Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan 

Burimi: Sherhu Kitab el-Kebair, fq. 18-21

 

Kapitulli: Mëkatet e mëdha të zemrës

 

Transmeton Ebu Hurejrah, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë: "Allahu nuk shikon në paraqitjen dhe pasurinë tuaj, por shikon në zemrat dhe veprat tuaja!" [1] (Transmeton Muslimi, 2564)

Transmeton en-Nu'man ibn Beshir, radijAllahu anhuma, se i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë: "Vërtetë që në trupin e njeriut është një copë mishi, nëse ajo rregullohet, i gjithë trupi rregullohet; e nëse ajo sëmuret, i gjithë trupi sëmuret. Ajo është zemra." [2] (Transmeton el-Bukharij, 52), (Muslim, 1599)

_________________________________

Shpjegimi i Shejkh Salih el-Feuzanit

[1] Gjynahet e mëdha ndahen në dy kategori:

Kategoria e parë: Gjynahet e mëdha të gjymtyrëve, si zinaja, vjedhja, vrasja.

Kategoria e dytë: Gjynahet e mëdha të zemrave, si mendjemadhësia dhe smira.

Pra, mendjemadhësia, arroganca, vetëpëlqimi, poshtërimi dhe nënçmimi i njerëzve, haseti, urrejtja e të vërtetës, dashuria për të keqen, të gjitha këto janë prej veprave të zemrës.

Ndërsa hadithi që ka sjellur Imami, Allahu e mëshiroftë, sqaron se Allahu i Madhëruar e i Lartësuar, nuk e merr në konsideratë, nuk e vlerëson, e as nuk e shikon paraqitjen dhe bukurinë e tij të jashtme kur ai e ka zemrën e prishur. Një njeri mund të jetë me trup dhe pamje të bukur, ndërsa zemra e tij është e prishur dhe e shthurur, atëherë Allahu nuk shikon atë me nderim dhe mëshirë, përkundrazi e shikon atë me zemërim. Prandaj i Lartësuari ka thënë për hipokritët:

﴿وَإِذَا رَأَيْتَهُمْ تُعْجِبُكَ أَجْسَامُهُمْ٤

"E kur ti i sheh ata (hipokritët), trupat e tyre të mahnitin." [el-Munafikun,4]

Pra, ata kanë pamje dhe aparencë të bukur, por zemrat e tyre janë të prishura. Më pas thotë:

﴿ وَإِنْ يَقُولُوا تَسْمَعْ لِقَوْلِهِمْ  كَأَنَّهُمْ خُشُبٌ مُسَنَّدَةٌ ٤

"E kur ata flasin, ti ua vë veshin fjalëve të tyre! Ndërsa ato janë fjalë boshe!" [el-Munafikun, 4]

D.m.th. ty të mahnisin fjalët e tyre për shkak të bukurisë së tyre dhe elokuencës së tyre, por ajo që merret në konsideratë nuk është bukuria e trupit e as elokuenca në fjalë. Një njeri mund të jetë me trup të shëmtuar dhe i neveritshëm në sytë e njerëzve, por ai është i nderuar tek Allahu, sepse zemra e tij është e mirë dhe është besimtar sinqertë me Allahun - 'Azze ue Xhel. Prandaj, i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë:

رُبَّ أَشْعَثَ مَدْفُوعٍ بِالْأَبْوَابِ، لَوْ أَقْسَمَ عَلَى اللَّهِ لَأَبَرَّهُ

"Ndoshta një i pakrehur e i hedhur pas dyerve, po të betohej për Allahun, Ai do ia plotësonte betimin e tij!" [Transmeton Muslim, 2622]

Pra, nuk merret në konsideratë paraqitja, por ajo që merret në konsideratë është realiteti. Po ashtu edhe pasuria, nuk është diçka që merret në konsideratë tek Allahu i Lartësuar, prandaj Ai ka thënë:

﴿وَمَا أَمْوَالُكُمْ وَلَا أَوْلَادُكُمْ بِالَّتِي تُقَرِّبُكُمْ عِنْدَنَا زُلْفَى٣٧

"As pasuria e juaj e as fëmijët tuaj nuk janë ato që ju afrojnë tek Ne." [Sebe', 37]

Ka thënë i Lartësuari:

﴿فَلَا تُعْجِبْكَ أَمْوَالُهُمْ وَلَا أَوْلَادُهُمْ  إِنَّمَا يُرِيدُ اللَّهُ لِيُعَذِّبَهُمْ بِهَا فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَتَزْهَقَ أَنْفُسُهُمْ وَهُمْ كَافِرُونَ٥٥

"Andaj mos u mahnit me pasurinë dhe fëmijët e tyre (hipokritëve), sepse Allahu dëshiron që nëpërmjet tyre t'i ndëshkojë ata në jetën e kësaj bote dhe t'ua marrë shpirtrat duke qenë mosbesimtarë." [et-Teubeh, 55]

Kështu që, tek Allahu nuk merr në konsideratë paraqitjen e bukur, fjalët e bukura, pasuria e bollshme dhe pozita, por ajo që merret në konsideratë është ajo që gjendet në zemër. Allahu shikon zemrat dhe veprat e mira, edhe nëse ai që e ka zemrën e mirë dhe vepron vepra të mira, nuk posedon pamje që i josh e i mahnit njerëzit, madje ai mund të jetë i përbuzur te njerëzit, ndërsa tek Allahu, Xhel-le ue 'Ala, është i nderuar.

[2] Ky hadith tregon për rëndësinë e përmirësimit të zemrës dhe se nuk merret në konsideratë bukuria e trupit, por ajo që merret në konsideratë është zemra. Zemra, kjo copë mishi është e vogël në krahasim me trupin e njeriut, është ajo që merret vlerësohet tek Allahu, Azze ue Xhel.

Hadithi i en-N u'man ibn Beshir, radijAllahu anhuma, është hadith i gjatë. Teksti i tij sipas transmetimit të Muslimit është: “Vërtet, hallalli është i qartë dhe harami është i qartë, por midis tyre qëndrojnë gjëra të dyshimta të cilat shumë njerëz nuk i njohin. Prandaj, ai që ruhet nga gjërat e dyshimta, e ruan Fenë dhe nderin e tij dhe kush bie te gjërat e dyshimta, ai do të bjerë në haram, ashtu si bariu i cili kullot kopenë e tij pranë një prone të ndaluar, kopeja e tij shumë shpejt do të futet brenda. Vërtet, që çdo mbret ka zonën e tij të ndaluar për të tjerët, me të vërtetë edhe Allahu ka zonën e Tij të ndaluar, e ato janë: gjërat të cilat Ai i ka bërë haram. Vërtet, në trupin e njeriut është një copë mishi. Nëse ajo rregullohet, i gjithë trupi do të rregullohet dhe nëse ajo sëmuret, atëherë sëmuret i gjithë trupi, e ajo është zemra.”

Fjala e tij - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -: "Mudgah", d.m.th. copë mishi. "Nëse ajo përmirësohet", duke u bërë zemër e devotshme, e mirë, me vlera, përkujtuese e Allahut Azze ue Xhel, i frikësohet Atij, i përulet Atij, e do mirësinë dhe njerëzit e mirësisë, e urren sherrin dhe vepruesit e sherrit, atëherë kjo është zemra e pastër. Siç thotë i Lartësuari:

﴿يَوْمَ لَا يَنْفَعُ مَالٌ وَلَا بَنُونَ٨٨ إِلَّا مَنْ أَتَى اللَّهَ بِقَلْبٍ سَلِيمٍ٨٩

"Ditën kur nuk do të bëjë dobi pasuria e as fëmijët. Përveç atij që vjen përpara Allahut me zemër të pastër." [esh-Shu'ara: 88, 89]

Dhe thotë për Ibrahimin - alejhis-selam -:

﴿إِذْ جَاءَ رَبَّهُ بِقَلْبٍ سَلِيمٍ٨٤

"Kur doli përpara Zotit të vet me zemër të pastër." [es-Safat, 84]

Zemër të pastër vetëm për Allahun - Azze ue Xhel, të pastër prej shirkut, mashtrimit, mendjemadhësisë, tradhtisë, dinakërisë dhe gjëra të tjera prej gjynaheve të zemrës. Pra, nëse përmirësohen veprat e gjymtyrëve, atëherë kjo është argument për përmirësimin e zemrës. E nëse përkeqësohen veprat e gjymtyrëve, atëherë kjo është argument për përkeqësimin e zemrës. Sepse zemra është mbreti i gjymtyrëve, e nëse përmirësohet mbreti, përmirësohen ato që janë poshtë tij, dhe e kundërta! Kështu është edhe çështja e zemrës.

Prandaj Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - thoshte: "O Rrotulluesi i zemrave, forcoji zemrat tona në Fenë Tënde."

Ndërsa ata që janë të thelluar në dije thonë:

﴿رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا ٨

"O Zoti ynë, mos i devijo zemrat tona pasi që na udhëzove." [Al 'Imran, 8]

Zemra është baza, është origjina e të mirës dhe të keqes; ajo është burimi i përmirësimit të trupit apo përkeqësimit të tij.

Nëse i pyet disa gabimtarë e të mashtruar duke u thënë: Përse e rruan mjekrën tënde? Pse nuk falesh? Apo i pyet pyetje të tilla që kanë lidhje me obligimet dhe sunetet Sheriatike, ndërsa ai të përgjigjet: Imani është në zemër. Ndoshta ai të argumentohet me fjalën e Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -: "Devotshmëria është këtu." duke bërë me shenjë në gjoksin e tij.” (Muslimi, 2564)

Po, imani është në zemër, por nëse në zemër ka iman, atëherë përmirësohen veprat dhe përmirësohen gjymtyrët duke bërë punë të mira. Ndërsa rruajtja e mjekrës, lënia e namazit e të tjera si këto, janë gjynahe dhe është shthurje që tregojnë se zemra është e prishur. Ndërsa e kundërta, nëse gjymtyrët dhe trupi veprojnë vepra të mira, kjo tregon se zemra është e mirë dhe pikërisht kjo është një ndër kuptimet që i përmban fjala e tij - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -: "Nëse ajo përmirësohet, përmirësohet i gjithë trupi."

 

Përktheu: Servet Mata