Bismilah...

Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1421 h.)

Burimi: Telkhisu Kitab Ahkamu el-Ud’hijeti ue edh-Dhekat, fq. 19-22

 

Kapitulli i tretë

Kurbani më i mirë sipas llojit ose tipareve dhe kurbani i papëlqyeshëm (mekruh)

Kurbani më i mirë në bazë të llojit është deveja, pastaj vjen lopa nëse nuk merr pjesë askush tjetër në të, pastaj vjen delja, pastaj vjen dhia, pastaj vjen pjesëmarrja e shtatë personave që therin një deve dhe pastaj vjen pjesëmarrja e shtatë personave që therin një lopë.

Kurbani më i mirë në bazë të tipareve, është ai që është më i majmë e që ka më shumë mish;  ai që është më i plotësuar në trup dhe që ka pamje më të bukur.  

Transmetohet në Sahihun e Bukhariut nga Enes bin Malik, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, therte për kurban dy desh me brirë me ngjyrë bardhezi që dominonte tek ata ngjyra e bardh. [1]

Transmetohet nga Ebu Seid el-Khudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, therte dash me brirë që leshin përreth gojës e ka të zi, leshin përreth syve e ka të zi dhe leshin në fund të këmbëve e ka të zi.” E kanë nxjerrë të katërtët (Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, ibën Maxheh). Tirmidhiu thotë se hadithi është “hasen sahih”.

Transmetohet nga Raf’i shërbëtori i Pejgamberit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, se ka thënë: Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, kur donte të therte kurban, blinte dy deshtë të majmë.” Kurse në një transmetim tjetër thuhet: “Dy deshtë të tredhur.” E transmeton Ahmedi. [2]

Dashi i majmë dhe i tredhur është më i plotë se i patredhuri për sa i përket shijes së mishit në shumicën e rasteve, kurse i patredhuri është më i plotë për sa i përket fizionomisë dhe gjymtyrëve.

Ky është kurbani më i mirë për sa i përket llojit dhe tipareve.

Kurbani i papëlqyeshëm (mekruh) është:

1 – El-‘Adba: Kafshës që i është prerë gjysma e veshit a bririt, ose më shumë se gjysma.

2 – El-Mukabeleh: Kafshës që i është çarë veshi për së gjëri nga përpara.

3 – El-Mudaberah: Kafshës që i është çarë veshi për së gjëri nga mbrapa.

4 – Esh-Sharka: Kafshës që i është çarë veshi për së gjati.

5 – El-Kharka: Kafshës që i është copëtuar veshi dhe i është shpërfytyruar.

6 – El-Musfarah: Kafshës që i është prerë veshi saqë i duket kanali i brendshëm i veshit. Thuhet se është për qëllim kafsha që është e dobët, e cila nuk ka arritur deri në atë gradë që të humbasë trurin.

7 – El-Mustesaleh: Kafsha që ka humbur krejt bririn.

8 – El-Bakh’ka: Kafshës që i është verbuar syri; ka humbur shikimin por syri i ka mbetur ashtu siç është.

9 – El-Mushejje’ah: Kafsha që nuk e ndjek dot kopenë për shkak të dobësisë, ajo e ndjek kopenë vetëm nëse e ndjekë dikush nga pas.

Këto janë kafshët që janë të papëlqyeshme për t’u bërë kurban, për të cilat kanë ardhur hadithe për ndalesën e tyre për shkak të mangësive të tyre apo për shkak të urdhërimit për t’iu shmangur këtyre. Arsyeja se përse konsiderohen këto të papëlqyeshme është për të bërë bashkim dhe harmonizim midis haditheve tjera dhe midis hadithit të mëparshëm të el-Bera bin Azib-it, Allahu qoftë i kënaqur me të, në kushtin e tretë të kurbanit.

Këtyre kafshëve që janë të papëlqyeshme për kurban, u bashkohen edhe këto kafshë që kanë këto cilësi:

1 – Ato kafshë, siç janë deveja, lopa dhe dhia, që e kanë të prerë gjysmën e veshit apo më shumë.

2 – Deles që i është prerë bishti me dhjamë më pak se gjysma. Nëse i është prerë më shumë se gjysma, shumica e dijetarëve kanë thënë se nuk vlen për kurban. Kurse ajo që nuk e ka fare bishtin që nga lindja, nuk ka problem që të theret për kurban.

3 – Kafshës që i është prerë organi gjenital.

4 – Kafshës që i kanë rënë disa dhëmbë, edhe nëse janë dy dhëmbët e përparmë apo atë që janë menjëherë anash tyre, por nëse nuk i ka këto dhëmbë që nga lindja, nuk është e papëlqyeshme diçka e tillë.

5 – Kafshës që janë prerë një pjesë e thithave të gjinjve, e nëse ka lindur kafsha pa to, kjo nuk është e papëlqyeshme. E nëse kafshës i ndalet qumështi, por thithat i ka, nuk ka problem për t’u therur për kurban.

Nëse i bashkojmë këto pesë gjëra të papëlqyeshme për kafshët me ato nëntë tjerat e mëparshme, bëhen krejt katërmbëdhjetë që nuk preferohet të bëhen kurban.

 

_______________________________

[1] Transmeton Bukhariu “Libri i Kurbaneve, kapitulli: tekbiri para therjes” nr. (55), Muslimi “Libri i Kurbaneve, kapitulli: parapëlqimi i kurbanit dhe therja e tij menjëherë,” nr. (1966).

[2] Transmeton Ahmedi (6/220), Ibën Maxheh Libri i Kurbaneve, kapitulli: Kurbanet e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem,” nr. (3122).

 

Përktheu: Jeton Shasivari