Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz

Burimi: http://www.binbaz.org.sa/mat/13761

Pyetje: Kur fillon agjërimi i muajit Muharram apo agjërimi i ditës së Ashures? A fillon në fillim të Muharramit apo në mesin e tij apo në fundin e tij? Dhe sa ditë agjërohen në të, sepse unë kam dëgjuar që agjërimi i Ashures fillon që nga dita e parë e Muharramit dhe deri në ditën e dhjetë të Muharramit? Allahu u dhëntë sukses!

Përgjigje: Thotë Pejgamberi - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -:

أفضل الصيام بعد رمضان شهر الله المحرم

“Agjërimi më i mirë mbas Ramadanit është muaji i Allahut: Muharremi.”

Dhe kjo është Ashureja. Kuptimi i tij është se ai agjërohet i tëri, që nga fillimi e deri në fund, që nga dita e parë e deri në ditën e tij të fundit. Ky është kuptimi i hadithit. Mirëpo veçohet në të dita e nëntë dhe e dhjetë ose dita e dhjetë me ditën e njëmbëdhjetë, për atë që nuk e agjëron të gjithë muajin, sepse Pejgamberi - sal-Allahu 'alejhi ue sel-lem - e agjëronte ditën e Ashures në Xhahilijet (përpara Islamit) dhe Kurejshët po ashtu e agjëronin. Dhe kur ai - ‘alejhis-salatu ues-selam - erdhi në Medine, i gjeti Çifutët duke e agjëruar atë ditë. Ai i pyeti për këtë dhe ata i thanë: “Kjo është dita kur Allahu shpëtoi Musën me popullin e tij dhe shkatërroi Faraonin me popullin e tij, prandaj ai e agjëroi atë për të falenderuar Allahun dhe ne e agjërojmë atë.” Atëherë tha Pejgamberi - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -:

نحن أحق وأولى بموسى منكم

“Ne jemi më meritorë për (të pasuar) Musën sesa ju.”

Kështu, ai e agjëroi atë ditë dhe urdhëroi që të agjërohet. Pra, Suneti është që të agjërohet kjo ditë, dita e Ashures, dhe Suneti është që të agjërohet një ditë përpara saj ose një ditë mbas saj, në sajë të transmetimit që ka ardhur nga ai - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem - se ai ka thënë:

صوموا يوماً قبله ويوماً بعده

“Agjëroni një ditë përpara saj ose një ditë mbas saj.”

Kurse në një hadith tjetër ka thënë:

لئن عشت إلى قابل لأصومن التاسع يعني مع العاشر

“Nëse do të jetoj deri vitin e ardhshëm, do të agjëroj patjetër ditën e nëntë me ditën e dhjetë.”

Dhe kjo është më e mira, që të agjërohet dita e dhjetë, sepse ajo është ditë madhështore dhe pati mirësi madhështore për Musën dhe Muslimanët, dhe se atë e agjëroi Pejgamberi jonë, Muhamedi - ‘alejhis-salatu ues-selam -, prandaj e agjërojmë edhe ne duke pasuar Pejgamberin tonë - ‘alejhis-salatu ues-selam - dhe duke punuar me atë që e bëri të ligjshme ai - ‘alejhis-salatu ues-selam -. Ne agjërojmë me ditën e Ashures një ditë para saj ose një ditë mbas saj për të qenë ndryshe nga Çifutët. Dhe më e mira është që të agjërohet dita e nëntë me ditën e dhjetë, në sajë të hadithit:

لئن عشت إلى قابل لأصومن التاسع

“Nëse do të jetoj deri vitin e ardhshëm, do të agjëroj patjetër ditën e nëntë…”

Edhe nëse agjërohet dita e dhjetë me ditën e njëmbëdhjetë i agjëron të treja, në të gjitha rastet është mirë, domethënë të agjërosh ditën e nëntë, ditën e dhjetë dhe ditën e njëmbëdhjetë. Për të gjitha është mirë dhe është kundërshtim ndaj Çifutëve. E nëse e agjëron të gjithë muajin, kjo është akoma më e mirë për të.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj