Bismilah...

Autor: Ibën Kajjim el-Xheuzijjeh (691-751 h)

Burimi: Zadul-Me’ad fi Hedji Khajril-‘Ibad, vëll. 4, fq. 209, Muessesetu Risaleh, botimi i katërt, 1425 H.

 

 

[Sqarim i mospajtimeve rreth lejimit të pirjes së ujit në këmbë]

Nga udhëzimi i tij (i Pejgamberit – ‘alejhi salatu ue selam) ishte pirja e ujit ulur. Ky ishte udhëzimi i tij i zakonshëm. Është vërtetuar me transmetim të saktë nga ai (‘alejhi salatu ue selam) se e ndaloi pirjen në këmbë. Po ashtu, është vërtetuar me transmetim të saktë nga ai (alejhi salatu ue selam), se e urdhëroi atë që piu ujë në këmbë, t’i sjellë ujë për të pirë. Gjithashtu, është vërtetuar me transmetim të saktë nga ai, se piu ujë duke qëndruar në këmbë.

 

[1] Një grup dijetarësh kanë thënë: kjo e shfuqizon ndalesën (e pirjes së ujit në këmbë).

 

[2] Një grup tjetër dijetarësh thanë: përkundrazi, ai ka sqaruar se kjo ndalesë nuk është ndalesë e prerë (haram) porse është për udhëzim, ndërsa më parësore është braktisja e pirjes së ujit në këmbë.  

 

[3] Një grup tjetër dijetarësh thanë: në origjinë, nuk ka kundërshtim midis këtyre dy mendimeve. Ngaqë ai (‘alejhi salatu ue selam) piu ujë në këmbë ngase kishte nevojë. Ai shkoi te burimi i zemzemit dhe njerëzit nxirrnin ujë prej tij. Ai kërkoi ujë dhe ata i dhanë kovën, kurse ai piu duke qëndruar në këmbë. Kjo ndodhi në rast nevoje.

 

[Efektet negative të pirjes në këmbë]

Pirja e ujit në këmbë ka efekte negative. Disa prej tyre janë:

 

1. Nuk arrihet ngopja e plotë.

2. Uji nuk ndalet në stomak në mënyrë që mëlçia ta ndajë atë nëpër gjymtyrë.

3. Zbret në stomak me shpejtësi dhe forcë, andaj kihet frikë se mund ta ftohë nxehtësinë  e stomakut dhe ta trazojë atë.

4. Kalon me shpejtësi në fund të trupit në mënyrë jo-graduale.

 

Të gjithë këto gjëra e dëmtojnë pirësin, por nëse e bën atë rrallëherë ose për nevojë, nuk e dëmton atë.

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari