Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1421 h.)
Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Resail, vëll. 18, fq. 277-278
Pyetje: Njëri pyet dhe thotë: “Shumë të varfër në këtë kohë, preferojnë ta marrin Zekatul-Fitrin në të holla në vend të ushqimit, ngase thonë se është më e dobishme për ta. A lejohet dhënia e Zekatul-Fitrit në të holla?”
Përgjigje: Ajo që mendojmë ne është se nuk lejohet në asnjë rast që të jepet Zekatul-Fitri në të holla, porse ai jepet ushqim. I varfëri nëse do, mund ta shesë ushqimin dhe të përfitoj nga vlera e tij. Ai që e jep Zekatul-Fitrin, duhet patjetër ta japë atë ushqim. Nuk ka dallim midis llojeve të ushqimeve që ishin në kohën e të Dërguarit, ‘alejhi salatu ue selam, dhe ushqimit që ekziston në kohën tonë.
Pra, orizi në kohën tonë mund të jetë më i dobishëm se gruri, ngase për orizin nuk kërkohet ndonjë përkujdesje dhe mund për ta bluar e gatuar, e gjëra të tjera. Ajo që kihet për qëllim me Zekatul Fitrin është t’u ndihmosh të varfërve me ushqim Është vërtetuar në Sahihun e Buhariut nga Hadithi i Ebu Se’idit, radijAllahu ‘anhu, se ka thënë:
كنا نخرجها على عهد رسول الله صلى الله عليه وسلم صاعاً من طعام، وكان طعامنا يومئذ التمر، والشعير، والزبيب، والأقط
“Në kohën e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – nxirrnim një sa’a ushqim. Në atë kohë, ushqimet tona ishin: hurmat, elbi, rrushi i thatë dhe djathi.” [Buhariu, nr. 1506/Muslimi nr. 985]
Pra, kur njeriu nxjerr ushqim, atëherë duhet ta zgjedh atë që është më i dobishëm për fukarenjtë. E kjo dallon nga një kohë në tjetrën. Kurse nxjerrja e Zekatul-Fitrit në të holla, ose shtroje ose mjete, këto nuk vlejnë dhe ai nuk e ka hequr përgjegjësinë e tij, për shkak të fjalës së Pejgamberit – sal-lAlhhau ‘alejhi ue sel-lem:
مَنْ عَمِلَ عَمَلًا لَيْسَ عَلَيْهِ أَمْرُنَا فَهُوَ رَدٌّ
“Ai që bën një vepër e cila nuk është në fenë tonë, ajo është e refuzuar”
[Muslimi nr. 1817]
Përktheu: Jeton Shasivari