhe se vepruesi i tij do të jetë përgjithmonë në zjarr. Ndryshe nga mëkatet e mëdha që janë më poshtë se shirku, sepse vepruesi i tyre edhe nëse dënohet në Xhehenem, ai nuk do të qëndrojë përgjithmonë në të, e ndoshta as nuk dënohet fare, porse Allahu mund ta falë dhe nuk e dënon.

I dyti prej tyre është sjellja e keqe me prindërit, sepse kur Allahu i Madhëruar e i Lartësuar përmendi të drejtën e Tij, pastaj Ai përmendi të drejtën e prindërve. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

وَاعْبُدُوا اللَّـهَ وَلَا تُشْرِكُوا بِهِ شَيْئًا ۖ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا

Adhuroni Allahun e mos i bëni ortak Atij asgjë, e me prindërit ju duhet të silleni më së miri. [en-Nisa 36]

وَقَضَىٰ رَبُّكَ أَلَّا تَعْبُدُوا إِلَّا إِيَّاهُ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا

“Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni asgjë tjetër pos Tij dhe që të silleni më së miri me prindërit.” [el-Isra, 23]

Pra, e drejta e prindërve vjen menjëherë mbas të drejtës së Allahut të Lartësuar. Sjellja e keqe me prindërit do të thotë t’u bësh keq atyre, e kjo është nga mëkatet më të mëdha mbas shirkut. Pra, mëkati i sjelljes së keqe me prindërit vjen menjëherë mbas makatit të shirkut, Allahu na ruajttë, ashtu sikurse e drejta e prindërve vjen menjëherë mbas Teuhidit. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

وَاعْبُدُوا اللَّـهَ وَلَا تُشْرِكُوا بِهِ شَيْئًا ۖ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا

Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë, e me prindërit duhet të silleni më së miri. [en-Nisa, 36]

Dhe fjala e tij në hadithin e kapitullit: “Ai po rrinte i mbështetur dhe më pas u ul dhe tha: “Në të vërtetë është dhe fjala e rreme, dëshmia e rreme.” Ai nuk ndaloi se përsërituri derisa thamë në vete: ah sikur të ndalonte.”

Ez-zuur” është gënjeshtra. Është quajtur “zuur” (e falsifikuar) ngase thënësi i saj e falsifikon dhe e zbukuron atë, me qëllim që ajo të pranohet. Pra, gënjeshtra falsifikohet, zbukurohet dhe hijeshohet, derisa njerëzit të mendojnë se ajo është e vërtetë dhe e drejtë. Prej fjalëve më të rreme është Shirku ndaj Allahut dhe lutja që i drejtohet dikujt tjetër në vend të Allahut. Pra, dëshmia e rreme është dëshmia e gënjeshtërt.

Prej dëshmisë së rreme është dhe dëshmia që jepet përpara gjykatësit, me qëllim që ai të gjykojë në favor të tij përballë kundërshtarit të tij. Kjo dëshmi është prej mëkateve të mëdha. Njerëzit e kanë marrë si gjë të lehtë dëshminë e rreme, e tashmë kjo dëshmi e rreme ka hyrë në marrëdhëniet dhe grindjet e tyre, duke injoruar me këtë gjë barrën e rëndë të këtij mëkati dhe ndëshkimin e ashpër që merr ai, siç ka ardhur në këtë hadith dhe në hadithe të tjerë pos tij, sepse ai është nga gjynahet më të mëdha mbas shirkut.

Ai i cili dëshmon për shokun e tij me këtë lloj dëshmie ai vetëm se i ka bërë dëm atij dhe nuk i ka bërë dobi me këtë dëshmi. Ngase i ka futur atij diçka që ai nuk e meriton, i ka marrë të drejtën shokut të tij, dhe ka nënçmuar të drejtën e Allahut – SubhaneHu ue Te’ala –.

Dëshmia e rreme është tejet e rrezikshme, e megjithatë ajo është bërë te shumë njerëz një çështje e lehtë fare, andaj duhet të tërhiqet vëmendja dhe duhet paralajmëruar kundër saj dhe pasojave të saj.

Gjithashtu prej fjalës së rreme janë edhe tezkijet (lavdërimet) e kota, sepse ata që i japin tezkije dikujt që nuk e meriton atë tezkije, kjo që bëjnë ata hyn tek kategoria e dëshmisë së rreme. Sepse ti kur lavdëron dikë dhe thua që ai ka moral të mirë dhe se ai është kështu...  se ai është ashtu... se ai është njeri fetar, ndërsa në realitet ai nuk është i tillë, atëherë s’ka dyshim se kjo është prej dëshmisë së rreme, Allahut na ruajttë.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri