Bismilah...

Burimi: Fetaua Lexhneti Daimeh (1), vëll. 2, fq. 158, nr. i fetvasë 9234

 

Pyetja e 2-të: Unë jam mësues në shkollën e mesme “Lejla” dhe kam lexuar një shprehje në librin e Teuhidit për të cilën isha në mëdyshje dhe e mohova atë. Andaj, kërkoj të më sqaroni më shumë për këtë se sa e saktë është dhe a është hijshme që kjo shprehje të thuhet për Allahun. Këtë libër të Teuhidit, e ka shkruar Muhamed Kutubi për klasën e dytë të shkollës së mesme, në faqen 23, në rreshtin e 17-të dhe ajo shprehje thotë: “Kur vinte një i Dërguar nga Allahu, thoshte: ‘O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni të adhuruar tjetër me të drejtë.’ Këtë e ka thënë çdo i dërguar që erdhi te populli i Tij. Çdo i dërguar, në realitet, bënte thirrje që t’i kthehet pushteti i uzurpuar Allahut, Poseduesit të vërtetës, të Vetmit që vendos ligjvënien për njerëzit dhe që vendos atë që është hallall, haram, e lejuar (mubah) dhe jo e lejuar (gajru mubah).” Në librin e klasës së tretë të po të njëjtit autor, në faqen 28, në tre rreshtat e fundit, thotë: “Kuptimi i fjalës “la ilahe il-Allah” është: kthimi i pushtetit të uzurpuar me të cilin janë robëruar njerëzit duke e kthyer këtë pushtet të uzurpuar te Pronari i vërtetë, tek Allahu, i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari, Zoti i të gjithëve.” Unë nuk mbajta qëndrim ndaj këtyre shprehjeve dhe nuk thashë se janë shprehje të ndaluara apo të lejuara. Andaj, shpresoj që të përfitoj nga përgjigja juaj.

Përgjigje: Nuk dimë të ketë ndonjë problem për atë që përmende ti sa i përket domethënies, por mënyra e shprehjes përmban edukatë të keqe me Allahun, sepse askush nuk ka fuqi që ta mposhtë Allahun duke ia marrë të drejtën e Tij, por përkundrazi Ai është i Plotfuqishmi që i mposht të gjithë dhe është sipër robërve të Tij. Megjithëkëtë, ai që është mushrik (idhujtar) dhe ai që gjykon me atë që nuk e ka zbritur Allahu, i ka kaluar kufijtë ndaj të drejtës së Allahut, gjykimit të Tij dhe e ka kundërshtuar ligjin e Tij.

Prej Allahut vjen suksesi.

Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin për Pejgamberin tonë Muhamedin, familjen e tij dhe shokët e tij.

 

Komisioni i Përhershëm për Kërkime Akademike dhe Fetva

Anëtar: Abdullah bin Ku’ud

Anëtar: Abdullah bin Gudejan

Zëvendëskryetar: Abdur-Rezzak Afifi

Kryetar: Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz

 

Përktheu: Jeton Shasivari