Bismilah...

Autor: Shejkh Salih el-Feuzan

Burimi: alFawzan.ws/node/13194


Ka thënë Allahu i Lartësuar:

َ هَذَا صِرَاطِي مُسْتَقِيماً فَاتَّبِعُوهُ وَلا تَتَّبِعُوا السُّبُلَ فَتَفَرَّقَ بِكُمْ عَنْ سَبِيلِهِ ذَلِكُمْ وَصَّاكُمْ بِهِ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

E me të vërtetë kjo është Rruga Ime e Drejtë andaj ndiqeni atë e mos ndiqni rrugë të tjera sepse do t’ju ndajnë nga Rruga Ime...” [el-En’am, 153]

Dhe ka thënë i Lartësuari:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَأُوْلِي الأَمْرِ مِنْكُمْ فَإِنْ تَنَازَعْتُمْ فِي شَيْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللَّهِ وَالرَّسُولِ إِنْ كُنتُمْ تُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ ذَلِكَ خَيْرٌ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلاً

O ju besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, atëherë ktheheni atë tek Allahu dhe i Dërguari, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” [en-Nisa`, 59]

Dhe ka thënë Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem):

فإنه من يعش منكم فسيرى اختلافًا كثيرا فعليكم بسنتي وسنة الخلفاء الراشدين من بعدي تمسكوا بها وعضو عليه بالنواجذ

Sepse vërtetë, kush nga ju ka për të jetuar do të shohë mosmarrëveshje të shumta, prandaj ju e keni detyrë që të mbaheni pas Sunetit tim dhe Sunetit të Prijësave Udhëzues pas meje, mbahuni dhe kapuni fort pas tij me dhëmballë...

Kështu pra na urdhëron Allahu dhe i Dërguari i tij, që kur të hasim mosmarrëveshjet e Ulemave në gjykimin e një çështjeje, të marrim prej fjalëve të tyre atë fjalë që ka argument nga Kur'ani dhe Suneti, si dhe ta braktisim atë fjalë që kundërshton argumentin, sepse kjo është shenjë e Imanit – besimit në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit, dhe sepse kjo është më e mirë për ne dhe fundi më i mirë. E nëse ne kapemi pas fjalës që kundërshton argumentin, atëherë kjo do të na largojë nga Rruga e Allahut dhe do të na fusë në rrugën e shkretë, në rrugën e devijimit, sikurse na ka njoftuar Allahu për Jehudët dhe Kristianët, se ata i morën rabinët dhe murgjit e tyre si zota në vend të Allahut. Kur ‘Adijj Ibn Hatim (radij-Allahu ‘anhu) e pati të paqartë se si ata i morën (rabinët dhe murgjit) si zota në vend të Allahut, Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e sqaroi se marrja e tyre si zota do të thotë se ata iu bindën atyre kur ata e bënë hallall atë që Allahu e bëri harram dhe e bënë harram atë që Allahu e bëri hallall.

Dhe shumë njerëz sot, nëse i sheh duke bërë ndonjë gjë të gabuar dhe i ndalon nga ajo, ai do të thotë: “Tek kjo çështje ka khilaf.” Dhe ai e merr khilafin si justifikim për gabimin në të cilin ka rënë, edhe nëse ai khilaf bie ndesh me argumentin. Atëherë çfarë ndryshimi ka midis atij dhe Ithtarëve të Librit që i morën rabinët dhe murgjit e tyre si zota në vend të Allahut?

Kështu që, detyra e tyre është që të kenë frikë Allahun për vetet e tyre dhe ta dinë se fakti që ka khilaf (mospajtim) tek një çështje nuk ua bën të lejuar atyre kundërshtimin e argumentit.

Madje shumë injorantë kanë arritur deri në atë pikë saqë po i ndjekin fjalët e ruajtura në kompjuter, të cilat i përcjellin nga librat që përmbajnë çështje khilafijeh (çështje ku ka mospajtim midis dijetarëve), dhe pastaj japin fetva sipas asaj që i shkon për shtat epshit të tyre nga ato fjalë, pa bërë dallim se kush bazohet në argument të saktë dhe kush nuk ka argument. Kjo vjen ose si pasojë e injorancës së tyre ose si pasojë e epshit që kanë në vetet e tyre. Dhe injorantit nuk i lejohet që të flasë për Sheriatin e Allahut duke u bazuar në ato që lexon apo shikon nëpër inçizime, dhe ai nuk e di se sa i saktë është ai mendim dhe a bazohet në Kur'an dhe Sunet.

Allahu nuk na ka urdhëruar që të kthehemi veçse tek përmbajtja e librit të Fik’hut, pa patur kuptim, porse na urdhëroi që të pyesim Njerëzit e Dijes. Dhe për këtë ka thënë i Përsosuri nga çdo e metë:

فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِنْ كُنْتُمْ لا تَعْلَمُونَ

Dhe pyesni Njerëzit e Dhikrit nëse nuk dini.” [en-Nahl, 43]

Kurse pasuesit të epshit nuk i lejohet që ta marrë epshin e tij si zot në vend të Allahut; që të marrë dhe të lëjë atë që i shkon për shtat epshit të tij.

Ka thënë Allahu i Lartësuar:

وَمَنْ أَضَلُّ مِمَّنْ اتَّبَعَ هَوَاهُ بِغَيْرِ هُدًى مِنْ اللَّهِ

E kush është më i humbur se ai që ndjek epshin e tij pa patur udhëzim nga Allahu?” [el-Kasas, 50]

أَرَأَيْتَ مَنْ اتَّخَذَ إِلَهَهُ هَوَاهُ أَفَأَنْتَ تَكُونُ عَلَيْهِ وَكِيلاً

A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh ti mbrojtës atij?” [el-Furkan, 43]

Dhe nuk i lejohet atij që ka dije që t’u ofrojë njerëzve atë që u shkon për shtat epsheve të tyre, kështu i devijon ata nga Rruga e Allahut me argumentin e lehtësimit, porse lehtësimi është me ndjekjen e argumentit. Le të ruhet ai se mos bëhet prej atyre, për të cilët Allahu ka thënë:

لِيَحْمِلُوا أَوْزَارَهُمْ كَامِلَةً يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَمِنْ أَوْزَارِ الَّذِينَ يُضِلُّونَهُمْ بِغَيْرِ عِلْمٍ

Që t’i mbajnë gjynahet e veta të plota në Ditën e Kiametit, si dhe pjesën e gjynaheve të atyre që i çuan në humbje nga padijeni...” [en-Nahl, 25]

Allahu u dhëntë sukses të gjithëve në dijen e dobishme dhe në veprën e mirë. Qofshin lavdërimet dhe bekimet e Allahut mbi Pejgamberin tonë Muhamed, si dhe mbi Familjen dhe Shokët e tij.

Shkroi:

Salih Ibn Feuzan el-Feuzan

Përktheu: Alban Malaj