Autor: Abdur-Rahman bin Nasir es-S’adij
Burimi: Behxhetu Kulubi el-Ebrar, fq. 225
Transmetohet nga Ebu Seid el-Khudrij – radijAllahu anhu – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
"إِنَّ الدُّنْيَا حُلْوَةٌ خَضِرَةٌ وَإِنَّ اللَّهَ مُسْتَخْلِفُكُمْ فِيهَا فَيَنْظُرُ كَيْفَ تَعْمَلُونَ فَاتَّقُوا الدُّنْيَا وَاتَّقُوا النِّسَاءَ فَإِنَّ أَوَّلَ فِتْنَةِ بَنِي إِسْرَائِيلَ كَانَتْ فِي النِّسَاءِ"
“Dunjaja është e ëmbël, e gjelbër; Allahu u ka bërë juve gjenerata që e trashëgoni njëri-tjetrin në të, që të vështrojë se çfarë do të punoni. Ruhuni nga dunjaja dhe ruhuni nga gratë, sepse fitneja e parë e Beni Israilëve ishte te gratë.” Muslimi (2742)
Shpjegimi
I Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në këtë hadith tregoi gjendjen e dunjasë, e cila i magjeps ata që e vështrojnë dhe e shijojnë atë. Pastaj, tregoi se Allahu e ka bërë atë sprovë dhe provim për robërit dhe më pas ka urdhëruar që të bëhen shkaqet për ta shmangur rënien në fitnen e dunjasë.
Pra, kur ai tregon se, ajo është e ëmbël dhe e gjelbër, kjo i përmbledh të gjitha tiparet që ka dunjaja. Pra, ajo është e ëmbël me shijen, kënaqësitë dhe epshet e saj, si dhe është e gjelbër me bukuritë dhe pamjen e saj të jashtme. Siç ka thënë Allahu në Kuran:
﴿زُيِّنَ لِلنَّاسِ حُبُّ الشَّهَوَاتِ مِنَ النِّسَاءِ وَالْبَنِينَ﴾
“Njerëzve u është zbukuruar lakmia ndaj grave dhe fëmijëve...” Al-Imran, 14
I Lartësuari ka thënë
﴿إِنَّا جَعَلْنَا مَا عَلَى الْأَرْضِ زِينَةً لَّهَا لِنَبْلُوَهُمْ أَيُّهُمْ أَحْسَنُ عَمَلًا﴾
“Atë që është mbi tokë, vërtetë Ne e kemi bërë stoli dhe zbukurim për të, me qëllim që t’ju sprovojmë se kush do të bëjë vepra më të mira.” El-Kehf, 7
Këto janë kënaqësitë e shumëllojshme dhe pamjet e mahnitëse të dunjasë që Allahu i ka bërë sprovë dhe provim; njerëzit i ka bërë që ta trashëgojnë njëri-tjetrin brez pas brezi më qëllim që të shikojë se çfarë do të punojnë ata.
Ai që ha atë që është hallall në dunja, e shpenzon aty ku është e drejtë dhe i përdor të mirat e dunjasë si ndihmë për hir të asaj që janë krijuar, e që është adhurimi i Allahut (duke falënderuar për këto të mira), ajo do të jetë furnizim për të dhe mjet udhëtimi që e çon atë drejtë një shtëpie më fisnike dhe më të qëndrueshme se kjo dunja. Kështu ai ka fituar lumturinë e dunjasë dhe ahiretit.
Nga ana tjetër, ai që e bën dunjanë brengë më të madhe dhe e bën pikësynim i diturisë dhe qëllimeve të tij, nuk do t’i jepet prej dunjasë aq sa është shkruar për të (me Kader) dhe pas kësaj, përfundimi i tij do të jetë dëshpërimi. Ai do t’i shijojë kënaqësitë dhe të mirat e dunjasë një kohë të shkurtër, kështu kënaqësia e tij është e shkurtër kurse dëshpërimi i tij është i gjatë.
Në të gjitha llojet e kënaqësive të dunjasë gjendet kjo fitne dhe kjo sprovë, porse fitneja më e rëndë dhe më e vështirë janë: gratë. Fitneja e tyre është e madhe dhe të biesh në këtë fitne është shumë e rrezikshme dhe dëmet janë të mëdha. Gratë janë mjet me të cilat gjuan shejtani dhe janë rrjetet e tij. Sa e sa njerëz shejtani i ka gjuajtur përmes grave, të cilët ishin larg kësaj fineje dhe kështu ata shndërrohen në robër të epshit dhe përgjegjës për mëkatin që kanë bërë, gjë që është bërë e vështirë për ta që të shqiten prej këtij mëkat?! Kurse vetë njeriu është fajtor për mëkatin e tij.
Ai që largohet nga kjo fatkeqësi dhe sprovë, nuk futet aty ku mund të akuzohet, as nuk u ekspozohet këtyre fatkeqësive dhe kërkon ndihmë që ta ruajë Mbrojtësi (Allahu), do të kishte shpëtuar nga kjo fitne dhe do ta kishte hequr qafe këtë sprovë.
Për këtë arsye, Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka paralajmëruar në veçanti nga kjo sprovë e grave dhe ka treguar se ajo gjë që i gjeti popujt që ishin para nesh, është mësim për ata që duan të marrin mësim dhe këshillë për të devotshmit.
Përktheu: Jeton Shasivari