Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij bin Hadij el Medkhalij


Pyetje: Cili është mendimi juaj për dikë që pretendon se e folura rreth Teuhidit dhe Akijdes i përçan Muslimanët?

Përgjigje: Këtë fjalë e thonë grupacionet e njohura që janë bërë ekspertë në politikë dhe e lanë pas dore themelin e Islamin dhe Imanit, që është Akideja, me të cilën erdhën të gjithë Pejgamberët – 'alejhimus-salatu ues-selam –, dhe s'ka dyshim që thirrja në Teuhid bën përçarje. Bën përçarje mes kujt? Mes njerëzve të Hakut (të vërtetës) dhe njerëzve të Batilit (të pavërtetës), mes njerëzve të Teuhidit dhe njerëzve të Shirkut, sikurse ka thënë Ai – SubhaneHu ue Te'ala :

وَلَقَدْ أَرْسَلْنَا إِلَىٰ ثَمُودَ أَخَاهُمْ صَالِحًا أَنِ اعْبُدُوا اللَّهَ فَإِذَا هُمْ فَرِيقَانِ يَخْتَصِمُونَ

“Dhe me të vërtetë Ne i dërguam Themudit vëllain e tyre, Salihun, dhe ai u tha: ‘Adhuroni Allahun të vetëm!’ Ndërsa ata u përçanë në dy grupe, që grindeshin mes veti.” [en-Neml, 45]

Kur erdhi Salihu tek populli i tij dhe i thirri ata për tek Allahu – 'Azze ue Xhel-le – ata u ndanë në dy grupe që grindeshin mes veti. Po kështu u nda edhe populli i Nuhut, siç ka thënë Ai – SubhaneHu ue Te'ala – :

حَتَّىٰ إِذَا جَاءَ أَمْرُنَا وَفَارَ التَّنُّورُ قُلْنَا احْمِلْ فِيهَا مِن كُلٍّ زَوْجَيْنِ اثْنَيْنِ وَأَهْلَكَ إِلَّا مَن سَبَقَ عَلَيْهِ الْقَوْلُ وَمَنْ آمَنَ ۚ وَمَا آمَنَ مَعَهُ إِلَّا قَلِيلٌ

"Kur arriti urdhri Ynë e uji nisi të gufojë nga furra, Ne i thamë: “Ngarko në anije nga çdo lloj gjallese nga një çift, familjen tënde - përveç atyre kundër të cilëve ka qenë fjala e dënimit - dhe besimtarët!” Por shumë të paktë ishin ata që i kishin besuar atij!" [Hud, 40]

Kurse pjesa tjetër u ndanë, e braktisën atë dhe ndoqën Shejtanin.

Po ashtu, edhe Ibrahimin – 'alejhis-selam – e kundërshtoi populli i tij dhe nuk besoi askush me të, në vendin e tij të origjinës, me përjashtim të gruas së tij, Sara, si dhe djali i vëllait të tij, Luti. Dhe pas një kohe të gjatë, ai iu lut Allahut – 'Azze ue Xhel-le – në fundin e jetës së tij dhe Ai i dhuroi Ismailin dhe Is`hakun.

Nuk ka patur pejgamber që të mos jenë përçarë njerëzit për shkakun e tij, ngase jo të gjithë njerëzit e ndjekin atë, sikurse ka thënë Allahu – SubhaneHu ue Te'ala – :

وَمَا أَكْثَرُ النَّاسِ وَلَوْ حَرَصْتَ بِمُؤْمِنِينَ

"Shumica e njerëzve, sado që të përpiqesh ti (për udhëzimin e tyre), nuk janë besimtarë." [Jusuf, 103]

Kështu që, sipas politikës së atyre (që thonë se e folura rreth Akijdes përçan Muslimanët), i bie që Nuhu, Ibrahimi dhe pejgamberët e tjerë paskan gabuar! Përse? Sepse ata përçanë umetin! Ata duhet të ruanin unitetin e umetit, unitetin e atdheut dhe unitetin e patriotizmit! A nuk i bie që të jetë kështu, sipas logjikës së atyre?! Aq sa i shikon ata të vëllazërohen me të Krishterët, me Çifutët, me Rrafidat dhe Batinijet, që të ruajnë unitetin njerëzor. Ata nuk përballen me Çifutët, me të Krishterët dhe me vëllezërit e tyre, Rrafidat. Ky është realiteti i tyre dhe kjo është thirrja e tyre, të cilët e thonë këtë fjalë. Dhe kjo fjalë bie ndesh me të gjitha shpalljet dhe me të gjitha thirrjet e të gjithë të dërguarve, prej të cilëve është edhe Vula e tyre, Muhamedi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –.

Allahu e quajti Kur'anin "Furkan" (ndarës, përçarës), ngase ai bën ndarje mes Hakut dhe Batilit. Edhe Muhamedi është ndarës ose bëri ndarje mes njerëzve, bëri ndarje mes njerëzve të Hakut, Udhëzimit dhe Imanit dhe njerëzve të Kufrit, gënjeshtrës, poshtërsisë, Shirkut dhe Devijimit. E domosdo që Allahu – SubhaneHu ue Te'ala – do t'i ndajë ata Ditën e Kijametit në dy grupe: njëri grup në Xhenet dhe grupi tjetër në Zjarr.

