Autor: Shejkh Muhamed Ibën Hadij el-Medkhalij

 

Pra, detyra e nxënësit të dijes është që të mos e ulë veten për dynjanë, sepse ajo është e pavlerë. Kështu që, ai nuk duhet të japë atë që është çmuar për të arritur diçka të pavlerë. Dhe e çmuara është dituria e Sheriatit. Nxënësi i dijes dhe dijetari duhet të jenë shembull për të tjerët, në braktisjen e dynjasë dhe asketizmin në të, duke mos e ulur veten para pasurive që zotërojnë njerëzit dhe duke mos e shtrirë dorën. Kështu njerëzit do të kenë nevojë për ta, kurse ata (dijetari dhe nxënësi i dijes) s’do t’ia kenë nevojën askujt përveç Allahut Tebarake ue Te’alaa. Kjo do t’i bëjë njerëzit që të kthehen te ata dhe të kenë besim te ata. Por ama, kur ngarend mbas kësaj dynjaje, sidomos siç i shohim shumë njerëz  në këtë kohën tonë, prej atyre që shtiren se kanë dije apo që i atribohen kërkimit të diturisë, të cilët i prishën shoqatat. Dhe ai ngarend mbas atyre (shoqatave) dhe e shet fenë e tij.

 

[Poeti arab thotë]

Një ditë bëhesh Jemenas se pe një nga Jemeni,
Por sakaq bëhesh Adenas sapo takohesh me një nga Adeni,
Herë shkon nga Lindja e herë nga Perëndimi.

Ai nuk e di se nga të shkojë! Ai shkon atje ku e shpie babëzia. Prandaj, ky hadith, hadithi i Ebu Derdas ka një shkak, sepse ai ka ardhur tek Ibën Maxheh, kurse origjina e hadithit është tek Ebij Davudi dhe Musnedi i Imam Ahmedit. Pra, hadithi ka një shkak, i cili ka ardhur tek Ibën Maxheh.

Kur erdhi një njeri tek Ebij Derdaa` në xhaminë e tij në Sham, që ta pyesë.

Ai i tha: “Unë kam ardhur nga qyteti i Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që të të pyes për një hadith.”
Ai i tha: “A nuk ke ardhur për diçka tjetër?”
Ai tha: “Nuk kam ardhur për gjë tjetër.”
Ai tha: “As për tregëti?”
Ai tha: “As për tregti.”
Ai tha: “Nuk të solli këtu asgjë tjetër pos këtij hadithi?”
Ai tha: “Nuk më ka sjellë këtu asgjë tjetër pos këtij hadithi.”
Ai i tha: “Atëherë përgëzohu, sepse unë e kam dëgjuar Pejgamberin  sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë:



من سلك طريقا يلتمس فيه علما سلك الله به طريقا إلى الجنة.

“Kushdo që ndjek një rrugë për të kërkuar dituri, Allahu do t’i bëjë atij një rrugë për në Xhenet.”

 

Video në AudioSelefi.org

 

Përktheu Alban Malaj