Bismilah...

Autor: Shejkh Muhammed Ibën Hadij el-Medkhalij

Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=138864

Pyetje:

Ky thotë: dikush thotë se arritja e pushtetit nga Ikhuanët në Egjipt është sikur ngadhënimi i Besimtarëve në betejën e Bedrit, ndërsa rënia e tyre nga pushteti është sikur beteja e Uhudit, kurse disa të tjerë thonë se kjo është një betejë ndërmjet Islamit dhe Kufrit?

Përgjigje:

Këtë e kemi dëgjuar ashtu siç e ke dëgjuar edhe ti.

Sa e zbatuan Islamin ata? Pasha Allahun, së pari, unë doja që ata ti plotësonin katër vjet (në pushtet) në mënyrë që të mos ngelej kurrëfarë argumenti (në favor të tyre) dhe që ta shikonin të gjithë njerëzit çfarë zbatuan ata nga Islami. Kjo është e para.

E dyta, Urdhëri i Allahut përmbushet dhe Dëshira e Tij mbizotëron. Kështu që, s’ka kush e refuzon urdhërin dhe urtësinë e të Përsosurit dhe të Lartësuarit nga çdo e metë, kushdo qoftë ai.

E treta, ata qëndruan (në pushtet) për një vit, çfarë bënë për një vit?

E katërta, kush është zëvendës-kryeministri i parë? Një i krishterë.

E pesta, qysh përpara se të merrnin qeverinë thanë se fshikullimi (i zinaqarit) dhe prerja e dorës (se hajdutit) nuk është prej Sheriatit, ky (që e ka thënë këtë) është presidenti i tyre, i cili shkoi në një debat përpara se të bëhej president, përpara zgjedhjeve, kur ishte kandidat, tha se prerja (e dorës se hajdutit) dhe fshikullimi (i zinaqarit) nuk janë prej Sheriatit, janë prej ixhtihadit, janë çështje ixhtihadije. Dhe kjo është e inçizuar me zërin e tij, lavdi Allahut. Ky interneti ruan çdo gjë, kthehuni atij (internetit) dhe do ta gjeni me zë e me figurë. E numëro sa të duash e thuaj sa të duash. Atëherë ku na qenka kjo ndihmë e cila i ngjasoka ditës së Bedrit? Por sidoqoftë, ata janë thirrësat e Demokracisë që ditën e parë. Ne, dhe unë vet – ta lëm mënjanë “ne” – unë vet e dëgjova atë kur thotë se gjykimi i takon popullit dhe burimi i gjykimit është populli, nuk është nga Allahu Subhanehu ue Te’ala:

إن الحكم إلا لله أمر أن لا تعبدوا إلا إياه

“Me të vërtetë gjykimi i takon Allahut, Ai ka urdhëruar që të mos adhurohet askush tjetër pos Atij.” [Jusuf, 40]

Është kjo fjalë me të cilën na shkatërruan duke e përsëritur vazhdimisht dhe duke i bërë qafira Muslimanët në përgjithësi për shkak të mos-zbatimit të saj – ashtu siç e pretendojnë ata (Ikhuanët). Kurse tani që erdhi (kjo situatë), ai nuk iu kthye fjalës “Me të vërtetë gjykimi i takon popullit”. Dhe si sot erdhi vet (në pushtet) duke thënë: “Nëse dalin njëmijë – nuk e di mirë – dhjetëmijë veta firmosin që ata nuk më duan, atëherë në rregull, unë jap dorëheqjen.” E sot kanë dalë me miliona që nuk të duan. Sot erdhi koha që të dalë në shesh e vërteta.

E gjashta, rruga me të cilën erdhe (në pushtet) është e njëjta rrugë nga e cila re nga pushteti. Rruga me të cilën erdhe (në pushtet) është Sheshi Tahrir, e vërtetë apo jo? Erdhi el-Karadauij dhe kush ishte me të dhe mbajtën fjalim atje dhe falën me njerëzit Xhumanë, pastaj hipët në pushtet. Kurse sot me të njëjtën rrugë ratë nga pushteti. Shkalla nga e cila hipët në pushtet është po e njëjta nga e cila zbritët nga pushteti: Sheshi i Tahrir, i njëjti, hipje e zbritje. Hipët nga shkalla e Sheshit Tahrir dhe zbritët nga shkalla e Sheshit Tahrir. Kjo është çështja e gjashtë.

Çështja e shtatë, thonë se nuk lejohet ndalimi i të drejtave të popullit. Në rregull, ata që kanë dalë (nëpër demonstrata) që të shprehin të drejtat e tyre dhe në kanunin tuaj nuk lejohet që t’i ndalosh të drejtat popullit. Pra, ata shprehën rrugën që ndjekin dhe ju shprehët rrugën që ndiqni, kështu që ata ju mundën dhe gjykimi është i tyre.

E teta, (ndodhi) ashtu siç kanë thënë:

Ia mësoja harkun çdo ditë, e kur iu forcua krahu më qëlloi,

Siç ia mësoja poezinë, sapo thuri të parën, kundër meje e rimoi.

U kam thënë që ditën e parë disa vëllezërve që s’janë nga kjo krahinë, u thashë tek kjo lagje, o kanë për ta provuar Ikhuanët kupën që provoi Husni Mubaraku e më keq se ai, ose përndryshe unë nuk jam më Muhammed Ibën Hadij, pasha Atë pos të Cilit s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë. E kam thënë këtë fjalë dhe ja ku e keni sot.

I kam parë bijtë e dynjasë, sado të ngrihen me dynjanë,

Aq sa u ngritën lartë, tok me dynjanë aq poshtë ranë.

Pra, kushdo që të ngrihet lartë ka për të rënë poshtë, përveç ai që u ngrit me urdhërin e Allahut Tebarake ue Te’ala, atë s’ka kush ta rrëzojë poshtë. Kështu pra, ata (Ikhuanët) kërkuan atë që kërkuan, mirëpo Allahu Subhanehu ue Te’ala e di shikimet tinëzake të syve dhe ato që fshehin zemrat.

E nënta, ata (Ikhuanët) thanë se këto qeveri që të gjitha janë bishta të Amerikës dhe janë me Çifutët, me Jehudët. Kurse ata vetë (Ikhuanët) qysh në fillim, sapo morën qeverinë në dorë, shkuan dhe rinovuan marrëveshjet me Jehudët, kurse Amerika ishte ajo që u kishte bërë presion atyre më herët dhe tha se artikujt e ratifikuar, traktatet dhe marrëveshjet e nënshkruara me qeveritë e mëparëshme. Dhe nuk e mori pushtetin Mursi derisa Amerika u sigurua që ata nuk e ndryshojnë gjykimin ndaj Jehudëve në lidhje me marrëveshjet. Ka mundësi që edhe ju ta keni parë këtë dhe ta keni dëgjuar. Në rregull, si ka mundësi që atëherë ai (Mubaraku) ishte qafir (ngaqë kishte nënshkruar marrëveshje me Çifutët), ndërsa sot, ky i dyti (Mursi) që po i rinovon nuk qenka qafir?

Ne nuk i bëjmë qafira të gjithë ata, mirëpo sipas fjalës së tyre (ata janë qafira). Si ka mundësi që Husni (Mubaraku), Sadati me të tjerët qenkan qafira sepse ata nënshkruan marrëveshjet? Në rregull, po ky që rinovon marrëveshjet, i garanton dhe i përforcon? Ja pra ky është (Mursi).

Në Turqi: partia seklariste në Turqi nuk lidhi traktate me Jehudët. Kur erdhi (në pushtet) Nexhmedin Erbakani, ai lidhi marrëveshje për shkrirjen e plotë ushtarake midis tij dhe Jehudëve, e deri më sot veprohet me atë marrëveshje. Dhe kur atë e hoqën sekularistët dhe turanistët, xhemati i Kenan Ifrin dhe kush ishte me të, të cilët e rrëzuan ditën e dytë, me kaq mbaroi. Ajo që donin ata ishte nënshtrimi i marrëveshjes, mirëpo me bojën e islamikëve (të partisë së Erbakanit), në mënyrë që ditën e nesërme po të thonin e bët ju këtë (nënshkrimin e marrëveshjes me Jehudët), (ata do të thonë), jo jo jo, s’e kemi bërë ne këtë, kjo u nënshkrua në kohën e qeverisë së mëparëshme (të Erbakanit), prandaj ne i përmbahemi marrëveshjeve.

