Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

Burimi: Sherhu Kitab el-Kebair, fq. 27-33

 

Kapitulli: Vetëmahnitja

 

(Shejkh Muhamed ibn Abdul-Uehhab thotë):

Dhe fjala e Allahut të Lartësuar:

﴿وَالَّذِينَ هُمْ مِنْ عَذَابِ رَبِّهِمْ مُشْفِقُونَ٢٧

“Dhe ata që kanë frikë nga dënimi i Zotit të tyre.” el-Me’arixh, 27 [1]

Është transmetuar nga Ibën Mes’udi se ka thënë: “Shkatërrimi qëndron në dy gjëra: te dëshpërimi dhe vetëmahnitja.” [2]

Transmetohet nga Ebi Bekrah se një person u përmend në prani të Pejgamberit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, dhe atë e lavdëroi një person tjetër. Me këtë rast, Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, tha: “Mjerë për ty, ia theve qafën shokut tënd.” Dhe e përsëriti këtë disa herë me radhë, pastaj tha: “Nëse dikush e ka patjetër ta lavdërojnë dikë, le të thotë: ‘Unë e konsideroj kështu e kështu filanin,’ – nëse mendon se ai vërtet është i tillë, - kurse Ai që do ta marr në llogari atë është Allahu dhe unë nuk lavdëroj asnjë para Allahut.” Transmeton Bukhariu dhe Muslimi. [3]

Transmetohet nga Ahmedi me zinxhir xhejjid (të mirë) nga el-Harith bin Mu’auijeh se i ka thënë Umerit, radijAllahu ‘anhu: “Jjerëzit më kërkojnë t’u rrëfej histori dhe ngjarje.” Umeri i tha: Kam frikë se duke u rrëfyer atyre, do të ndjehesh i privilegjuar se je sipër tyre, pastaj do të vazhdosh t’u rrëfesh atyre kohë pas kohe, saqë kjo ndjenjë e privilegjit do të shtohet te ti, derisa të mendosh se ti je sipër tyre që gëzon një pozitë të çmuar. Kështu, Allahu do të vendosë poshtë këmbëve të tyre Ditën e Kijametit, në varësi të pozitës që ke patur.” [4]

Bejhakiu përcjell nga Enesi, radijAllahu ‘anhu, se i Dërguari i Allahut, sal-Allahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë:

لو لم تذنبوا لخفت عليكم ما هو أشد من ذلك  العجب

“Nëse ju nuk do të bënit mëkate, do të kisha frikë për ju nga ajo që është më e rëndë se mëkatet: vetëmahnitja.” [5]

­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­_______________________________________

Shpjegimi i Shejkh Salih el-Feuzan

[1] Ky ajet flet për cilësitë e besimtarëve të cilët Allahu i ka përmendur në suren el-Me’arixh. Ai ka thënë:

﴿إِنَّ الْإِنْسَانَ خُلِقَ هَلُوعًا١٩ إِذَا مَسَّهُ الشَّرُّ جَزُوعًا٢٠ وَإِذَا مَسَّهُ الْخَيْرُ مَنُوعًا٢١ إِلَّا الْمُصَلِّينَ٢٢ الَّذِينَ هُمْ عَلَى صَلَاتِهِمْ دَائِمُونَ٢٣ وَالَّذِينَ فِي أَمْوَالِهِمْ حَقٌّ مَعْلُومٌ٢٤ لِلسَّائِلِ وَالْمَحْرُومِ٢٥

 “Njeriu është krijuar i paqëndrueshëm. Kur e godet atë e keqja, ai ligështohet, e kur i vjen e mira, ai bëhet koprrac. Përveç atyre që e falin namazin. Të cilët e falin rregullisht namazin e tyre dhe ata të cilët të cilët japin një pjesë të pasurisë së tyre, për lypësin dhe nevojtarin.” El-Me’arixh, 19-25

Ata kanë frikë të madhe nga dënimi i Allahut dhe nuk kanë garanci për vetet e tyre nga Zjarri. Po ashtu, ata nuk mjaftohem vetëm me fjalëm duke thënë se ne jemi Muslimanë dhe kemi bërë vepra të mira dhe këto vepra do na mbrojnë neve nga dënimi i Allahut. Madje, nga cilësitë e tyre është se ata nuk mbështeten në veprat e tyre, por ata kanë frikë nga dënimi i Allahut të Lartësuar. Ata gjithmonë shpresojnë në mëshirën e Allahut dhe gjithmonë kanë frikë nga ndëshkimi i Tij. Pra, i bëjnë bashkë frikën dhe shpresën.

Në ajetin tjetër ka thënë i Lartësuari:

﴿وَالَّذِينَ يُؤْتُونَ مَا آتَوْا وَقُلُوبُهُمْ وَجِلَةٌ أَنَّهُمْ إِلَى رَبِّهِمْ رَاجِعُونَ٦٠

 “Kur ata japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” el-Muminun, 60

Aisheja, radijAllahu anha, e pyeti të Dërguarin, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem: o i Dërguari i Allahut, këta (që u përmendën në ajet) a janë ata që pinë pije alkoolike dhe vjedhin? Ai tha: “Jo! Oj bija e Siddik-ut! Janë ata që agjërojnë, falin namaz dhe japin sadaka, në të njëjtën kohë kanë frikë se mos ndoshta nuk pranohen prej tyre këto vepra. Këta janë ata që bëjnë gara në të mira.” E kanë nxjerrë Tirmidhiu (3175) dhe Ibën Maxheh (4198). Në një transmetim tjetër ka ardhur: “por është ai që fal namaz, agjëron, jep sadaka, ndërsa ka frikë nga Allahu, i Plotfuqishmi dhe i Madhëruari.” E ka nxjerrë Imam Ahmedi (25263).

Pra, ata përkundër përpjekjeve dhe mundit që japin, nuk kanë siguri për vetet e tyre nga ndëshkimi i Allahut. Ka thënë i Lartësuari:

﴿وَالَّذِينَ يُؤْتُونَ مَا آتَوْا وَقُلُوبُهُمْ وَجِلَةٌ أَنَّهُمْ إِلَى رَبِّهِمْ رَاجِعُونَ٦٠

 “Kur ata japin ata që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen të Zoti i tyre.” el-Muminun, 60

Ata kanë frikë nga ky qëndrim para Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Madhëruarit.

[2] Pa dyshim se ndëshkimi ndodh për shumë shkaqe, por këto dy veti janë nga vetitë më të këqija që sjellin shkatërrimin.

Dëshpërimi është: humbja e shpresës në mëshirën e Allahut. Ka njerëz që kur bëjnë vepra të këqija, mendojnë se Allahu i Lartësuar nuk i falë ata pasi që gjynahet e tyre janë të mëdha. Ky lloj i të menduarit është gabim. Sado që të jenë të mëdha mëkatet, njeriu nuk duhet t’i humb shpresat në mëshirën e Allahut të Lartësuar. Gjithashtu, nuk u takon të tjerëve ta gjykojnë atë se Allahu nuk do ta mëshirojë dhe nuk do ta falë atë. Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar, ka thënë:

﴿قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَى أَنْفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِنْ رَحْمَةِ اللَّهِ  إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا  إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ٥٣

 “Thuaj: o ju robërit e mi që i keni bërë keq vetes tuaj, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Nuk ka dyshim se Allahu i fal të gjitha gjynahet.” Ez-Zumer, 53

Njeriu e ka detyrë që të ngutet të pendohet tek Allahu i Lartësuar, të shpresojë në falje dhe të mos e humb shpresën në mëshirën e Tij, të Pastrit nga çdo mangësi.

Gjithashtu, njeriun nuk duhet ta kaplojë vetëpëlqimi dhe mahnitja me veprat e veta, si rrjedhojë e kësaj, të mendojë se ai i ka kryer veprat e mira dhe obligimet që ka, përkundrazi, ai duhet ta konsiderojë veten e tij të mangët dhe të mos ketë garanci për veten e tij nga dënimi i Allahut. Më e mira është që t’i bashkojë këto dy cilësi, e ato janë: dëshira dhe shpresa në mëshirën e Allahut dhe frika nga dënimi i Tij.

Pra, ai e ka detyrë që të qëndrojë midis frikës dhe shpresës. Të mos anoj vetëm nga mëshira, siç është gjendja e Murxhiave të cilët thonë se veprat nuk kanë lidhje me imanin, sepse sipas tyre, mëkati nuk bën dëm kur ke iman.

Gjithashtu njeriu nuk duhet të humb shpresën në mëshirën e Allahut, për shkak të mëkateve të tij, dhe të besojë se ai është i shkatërruar, siç është gjendja e Khauarixhëve, të cilët thonë se ai që bën një mëkat të madh, ka dalë nga Islami.

Andaj, Muslimani e ka detyrë që t’u shmanget këtyre dy rrugëve shkatërrimtare, e ajo është që të ndjekë rrugën që ndoqën Ehli Sunneti dhe Xhemati duke qëndruar midis frikës dhe shpresës. Ehli Sunneti kanë frikë nga mëkatet e tyre, nga ana tjetër shpresojnë në mëshirën e Allahut. Rruga e Ehli Sunnetit dhe Xhematit është rruga e të dërguarve. Ata nuk kanë frikë deri në atë gradë saqë kjo t’ua humb shpresat në mëshirën e Allahut dhe nuk shpresojnë deri në atë gradë saqë të kenë garanci për vetet e tyre nga dënimi i Allahut.

[3] Nga ky hadith del në pah se një nga shkaqet e vetëmahnitjes është: lavdërimi. Kur një person e lavdëron një tjetër në praninë e tij. Personin e lavdëruar kjo e bën që të madhërojë veten e tij dhe të mahnitet me veprën e tij. Andaj, kjo gjë është e urryer. Por, të lavdërosh një person kur ai nuk është i pranishëm, kjo bën pjesë te përmendja e gjërave të mira, në të kundërtën, kur ai është i pranishëm, kjo gjë nuk lejohet, sepse bëhet shkak që personit t’i hyjë vetja në qejf.

Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, e qortoi atë person i cili e lavdëroi një person tjetër, duke i thënë: “Mjerë për ty, ia theve qafën shokut tënd.” Që do të thotë: ti e shkatërrove atë me lavdërimin tënd që po i bën. Ai, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, i urrente sjelljet e këtilla. Për këtë arsye, kur dikush i tha atij: “Ti je sejjid-i (zotëria, madhëria) ynë.” Ai tha: Es-Sejjid është Allahu, i Madhëruari dhe i Lartësuari.” Ata thanë: “Atëherë ti je ai që ke prestigj më të lartë se ne dhe je më fisniku në mesin tonë.” Ai tha: “Thoni atë që keni për të thënë, apo një pjesë të asaj që doni të thoni, dhe të mos ju tërheq shejtani.” E kanë nxjerrë Ahmedi (16316), Ebu Duadi (4806).

Ky është i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, i cili ndaloi që të lavdërohet duke qenë i pranishëm apo të lavdërohet në sy, e si është puna me atë që është poshtë të Dërguarit?

Andaj, njeriu është i dobët, sepse nëse ai lavdërohet në sy, kjo bëhet shkak që atij t’i hyjë vetja në qejf dhe të mahnitet me veten, dhe si rrjedhojë kjo do të ndikojë negativisht në veprat e tij. Për këtë arsye, ka ardhur një hadith:

أَمَرَنَا رَسُولُ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم أَنْ نَحْثِيَ فِي وُجُوهِ الْمَدَّاحِينَ التُّرَابَ ‏.‏

“I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, na ka urdhëruar që të hedhin dhé në fytyrat e atyre që i lavdërojnë të tjerët.” E kanë nxjerrë Muslimi (3002).

Këtë më së shumti e bëjnë munafikët (hipokritët) servilë. Për këtë arsye i Lartësuari ka thënë:

﴿إِذَا جَاءَكَ الْمُنَافِقُونَ قَالُوا نَشْهَدُ إِنَّكَ لَرَسُولُ اللَّهِ

 “Kur vijnë te ti munafikët, thonë: “Ne dëshmojmë se ti je vërtet i Dërguari i Allahut!” el-Munafikun, 1

Pastaj tha:

﴿ وَاللَّهُ يَعْلَمُ إِنَّكَ لَرَسُولُهُ وَاللَّهُ يَشْهَدُ إِنَّ الْمُنَافِقِينَ لَكَاذِبُونَ١

 “E Allahu e di se ti je i Dërguari i Tij, dhe Allahu dëshmon se munafikët janë gënjeshtarë.” El-Munafikun, 1

Pastaj i Lartësuari tha:

﴿اتَّخَذُوا أَيْمَانَهُمْ جُنَّةً فَصَدُّوا عَنْ سَبِيلِ اللَّهِ  إِنَّهُمْ سَاءَ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ٢

 “Ata i përdorin betimet e tyre si maskë, kështu ata i pengojnë (njerëzit) nga Rruga e Allahut. Vërtet, shumë të mbrapshta janë punët që bëjnë ata.” El-Munafikun, 2

Pra, këto janë tiparet e munafikëve dhe servilëve.

Andaj, duhet patur kujdes nga ata dhe të mos tolerohen që të zhyten me këto lavdërime dhe lajka ndaj njerëzve të cilat janë të ndaluara. Kjo është nga njëri aspekt.

Aspekti tjetër është: ku një njeri lavdëron një tjetër, atëherë ky e ka lavdëruar përpara Allahut, kurse Allahu e di gjendjen e tij më mirë se çdokush tjetër. Kush është ai që i di të fshehtat dhe sekretet e njerëzve, përveç Allahut? Kush është ai që e di realitetin e veprave të njerëzve se sa të sinqerta janë, nga këndvështrimi se sa bëhen këto vepra për hir të fytyrës së Allahut apo janë në të kundërtën, përveç Allahut? Apo nëse janë të pranuara tek Allahu apo nuk janë?

Kur ne e lavdërojnë dikë, ne e kemi lavdëruar atë para Allahut dhe e kemi konsideruar atë të pastër para Allahut.

Nëse e kemi të domosdoshme të lavdërojmë dikë, këtë duhet ta bëjmë kur personi nuk është i pranishëm dhe të themi: “Unë mendoj se ai është kështu, kurse Allahu është Ai që do ta marr në llogari.” Sepse vërtet Allahu është Ai që do ta marrë në llogari atë; Ai i di veprat, nijetin dhe synimet e tij. Kjo është edukatë që kemi me Allahun.

Pra, asnjë nuk duhet ta lavdërosh para Allahut, të Madhërishmit dhe të Lartësuarit, kurse Ai thotë:

﴿ فَلَا تُزَكُّوا أَنْفُسَكُمْ ٣٢

“...mos e lavdëroni veten...” en-Nexhm, 32

Si përmbledhje themi: Kuptimi i këtij hadithi është ndalimi i teprimit në lavdërimin e të tjerëve, sepse nuk kemi garanci për ta se nuk do futet tek ata mahnitja dhe pëlqimi i vetes, si dhe besimi se ata e meritojnë atë, gjë që do të shpie në humbjen e veprave të tyre dhe mos veprimin e adhurimeve të ndryshme, duke u mbështetur në atë që i kanë lavdëruar dhe i kanë përshkruar.

[4] Në këtë hadith paralajmërohen këshilluesit dhe thirrësit e fesë, që mos të mahniten me vetet e tyre dhe të mos mahniten me këshillat dhe fjalët që thonë, sepse nëse ata nuk lënë këtë vetëmahnitje, atëherë kjo do t’i bëjë ata që ata shikojnë njerëzit më përbuzje dhe nënçmim.

Ky njeri i tha Umerit, radijAllahu ‘anhu: “...se njerëzit më kërkojnë t’u rrëfej histori dhe ngjarje.” Me këtë fjalë janë për qëllim këshillat dhe udhëzimin e njerëzve. Umeri, radijAllahu ‘anhu, i tha atij: Kam frikë se duke u rrëfyer atyre, do të ndjehesh i privilegjuar se je sipër tyre...” Umeri pati frikë për të që ai të ndërmarrë këtë punë dhe t’i këshillojë ata, si pasojë e kësaj, të lind në tek ai ndjenja e mahnitjes me veten e tij. Kështu, Allahu e vendos atë poshtë këmbëve të tyre Ditën e Kijametit, si shpërblim për të që është ndjerë i privilegjuar se është sipër njerëzve dhe për mendjemadhësinë që ka patur. Për këtë arsye, transmetohet nga Umer ibën Abdul-‘Azizi, Allahu e mëshiroftë, se nëse fliste, mbante fjalime dhe mbante hutbe, dhe i pëlqente fjalët e veta që thoshte, në këtë rast, heshtte dhe e ndërpriste të folurën e tij, nga frika që kishte se mos i hyn vetja në qejf dhe të kaplojë vetëmahnitja.

Andaj, thirrësit dhe ata që u japin udhëzime dhe këshilla fetare njerëzve, duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm në këtë çështje, që të mos i kaplojë ata kjo ndjenjë e mahnitjes me fjalët dhe mënyrën e tyre në të folur, fjalime, hutbe dhe udhëzime; të mos u hyjë vetja në qejf për shkak se njerëzit i dëgjojnë, ua marrin fjalën atyre dhe prezantojnë shumë njerëz tek ata. Përkundrazi, ata duhet vazhdimisht të tregojnë vetëpërmbajtje dhe modesti; të pohojnë se kanë mangësi dhe lëshime; të mendojnë vazhdimisht se fjalët që thonë janë të pakta dhe nuk kanë arritur nivelin e duhur që kërkohet; dhe të mendojnë se gjërat që nuk i dinë janë shumë më tepër se gjërat që i dinë.

Ky hadith përqendrohet te thirrësit, këshilluesit e fesë dhe ata që u mbajnë hutbe njerëzve, e jo te njerëzit e tjerë, sepse këta janë njerëzit që u ekspozohen më shumë lëvdatave, lavdërimi dhe lajkave të tepruara të servilëve. Pra, ky ishte Umeri, radijAllahu ‘anhu, i cili e këshilloi këtë njeri dhe nuk e ndaloi atë që t’u japë këshilla dhe udhëzime atyre, porse e porositi që mos t’i hyjë vetja në qejf me lavdërimet e njerëzve, kështu ta kaplojë atë kjo ndjenjë e vetëmahnitjes, pastaj ta shikojë veten e tij të lartë saqë të mendojë se ai është më lart se yjet duke e madhëruar veten e tij. Pastaj, kjo të bëhet shkak që Allahu ta vendosë atë poshtë këmbëve të njerëzve Ditën e Gjykimit, sepse ka ardhur në hadith:

حشرُ المتَكبِّرونَ يومَ القيامةِ أمثالَ الذَّرِّ في صورِ النّاسِ يعلوهم كلُّ شيءٍ من الصَّغارِ

“Ditën e Gjykimit, mendjemëdhenjtë do të ringjallen në madhësinë e milingonave, por do të kenë pamje të njerëzve që do të shtypen nga çdo gjë për shkak të imtësisë që kanë.” E ka nxjerrë Bejhakiu në “Shu’abul-Iman” (7255).

[5] Një nga urtësitë e Allahut te njeriu, është se e bëri atë që të bëjë mëkat. Pra, kur Muslimani dhe besimtari bën mëkat, këtu qëndron një urtësi, sepse besimtari sa herë që bën mëkate, ai tregohet modest dhe ka frikë nga Allahu.

Pra, nëse mëkatet bëhen shkak për pendim dhe frikë nga Allahu, i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar, te kjo qëndron një dobi për Muslimanin. Ashtu si vepra e mirë dhe adhurimi, nëse bëhen shkak për mendjemadhësi dhe lartësim mbi njerëzit, kjo sjellë dëm për atë person.

Pra, bërja e disa mëkateve është shkak që njeriu të përfitojë disa dobi. Nëse njeriu bën mëkat dhe e përkujton mëkatin që ka bërë, pendohet tek Allahu, i Cili e pranon pendimin nga robërit e Tij. Kurse mëkatari që nuk pendohet, mëkatet janë dëm i madh për të.

Pra, në këtë hadith tregohet se bërja e mëkateve nga disa Muslimanë, kjo u sjell atyre një dobi e cila pasqyrohet me përgjërim, pendim dhe kthim tek Allahu i Lartësuar, edhe pse mëkatet konsiderohen në vetvete dëm dhe e keqe, porse kur Muslimani vetëm i përkujton ato dhe të njëjtën kohë ka frikë nga Allahu për ato që ka bërë, kjo i sjell dobi atij që ka bërë mëkate.

Fjala e tij “Do të kisha frikë për ju nga vetëmahnitja”. Vërtet vetëmahnitja e shkatërron dhe fundos njeriun. Ai që bën mëkate dhe pendohet, është më i mirë se ai që bën vepra të mira dhe e kaplon atë vetëmahnitja. Për këtë arsye, kur Iblisi e madhëroi veten e tij, e kaploi atë mallkimi dhe dëbimi nga mëshira e Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Madhëruarit. Kurse, kur Ademi, alejhi selam, u tregua modest, e pranoi mëkatin që bëri dhe u pendua tek Allahu, Allahu e ngriti atë. Kështu, mëkati i Ademit ishte në dobi të tij, ngaqë ai u tregua modest, u frikësua nga Allahu dhe u pendua tek Ai.

 

Përktheu: Jeton Shasivari