Autor: Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (1420 h.)

Burimi: Mexhmu’u Fetaua, 26/327

Pyetje: Çfarë mendimi ka shkëlqesia juaj për hadithin “Po të mos ishte Muhamedi, nuk do të kisha krijuar ty.” Ky hadith gjendet në librin “el-Bidajeh ue en-Nihaje” 2/348. E ka transmetuar el-Hakimi në “el-Mustedrak” nga hadithi i Abdur-Rahman bin Zejd bin Eslem, nga babai i tij, nga gjyshi i tij, nga Ibën Umer ibën el-Khattabi, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Pasi Ademi e pranoi gjynahun e tij, tha: ‘O Zot, po të lutem Ty për hir të Muhamedit që të më falësh mua.’ Allahu i tha: ‘O Adem! Prej nga dëgjove për Muhamedin kur Unë akoma nuk e kam krijuar atë?’ Ademi tha: ‘O Zot, kur Ti më krijove me Dorën Tënde dhe fryve tek unë shpirtin që e krijove, e ngrita kokën dhe pashë te këmbët e Arshit që shkruante ‘la ilaahe il-la Allah, Muhammed Resulullah.’ Kështu mësova se nuk e ke vënë përkrah emrin Tënd vetëm se krijesën që është më e dashur për Ty!’ Allahu i tha: “Të vërtetën e the! O Adem, vërtet ai është krijesa më e dashur për Mua. Ti m’u lute Mua për hir të tij dhe Unë po të fal ty. Sikur të mos ishte Muhamedi, nuk do të kisha krijuar ty.” Bejhakiu ka thënë: Këtë hadith e ka transmetuar vetëm Abdur-Rahman bin Zejd bin Eslem, i cili është shpallur i dobët (daif). Allahu e di më së miri.

Përgjigje:

Ky hadith është i shpikur (meuduë), siç e ka sqaruar këtë Shejkhul-Islam ibën Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, sepse Allahu, i Pastri nga çdo mangësi, i ka krijuar xhinët dhe njerëzit që ta adhurojnë vetëm Atë, i Cili nuk ka ortak dhe pjesë e bashkësisë së njerëzve është edhe Ademi, alejhi salatu ue selam.

Suksesi vjen prej Allahut.

_________________

Shënim i përkthyesit:

Bejhakiu ka thënë: “Ky është i dobët (daif).” Delailu Nubueh, 5/489

Dhehebiu ka thënë: “Ky hadith është baatil (i pavërtetë).” Mizanul-Itidaal, 2/449

Muhamed ibën Abdul-Hadij ka thënë: “Zinxhiri i këtij hadithi është shumë i dobët (daif xhinden).” es-Sarimu el-Munkij, fq. 60

Shejkh Albani ka thënë: “Ky hadith është i shpikur (meuduë).” Es-Silsiletu ed-Daifeh, nr. 25.

 

Përktheu: Jeton Shasivari