Bismilah...

Autor: Abdul-Aziz bin Baz (1420 h.)

Burimi: Mexhmu'u Fetaua ue Mekalat Muteneu'uiah, vëll. 15, fq. 314-315

 

 

Pyetja: Në lidhje me atë që përmende ti, se ka ndodhur një paralojë midis teje dhe gruas tënde gjatë ditës në Ramazan, gjë që ka çuar që të shtrihesh me të, e ke përqafuar dhe e ke puthur, dhe si rrjedhojë e kësaj të ka rrjedhur lëng paraspermal (medhij) vetëm se s’ka ndodhur penetrimi dhe se kjo ka ndodhur gjashtë apo shtatë ditë. Pyetja jote është për saktësinë e agjërimit tënd? [1]

Përgjigja: Dijetarët kanë mospajtime në mes tyre për këtë mesele. Disa prej tyre mendojnë se agjërimi prishet me daljen e lëngut paraspermal dhe disa prej tyre mendojnë se agjërimi është i saktë. Kurse e sakta – in sha Allah – është se agjërimi është i saktë dhe ju të dy nuk duhet t’i kompensoni këto ditë. Por besimtari duhet që t’u shmanget veprave të cilat nxisin daljen e lëngut paraspermal, siç përqafimi, puthja dhe gjëra të ngjashme. Kanë ardhur transmetime të sakta se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i puthte (gratë e tij) duke qenë me agjërim, i përkëdhelte ato duke qenë me agjërim. ‘Aisheja – radijAllahu anha – ka thënë:

وَلَكِنَّهُ كَانَ أَمْلَكَكُمْ لإِرْبِهِ

“...por ai e kontrollonte epshin e tij më shumë se ju.”

Transmetohet nga ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – se e pyetën atë dy persona për puthjen e agjëruesit. Njërit prej atyre dyve ia ndaloi, e tjetrit ia lejoi. Transmetuesi thotë: “Ne pamë se atij që ia lejoi, ishte i moshuar, kurse atij që ia ndaloi, ishte i ri.”  Dijetarët, nga ky rast, kanë ardhur në përfundim se puthja dhe përkëdhelja janë të urryera për të rinjtë dhe të cilët kanë epsh dhe kihet frikë se mund të bien në haram (në marrëdhënie intime gjatë ditës në Ramazan), ndërsa për atë që nuk kihet frikë kjo gjë, nuk është e urryer për të.

Allahu është Dhënësi i suksesit.

_____________________

[1] Kjo është një pyetje personale që i është parashtruar Shejkh ibën Bazit dhe përgjigja është kthyer nga zyra e Shkëlqesisë së Tij kur ishte zëvendësdekan në Universitetin Islamik të Medines, më 20 Dhul-Kadeh 1388 h.

 

Përktheu Jeton Shasivari