Autor: Shejkh Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij
Burimi: http://www.rabee.net/ar/
Vlerat e Teuhidit:
Transmetohet nga ‘Ubade bin Samit – radij-Allahu ‘anhu – i cili ka thënë se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
“Kushdo që dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të vetëm e i pashokë; dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij; dhe se ‘Isa është rob dhe i Dërguari i Tij dhe Fjala e Tij që u vendos tek Merjemja; dhe një shpirt (i krijuar) nga Ai; dhe se Xheneti është i vërtetë dhe Zjarri (Xhehenemi) është i vërtetë, Allahu do ta pranojë atë në Xhenet sipas veprave të tij.” [1]
Transmetuesi i Hadithit:
‘Ubade bin Samit el-Ensari ishte një prej Sahabëve që morën pjesë në besëlidhjen e ‘Akabes (në të parën dhe të dytën) me të Dërguarin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe gjithashtu mori pjesë në betejat e tjera që u zhvilluan më pas me të Dërguarin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –. Ai ishte një dijetar i Kur'anit në Medine dhe pastaj në Sham. Vdiq në Jeruzalem në vitin 32 Hixhri – Allahu qoftë i kënaqur me të –.
Kuptimi i Hadithit:
Ky hadith përmban pesë çështje. Kushdo që i beson ato dhe vepron duke qenë në përputhje me to si nga ana e jashtme (me fjalë dhe vepra) ashtu edhe nga e brendshme (me zemër), ka për të hyrë në Xhenet.
E para: “Kushdo që dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të vetëm e i pashokë.” – që do të thotë se robi e beson Allahun me të vërtetë dhe me bindje dhe e pranon Teuhidin e Allahut të Lartësuar si dhe heq dorë plotësisht nga adhurimi i të tjerëve në vend të Tij. Ai vepron duke qenë në përputhje me atë që tregon dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke qëndruar larg ndalesave që ka vendosur Allahu në fjalë dhe vepra.
E dyta: Dëshmia që “Muhamedi është i Dërguari i Allahut” do të thotë që robi dëshmon duke qenë i patundur dhe pa pasur kurrfarë dyshimi se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Allahu e dërgoi atë për të dyja krijesat që e kanë për detyrë zbatimin e Islamit, xhinët dhe njerëzit, me një mesazh gjithëpërfshirës dhe të përsosur. Kjo dëshmi përfshin besimin se ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – është vula e të gjithë Pejgamberëve, se atij i përket mesazhi i fundit i zbritur nga Allahu dhe se ai është një rob nga robërit e Allahut, i Cili e nderoi atë me përcjelljen e mesazhit të Tij në të gjithë botën. Kështu që, robi duhet të dëshmojë të vërtetën e çdo gjëje për të cilën na ka njoftuar ai, t’i bindemi atij në çdo gjë që ai na urdhëron dhe të qëndrojmë larg çdo gjëje që ai e ka ndaluar.
E treta: Besimi se “‘Isa është një rob dhe i Dërguari i Tij.” Ai është besimi që ‘Isa nuk është fëmijë që erdhi nga zinaja (marrëdhëniet seksuale jashtë kurorës) sikurse pretendojnë Çifutët dhe ai nuk është Allahu apo biri i Allahut apo shpirti i shenjtë, sikurse pretendojnë Krishterët. Por ai është një rob nga robërit e Allahut, i Cili e dërgoi atë tek Beni Israilët (Çifutët) për t’i thirrur ata që ta adhuronin Allahun të vetëm. Dhe vërtet Allahu e krijoi ‘Isain me Fjalën “Bëhu” në formën e krijesave dhe ai është një shpirt nga shpirtrat që ka krijuar Allahu.
إِنَّ مَثَلَ عِيسَىٰ عِندَ اللَّـهِ كَمَثَلِ آدَمَ ۖ خَلَقَهُ مِن تُرَابٍ ثُمَّ قَالَ لَهُ كُن فَيَكُونُ ﴿٥٩﴾
“Vërtet që shembulli i ‘Isait tek Allahu është si shembulli i Ademit: Ai e krijoi atë prej dheut, pastaj Ai i tha atij: “Bëhu!” dhe ai u bë.” [Ali-Imran, 59]
E katërta: “Xheneti është i vërtetë.” Do të thotë të besosh se Xheneti të cilin Allahu e ka krijuar për robërit e Tij të bindur është një fakt i kryer, ai ekziston dhe është një realitet për të cilin nuk ka kurrfarë dyshimi. Ai është vendbanimi i fundit për besimtarët dhe ata që ndjekin të Dërguarin e Tij.
E pesta: “Zjarri (Xhehenemi) është i vërtetë.” Është besimi që Zjarri të cilin Allahu ua ka premtuar mosbesimtarëve dhe hipokritëve është një realitet i vërtetuar për të cilin nuk ka kurrfarë dyshimi. Allahu e ka përgatitur atë për këdo që e mohon, e refuzon apo nuk i bindet Atij.
Kushdo që i beson këto pesë çështje, i pohon ato dhe vepron në përputhje me kërkesat e tyre, atëherë Allahu do ta pranojë atë në Xhenet edhe nëse ai gabon dhe ka gjynahe, pasi kjo është për shkak të Teuhidit dhe sinqeritetit që ka ai në adhurimin e Allahut të vetëm.
Dobitë që nxjerrim nga Hadithi:
Hadithi tregon për vlerën absolute që ka Teuhidi i Allahut dhe se ky Teuhid është shkak për larjen e gjynaheve.
Mirësia dhe Mëshira e bollshme e Allahut për robërit e Tij.
Thënia e Tij për Muhamedin “rob dhe i Dërguari i Tij” përmban të gjitha të drejtat që meritojnë Pejgamberët, në veçanti Muhamedi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, pa e tepruar dhe pa i nënvlerësuar ato.
Gjynahqarët nga mesi i njerëzve që janë të nënshtruar me Teuhid (mu`uahidinët) nuk do të qëndrojnë përgjithmonë në Zjarr.
Hadithi tregon për obligueshmërinë e besimit në Xhenet dhe Xhehenem.
Fundnota:
[1] Hadithi është transmetuar nga Bukhari (Kitabul-Enbija, n. 3435), Muslimi (Kitabul-Iman, n. 46 dhe 47) dhe Ahmedi (Vëllimi 5, fq. 314).
Përktheu: Alban Malaj