Bismilah...

 

Autor: Shejkh Muhamed ‘Umer Bazmul

Pyetje: Çfarë këshille keni ju për Muslimanët e zakonshëm në Perëndim të cilët dëgjojnë për dijetarët që kritikojnë disa njerëz që bëjnë davet, por ata nuk e pranojnë këtë kritikë dhe thonë: “Ne i njohim këta davetçinj, por këta Dijetarë nuk i kemi takuar asnjëherë. Andaj si mund t’i lëmë ne ata që i kemi njohur për vite me rradhë për shkak të deklaratave të atyre që ne nuk i kemi takuar ndonjëherë?”

Përgjigje: Rregulli për këto lloj çështjesh është se lajmi i një personi të besueshëm duhet të pranohet. Kështu, nëse neve na mbërrin deklarata e njërit prej dijetarëve të Selefit ku bëhet e qartë gjendja e një personi se ai ka patur disa probleme, atëherë është detyrë për atë që e dëgjon një deklaratë të tillë që ta marrë e ta pranojë lajmin e atij personit të besueshëm. Kjo është kështu për sa kohë që nuk vjen diçka kontradiktore apo që hedh poshtë kritikën apo që tregon se kritika ishte e pavend.

Për shembull, nëse kritika që ka bërë një dijetar mbi dikë mbërrin tek ne, atëherë është detyrë për ne që ta pranojmë deklaratën e kriticizmit që ka bërë ai dijetar për atë person dhe duhet të mbështetemi në të. Dhe nëse gjen një dijetar tjetër që e lavdëron atë person, atëherë rregulli është që kritika merr përparësi mbi lavdërimin, për sa kohë që ai i cili ka lavdëruar atë person nuk ka ardhur me një shpjegim të qartë lidhur me kriticizmin e atij dijetarit tjetër, duke e hedhur poshtë dhe duke e anuluar atë qartazi. Në këtë rast, ne shkojmë kah deklarata e dijetarit që lavdëroi atë person.

Në çdo rast tjetër, rregulli është se ne duhet të pranojmë dhe të mbështetemi në deklaratat e një dijetari të besueshëm, veçanërisht kur kritika e tij është e detajuar, ku shpjegohet arsyeja e kritikës bashkë me argumentet që bëjnë të nevojshme kritikën mbi atë person. Dhe kur ky lloj lajmi të mbërrijë tek njerëzit, ata nuk kanë zgjedhje tjetër përveç se që ta marrin atë.

Unë po ju jap një shembull për t’ju ndihmuar në sqarimin e kësaj. Imagjinoni sikur ne të mos i pranonim lajmet e Imamëve të Hadithit rreth transmetuesve të hadithit, kriticimin dhe lavdërimin e tyre. A do të mund të dalloheshin transmetimet e sakta të të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nga transmetimet e pasakta? Përgjigja është: Jo, ne nuk do të kishim qenë të aftë që të bënim dallim, sepse ne nuk do të mbështeteshim tek faktori i vetëm që na lejon të dallojmë atë që është sahih (i saktë) nga ai që është da’if (i dobët): deklaratat e dijetarëve për transmetuesit që përcollën transmetimet deri tek ne.

Poashtu, në këto ditë e në këtë kohë, dijetarët vazhdojnë të përcjellin atë që kanë dëshmuar rreth gjendjes së personave të ndryshëm. Kjo dëshmi konsiderohet ose Xherh ose Ta’dil. Ta’dil do të thotë deklarata që na inkurajojnë që të marrim dituri prej tyre, kurse Xherh do të thotë kritika që na ndalojnë që të marrim dituri prej tyre dhe na obligon që t’i paralajmërojmë të tjerët kundër atyre. Dhe Allahu e di më së miri.

 

 

Përktheu Alban Malaj