Mirëpo – o vëllezërit dhe të dashurit e mi – unë e di që Ikhuanëve, qofshin edhe këta këtu, nuk do t’u pëlqejnë këto fjalë. Përse? Sepse nxjerrin në shesh poshtërsitë e tyre. Në realitet ata janë të demaskuar, mirëpo shumë prej njerëzve nuk janë të pranishëm, sikur nuk jetojnë me ne mbi faqen e tokës që ta shohin këtë realitet. Emocionet janë stuhi, Allahu na dhëntë mirëqënie e siguri. Ata i shohin të gjitha këto, mirëpo harrojnë. Kështu që, ata kanë nevojë për njerëz si ju që t’ua kujtoni këtë që po ndodh nga ata (Ikhuanët).

E dhjeta, “Na ktheni në pushtet, pushtet, pushtet...” kur erdhën (në pushtet), çfarë bënë me kushtetutën? E ndryshuan. A është ai (Islami) burimi i vetëm (i pushtetit)? Jo.

Në Tunizi: kur e morën pushtetin (Ikhuanët) çfarë thanë? E anuluan, nuk është ai (Islami) burimi i vetëm (i pushtetit). E anuluan që Islami të jetë burimi i pushtetit. Hoqën dorë nga ai. Dhe ky Islam është për të gjykuar, ky Islam nuk është tek ata. Ata kanë Islamin e pushtetit (d.mth. Islamin si kauzë për marrjen e pushtetit). A e dini cili është Islami i pushtetit, në mënyrë që të bëni dallimin midis Islamit gjykues dhe pushtetit? Realiteti i pushtetit është që të qeverisin Ikhuanul-Muslimuuuun, ky është pushteti, kurse Islami gjykues është që të zbatohet Islami. Po çfarë Islami zbatuan ata? Nuk zbatuan asgjë. Kështu që, me thirrjen e tyre për Islam është çuditur edhe qafiri. Shikoni këtë qafiren si u çudit nga ata, ngase u ngritën parrullat Islam, Islam, Islam, Islam... jo, sepse ky Islam është për të gjykuar me të. Pra, ata (Ikhuanët) nuk janë zbatues të Islamit. Ata e quajnë gjykim, mirëpo ata duan Islamin e pushtetit jo Islamin gjykues. Çfarë është Islami i pushtetit? Që të ulen ata në karriken e pushtetit. Prandaj kur ndodhi ajo që ndodhi, tha zëdhënësi në emër të tyre se rënia e Mursit është shirk ndaj Allahut, fjalë për fjalë, hapeni internetin, aty e gjeni. Rënia e Mursit është shirk ndaj Allahut! O vëllezërit e mi, a e dini se Islami është Islam i pushtetit dhe Islam i gjykimit? Ky është kuptimi i Islamit, gjykimi është zbatimi i Islamit, ky është zbatimi i vërtetë. Ata nuk e duan atë sepse ky Islam i gjykon liritë e njerëzve. Prandaj u shtuan “pub”-et dhe “bar”-et në Tunizi, aq sa u çudit edhe qafirja nga Spanja. Kurse Islami i pushtetit është që të ulen Ikhuanul-Muslimun nëpër karriket (e pushtetit), prandaj ata rreken për Islamin e pushtetit e jo për Islamin e gjykimit.

UAllahi, sikur ata të marrin në dorë pushtetin mbi ju në këtë vend (Arabi Saudite), keni për të parë më keq se ç’janë në vendet e tyre. Lusim Allahun që të mos vijë as edhe një ditë që ta marrin në dorë pushtetin njerëz si puna e tyre. Allahu na ruajt nga ajo gjë. Prandaj mos u mashtroni nga ata.

Dhe ne që të gjithë e kemi detyrë që të shtrëngojmë duart tona me duart e udhëheqesve dhe dijetarëve të pranishëm, sepse ata janë njerëzit e pushtetit, janë ata të cilëve Allahu u ka dhënë mirësi, dhe Allahu ua ka dhënë atyre pushtetin, e neve s’kemi parë nga ata përveçse çdo të mirë.

Prandaj lusim Allahun Subhanehu ue Te’ala që të na i largojë fitnet neve dhe juve, ato që duken dhe ato që janë të fshehura. Po.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj