Bismilah...

Autor: Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (1420 h.)

Burimi: Fetaua Nurun ala Derb, vëll. 29, fq. 40-41

 

Pyetje: Kjo motër pyet për kuptimin e hadithit që është transmetuar nga i Dërguari, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, që thotë: “Ai që e prish agjërimin qëllimisht në Ramazan, Allahu nuk e pranon kompensimin e agjërimit të tij edhe sikur të agjërojë tërë jetën.” Nëse ai e ka prishur agjërimin qëllimisht, pastaj pendohet, a e pranon Allahu pendimin nga ai?

Përgjigje: Hadithi që u përmend është i dobët. Pendimi i njeriut pranohet nëse pendohet sinqerisht dhe ai e ka për detyrë që ta kompensojë atë ditë që e ka prishur agjërimin.

Hadithi që u përmend: “Ai që e prish qëllimisht agjërimin e një dite në Ramazan, Allahu nuk pranon nga ai edhe sikur të agjërojë tërë jetën.Ky hadith është i dobët (daif) dhe që ka ngatërresa në tekste apo në transmetues (mudtarab) sipas njerëzve të dijes, kështu që nuk është i saktë. Pra, ky hadith është i dobët.

Kurse e sakta është se për atë njeri që e ka prishur agjërimin qëllimisht, ka pendim dhe ai e ka detyrë që ta kompensojë vetëm atë ditë që e ka prishur agjërimin. Kjo është e sakta. Ai e ka detyrë që të pendohet dhe mjafton ky pendim, Allahut i takon falënderimi për këtë. Madje pendimi mjafton edhe për shirkun e madh, e si është puna më për mëkatin!

Pra, kryesorja është që pendimi i fshin mëkatet që janë bërë më përpara, siç ka thënë Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem: “Ai që pendohet nga mëkati është sikur ai që s’ka bërë mëkat fare. Këtë e ka thënë Pejgamberi, alejhi salatu ue selam.

Pra, nëse njeriu pendohet sinqerisht dhe pendimi i sinqertë do të thotë: të shprehësh keqardhje për atë që ka kaluar, të kesh vendosmëri për të mos iu kthyer më atij mëkati dhe të largohesh nga ajo vepër e keqe, atëherë ky është pendim i vërtetë.

 

Përktheu: Jeton Shasivari