Bismilah...

 

Autor: Shejkh Salih el-Feuzan

Burimi: el-Exhuibetul-Mufijde ‘an Esiletil-Menahixhil-Xhedijde, pyetja n. 67

Pyetje: Çfarë gjykimi ka ai person i cili e do një dijetar apo një dauist dhe thotë: “Unë e dua atë (dijetarin) tej mase dhe nuk dua të dëgjoj asnjë njeri që ta refuzojë atë; dhe do ta marr fjalën e tij edhe sikur ajo të jetë në kundërshtim me argumentin ngase shejkhu ka më shumë dije për argumentin sesa ne?”

Përgjigje: Kjo është hizbije e urryer dhe e dënueshme dhe është e ndaluar. Ne i duam dijetarët – uelhamdulilah – dhe ne i duam dauistët (thirrësat) për hir të Allahut Azze ue Xhel. Sidoqoftë, nëse ndonjëri prej tyre gabon në ndonjë çështje, ne e bëjmë të qartë të vërtetën me argumente dhe kjo nuk e ul dashurinë që kemi për atë që u refuzua dhe as nuk ia ul pozitën atij. Imam Malik, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk ka njeri mes nesh që të mos refuzojë ose të refuzohet, përveç njeriut të këtij varri.” Domethënë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

Nëse i refuzojmë disa nga njerëzit e dijes apo njerëzit që kanë vlera, kjo nuk do të thotë se ne e urrejmë apo e shajmë atë. Ne vetëm sa sqarojmë atë që është e saktë dhe për këtë arsye disa dijetarët thonë kur disa nga kolegët e tyre bëjnë ndonjë gabim: “Filani është i dashur tek ne, megjithatë haku është më i dashur tek ne.” Dhe kjo është rruga e saktë.

Mos mendoni se të refuzosh disa nga dijetarët për një çështje ku ata kanë gabuar do të thotë t’i ulësh ata apo t’i urresh ata. Përkundrazi, dijetarët nuk kanë rreshtur së refuzuari njëri-tjetrin ndërkohë që janë vëllezër dhe kanë dashuri të ndërsjelltë. Nuk na lejohet që ta marrim pa pyetur çdo gjë që thotë një person, qoftë kur ai është i saktë apo kur e ka gabim, sepse kjo është hizbije.

Atij që i merren fjalët në mënyrë absolute dhe nuk i lihet asgjë është i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) për shkak se ai ëdhtë i Dërguar nga Zoti i tij dhe nuk flet nga epshet e tij. Kurse për sa i përket të tjerëve (përveç pejgamberëve), atëherë, ka raste kur ata gabojnë dhe ka raste kur janë të saktë, edhe pse ata mund të jenë nga njerëzit më të mirë. Ata janë Muxhtehidunë (njerëz që përpiqen të arrijnë atë që është më e sakta) që herë gabojnë dhe herë janë të saktë me të tjerët. Askush nuk është i pagabueshëm përveç të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Prandaj është Uaxhib që ta dimë këtë dhe të mos rrimë të heshtur para gabimit për shkak të dashurisë që kemi për një person. Por, është detyrë për ne që ta bëjmë të qartë gabimin. Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Feja është këshillë e sinqertë.” Ne thamë: “Për kë?” Ai tha: “Për Allahun, Librin e Tij, të Dërguarit e Tij, prijësat e Muslimanëve dhe njerëzve në përgjithësi.

Kështu që, sqarimi i një gabimi është këshillë për të gjithë, kurse ta fshehësh atë, atëherë kjo bie në kundërshtim me këshillën.”

 

Përktheu: Alban Malaj