Bismilah...

Autor: Abdus-Selam ibën Berxhes bin Nasir Al Abdul-Kerim (1425 h.)

Burimi: Ikafu Nebil fi Hukmi Temthil, fq. 25 - 28

 

Origjina e aktrimit

Rrënjët e aktrimit dhe teatrit shtrihen në epokën e Greqisë së lashtë dhe në mësimet e kishës së lashtë Krishtere – para ardhjes së Islamit (Muhamedit – alejhi salatu ue selam), siç e kanë theksuar këtë një grup letrarësh. Muslimanët nuk e kanë njohur ndonjëherë këtë vepër që nga nisja e thirrjes së Pejgamberit tonë Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e deri para pesëqind viteve përafërsisht, në kohën kur banorët e vendeve të lindjes u dhanë pas shkencave, civilizimit dhe kulturës së perëndimit. Në këtë kohë, ata e morën këtë vepër prej tyre dhe i mësuan parimet dhe bazat e aktrimit në shkollat e tyre. Pastaj, këtë e sollën në vendet Islame me qëllim që të jetë një farë, gjë të cilën e shohim sot, siç janë filmat “fetar” dhe jo-fetar.

 

Butrus el-Bustani në librin e tij “Udebau el-Arab fi el-Andalus ue ‘Asr el-Inbi’ath (Letrarët Arabë në Andaluzi dhe Epoka e Renesancës)”, ka thënë:

“Arabët, në shtetin e Abasitëve, nuk lanë shkencë dhe dituri të Grekëve pa e marrë, duke e studiuar dhe shfrytëzuar atë, përveç letërsisë, sepse atyre u mjaftonte letërsia që kishin vetë. Nuk mbërritën tek Arabët epopetë e Greqisë së lashtë, e as tregimet dhe shfaqjet teatrale të tyre. Edhe sikur të kishin mbërritur këto gjëra tek Arabët, Ligji Islam në atë kohë, nuk do të punonte për të ringjallur aktrimin, sepse aktrimi ishte çështje e kishës së Krishtere në mesjetë, si dhe aktrimi te ata (Muslimanët) është shpërfytyrim i burrave të mëdhenj...” [1]

 

Autori i librit “Tarikhul Junan (Historia e Greqisë)”, ka thënë:

“Origjina e teatrit grek filloi për hir të festave fetare të cilat mbaheshin në vende të ndryshme në Greqinë e lashtë, teatër në të cilën tragjeditë kishin të bëjnë me besimin në zotin Dionis (një emër tjetër i zotit Bak’khos), i cili ishte zot i të korrurave, drithërave dhe kromit, edhe pse njihej me emrin e tij si “zot i rakisë”. Grekët e lashtë i mbanin këto lloje të festivaleve për të shfaqur harenë dhe falenderimin ndaj forcave hyjnore të cilat sundojnë në natyrë nëse viti do të ishte i bollshëm; ose për të shfaqur përulje dhe nënshtrim ndaj këtyre forcave hyjnore nëse të korrurat nuk do të ishin ashtu siç pritej...”

 

Edhe dijetarët e Sheriatit kanë folur për aktrimin duke e sqaruar origjinën e tij.

Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë – në përkufizimin e festës “E Diela e Dafinave” të të Krishterëve, thotë:

“Kjo është dita e parë e agjërimit të tyre. Gjatë kësaj feste, ata dalin duke manifestuar me gjethe të ullirit apo gjëra të ngjashme dhe pretendojnë se kjo që bëjnë është përngjasim i asaj që i ndodhi Mesihut – alejhi selam – kur ai hyri në Jerusalem... Jehudët kishin ngarkuar ca njerëz që të mbanin shkopinj me vete për ta goditur atë, por ato shkopinj nxorën gjethe... kështu që, festa e “të Dielës së Dafinave” është përngjasim me këtë ndodhi. Kjo ishte një ndër gjërat që u përmendën te kushtet e Umerit – radijAllahu ‘anhu – dhe në librat e Fikhut: që të mos e manifestonin këtë festë në darul-islam (vendin që është çliruar nga Muslimanët).” [2]

 

Fundnotat:

[1] Botimi i 3-të, Daru Sadir, Bejrut, fq. 308, 309, 310.

[2] Iktidau Siratil Mustekim, 1/478

 

Përktheu: Jeton Shasivari