Autor: Rabij ibën Hadij Umejr el-Medkhalij

 

Në këtë kohë, njerëzit kanë ngritur krye duke propaganduar njohjen e aktualitetit, mirëpo në realitet ata nuk duan assesi që Umeti ta kuptojë aktualitetin, sidomos aktualitetin e grupacioneve. Prandaj, është detyrë për ne që të mësojmë aktualitetin e tyre ashtu siç duhet! Është obligim që ne të dimë aktualitetin e njerëzve të bidateve, të dimë metodologjinë, mendimet dhe metodat e tyre me të cilat ata i devijojnë njerëzit; të dimë mashtrimin që ata ua bëjnë njerëzve. 

Pra, nuk i lejohet umetit Islam që t’i nënshtrohet dhe t’ua dorëzojë mendjen atyre, porse umeti e ka detyrë që të mësojë metodologjinë e Ehli Sunetit dhe Xhematit, të mësojë bazat e hadithit, të mësojë rregullat e xherrhit dhe tadilit, të di qëndrimin e Ehli Sunetit ndaj bidatçinjëve, të dijë qëndrimin e Ehli Sunetit ndaj gabimtarëve, madje edhe nëse gabimtari është imam në fe, nuk lejohet assesi që të tolerohet gabimi i këtij imami! E si është puna kur gabimtarët janë të dobët, as e kanë arritur gradën e imamllëkut dhe as nuk janë thelluar në dije, qysh të heshtet ndaj gabimeve të tyre?! Përderisa ka njerëz të devijuar, atëherë si të heshtet për devijimin e tyre?!

A nuk është kjo katastrofë që e ka zënë umetin, që t’i kundërvihesh atij që ndihmon fenë e Allahut dhe i mbron shokët e të dërguarit të Allahut, e mbron Sunetin e të dërguarit të Allahut, ndërsa ata e luftojnë atë? Ky përkatësim i tyre ndaj metodologjisë së Ehli Sunetit dhe Xhematit quhet përkatësim i rrejshëm .

O ju njerëz, thellohuni në kuptim e drejtë të fesë!

إِنَّ السَّمْعَ وَالْبَصَرَ وَالْفُؤَادَ كُلُّ أُولَٰئِكَ كَانَ عَنْهُ مَسْئُولًا

“Vërtet që do të merreni në përgjegjësi për dëgjimin, shikimin dhe zemrën.” el-Isra, 36

Që do të thotë:

إِن جَاءَكُمْ فَاسِقٌ بِنَبَإٍ فَتَبَيَّنُوا

“Nëse ndonjë fasik (i prishur) ju sjell ndonjë lajm, atëherë vërtetojeni atë.” el-Huxhurat, 6

Tani kur flitet për ndonjë selefij, nuk i verifikojnë fjalët kundër tij. Gjërat që thuhen për të, ti i beson. Pasha Allahun, ti me siguri do të pyetesh përpara Allahut për këtë. Atje është Ai që të mbikëqyrë dhe që do të kërkojë llogari.

Andaj, është detyrë për çdo musliman që ta respektojë fenë e tij, akiden e tij dhe intelektin e tij, si dhe mos t’ia dorëzojë intelektin e tij askujt, porse të punojë me argumente, fakte, baza, parime dhe rregulla. Nëse duam që ta ruajmë fenë e Allahut, ti ruajmë zemrat tona, të ruajmë të rinjtë tanë, të ruajmë fenë tonë, dhe të jemi umet që urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja.

كُنتُمْ خَيْرَ أُمَّةٍ

“Ju jeni umeti më i mirë.” Al-Imran, 110

Dhe e keqja më e madhe pas shirkut që i bëhet Allahut, janë bidatet, ndoshta disa bidate  mund të përmbajnë edhe shirk të madh, apo kufër, siç është mohimi i cilësive të Allahut, mohimi i cilësive është kufër, porse ne nuk i bëjmë qafira ata ngase ne i konsiderojmë injorantë, nuk ua kemi ngritur atyre argumentin, se përndryshe mohimi i cilësive është kufër. Ti i thua që “Allahu qëndron mbi Arsh.” Ai të thotë: “Jo!” Ti i tregon ajetet dhe hadithet, ai prapë thotë “Jo! Nuk qëndron mbi Arsh, porse Allahu është në çdo vend.” Kjo është kufër dhe përgënjeshtrim ndaj Allahut - azze ue xhele - porse ai nuk ka për qëllim gënjeshtrën, është injorant etj. Allahu ju bekoftë. Ai është i devijuar padyshim. Allahu ju bekoftë.

Gjithashtu kur thotë: “Lutja që i bëhet dikujt tjetër veç Allahut dhe kërkimi i ndihmës nga dikush tjetër veç Allahut është e lejuar.” Dhe shkruan libra për ta mbrojtur këtë (devijim). Qysh të heshtet për këtë njeri? Qysh të heshtet?! Ai shan sahabët, qysh të heshtet ndaj sharjes së sahabëve?! Për sharjen e sahabëve disa dijetarë thonë se është kufër dhe hipokrizi. Ata thonë se nënçmimi i një sahabiu të vetëm është nifak. Pra vetëm nënçmimi. Kush e nënçmon një sahabi të vetëm është zindik. Po kur vjen dikush që i nënçmon të gjithë Sahabët dhe prapëseprapë ai mbetet imam i umetit. A nuk është kjo tallje me fenë dhe tallje me mendjet e njerëzve?!

D.m.th. vetëm kjo mjafton, që ai ka nënçmuar Uthmanin dhe nuk e llogarit khilafetin e tij, dhe i nënçmoi i përbuzi dhe poshtëroi të gjithë sahabët pas tij, qysh të heshtet për të?! Qysh të  mbrohet ai?! Qysh? Kur ai ka besimin e panteizmit (që thotë se Allahu është i shkrirë me krijesat), Uahdetul-Uxhud (doktrinë që thotë se çdo gjë që ekziston është Allahu), devijime të tjera, socializma, e plot fatëkeqësi të tjera, qysh të heshtet për këto kolere dhe për këto epidemi të cilat shkatërrojnë intelektin e umetit?!! Këto përhapen në emër të Islamit dhe të ringjalljes së fesë.

Ne u bëjmë thirrje të rinjve që së pari të respektojnë vetet e tyre; të respektojnë intelektin e tyre dhe të mëshirojnë vetet e tyre duke dalë nga kjo greminë në të cilën i kanë vërvitur bidatçinjtë.

Andaj, ne i lutemi Allahut - tebareke ue teala - që t’i shpëtojë të rinjtë apo shumë prej tyre nga ajo në të cilën kanë rënë, sepse njerëzit e epsheve i kanë mashtruar ata duke i hedhur në humnerën e të kotave dhe marrëzirave. Këta të rinj u bënë si ata që kanë besime të kota, madje ua kalojnë atyre në besimin e marrëzirave, besëtytnive dhe lajmeve të rreme. Allahu na ruajtë!

Intelekti i disa njerëzve nuk e pranon kurrë të kotën. Edhe nëse nuk është dijetar, intelekti i tij nuk e pranon të kotën, por e refuzon atë, sepse ai përdor zgjuarsinë dhe mendjen e tij. Ama të jesh nxënës dije dhe ti pranosh të kotat, ndërkohë që burimet dhe argumentet qëndrojnë si dielli përpara tyre, kurse ata i injorojnë ato.

 

Përktheu: Muhamed Kallashi

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org