Kështu pra, ata janë njerëz të devijimit dhe njerëz të epsheve. Kush i shan Sahabët s'ka problem! Kush i bën qafir (Sahabët) s'ka problem! Përse? Për të ruajtur unitetin! Ka të ngjarë që ndonjëri prej tyre e dëgjon të Krishterin duke sharë Islamin dhe të Dërguarin – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – dhe hesht! Ata janë vëllezërit e tyre! Kjo është rrugë e devijuar. Ne duhet ta njohim Menhexhin e Pejgamberëve – 'alejhimus-salatu ues-selam – dhe të thërrasim në Teuhidin e Allahut së pari, përpara çdo gjëje tjetër, si dhe në realizimin e kuptimit të fjalës "La ilahe il-lAllah" (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut) dhe në realizimin e kuptimeve të tjera të Islamit, të cilat ngrihen mbi këtë fjalë dhe ngrihen mbi Imanin; si dhe duhet që të mos i përfillim të tilla interpretimeve deformuese të thirrjes në Allah dhe atyre që i përhapin ato, ngase edhe Pejgamberët hasën të tilla interpretime e mos më keq, prandaj ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –:

"Njerëzit që janë sprovuar më së shumti janë Pejgamberët, pastaj njerëzit e devotshëm, pastaj ata që u ngjajnë atyre më së shumti, pastaj ata që u ngjajnë më së shumti."

Njerëzit që janë përballur me dëmtimet më të rënda janë Pejgamberët – 'alejhimus-salatu ues-selam – dhe ata janë shembulli jonë. Dhe kush ndjek rrugën e tyre patjetër që do të dëmtohet, ka gjasa që të vritet, ka gjasa që të dëbohen dhe ka gjasa që të burgosen… Kjo është një çështje madhështore, për të cilën jepen jetët dhe pasuritë. Mirëpo ata që rreken për karriket e pushtetit dhe për jetën (e kësaj dynjaje) i mbledhin njerëzit rreth veteve të tyre dhe nuk u intereson atyre nëse vdes i biri, i vëllai, komshiu, shoku i tyre dhe përfundojnë në Zjarr! Edhe sikur ta shohin duke i bërë sexhde dikujt tjetër në vend të Allahut – 'Azze ue Xhel-le – ose duke i bërë shirk Allahut, e megjithatë s'do t'ia dijë! Kjo është prej mashtrimit – Allahu na ruajt – dhe ata do t'i mbajnë mbi shpinë barrat e tyre dhe barrat e atyre që u shkojnë nga pas. Dhe mbi ta bien ajetet e Kur'anit, si për shembull Fjala e Allahut të Lartësuar:

إِنَّ الَّذِينَ يَكْتُمُونَ مَا أَنزَلْنَا مِنَ الْبَيِّنَاتِ وَالْهُدَىٰ مِن بَعْدِ مَا بَيَّنَّاهُ لِلنَّاسِ فِي الْكِتَابِ ۙ أُولَـٰئِكَ يَلْعَنُهُمُ اللَّـهُ وَيَلْعَنُهُمُ اللَّاعِنُونَ

"Me të vërtetë, ata që fshehin argumentet e qarta që kemi zbritur Ne dhe udhëzimin, pasi ua kemi shpjeguar njerëzve në Libër (Teurat), do të mallkohen nga Allahu dhe do të mallkohen nga ata (engjëj e njerëz) që janë ngarkuar të mallkojnë." [el-Bekarah, 159]

Dhe Fjala e Allahut – SubhaneHu ue Te'ala – :

لُعِنَ الَّذِينَ كَفَرُوا مِن بَنِي إِسْرَائِيلَ عَلَىٰ لِسَانِ دَاوُودَ وَعِيسَى ابْنِ مَرْيَمَ ۚ ذَٰلِكَ بِمَا عَصَوا وَّكَانُوا يَعْتَدُونَ ﴿٧٨﴾ كَانُوا لَا يَتَنَاهَوْنَ عَن مُّنكَرٍ فَعَلُوهُ ۚ لَبِئْسَ مَا كَانُوا يَفْعَلُونَ

"Mohuesit nga mesi i bijve të Israilit u mallkuan me gjuhën e Daudit dhe të Isait, të birit të Merjemes, për shkak se ishin të pabindur, shkelnin çdo kufi dhe nuk e ndalonin njëri-tjetrin të bënin vepra të këqija. Eh, sa të shëmtuara ishin veprat që bënin ata!" [el-Ma`ideh, 78-79]

Si është e mundur që i shikon njerëzit duke bërë tauaf nëpër varre, duke kërkuar ndihmë nga të tjerë në vend të Allahut dhe duke prerë kurban për të tjerë në vend të Allahut, e pastaj thua se thirrja për në Teuhid shkakton përçarje?! Ai ka rënë në shirk, kurse ti nuk ia sqaron atij fenë e vërtetë të Allahut, nuk ia sqaron atij Teuhidin e as nuk ia sqaron dallimin midis Teuhidit dhe Shirkut? Pastaj, nëse ai nuk e pranon thirrjen tënde, nuk hyn në rreshtin tënd?

Kështu pra, ata rreken që t'i mbledhin njerëzit në mënyrë që të arrijnë karriket e pushtetit. Dhe nëse i arrijnë ato, ata nuk e vënë në zbatim parrulën e tyre "Gjykimi i takon vetëm Allahut". Gjykimi bëhet i tyre e jo i Allahut – 'Azze ue Xhel-le – .

Allahu na dhëntë mirëqënie.



Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj