Bismilah...

Autor: Shejkh Abdur-Rahman bin Nasir es-S’adij (1307-1376 h.)

Burimi: Tejsiru el-Kerim er-Rahman fi Tefsiri Kelami el-Mennan, fq. 863

 

 

Allahu i Lartësuar thotë:

 

قِيلَ ادْخُلُوا أَبْوَابَ جَهَنَّمَ خَالِدِينَ فِيهَا فَبِئْسَ مَثْوَى الْمُتَكَبِّرِينَ ﴿٧٢ وَسِيقَ الَّذِينَ اتَّقَوْا رَبَّهُمْ إِلَى الْجَنَّةِ زُمَرًا حَتَّى إِذَا جَاءُوهَا وَفُتِحَتْ أَبْوَابُهَا وَقَالَ لَهُمْ خَزَنَتُهَا سَلَامٌ عَلَيْكُمْ طِبْتُمْ فَادْخُلُوهَا خَالِدِينَ ﴿٧٣ 

“Do t’u thuhet atyre: “Hyni nëpër dyer të Xhehenemit, që të banoni aty përgjithmonë. Sa vendbanim i keq që është për arrogantët (mendjemëdhenjtë)! Kurse ata që ia patën frikën Zotit të tyre, do të drejtohen për në Xhenet në grupe, derisa të arrijnë tek ai, dhe dyert e tij do të hapen dhe rojtarët e tij do të thonë: Selamun ‘alejkum. Ju keni vepruar mirë, andaj hyni në të që të jetoni përgjithmonë.” Ez-Zumer, 72-73 

 

Do t’u thuhet atyre në mënyrë poshtëruese dhe nënçmuese:

ادْخُلُوا أَبْوَابَ جَهَنَّمَ

“Hyni nëpër dyer të Xhehenemit.”

Çdo grup do të hyj përmes derës me të cilën përkon dhe veprat me të cilat përkon ajo derë.

 

خَالِدِينَ فِيهَا

“...që të banoni aty përgjithmonë...”

 

Nuk kanë për të dalë prej tij; nuk do t’ju lehtësohet dënimi as edhe për një çast të vetëm dhe as që do t’u jepet afat.

 

فَبِئْسَ مَثْوَى الْمُتَكَبِّرِينَ

“Sa vendbanim i keq që është për arrogantët (mendjemëdhenjtë)!”

Që do të thotë: sa i keq është vendqëndrim i tyre, i cili është Zjarri! Sepse ata u treguan mendjemëdhenj ndaj të vërtetës, dhe si pasojë e kësaj, Allahu i shpërbleu në bazë të llojit të veprave të tyre, duke i poshtëruar dhe nënçmuar ata.

 

Pastaj, për banorët e Xhenetit, tha:

 وَسِيقَ الَّذِينَ اتَّقَوْا رَبَّهُمْ

Kurse ata që ia patën frikën Zotit të tyre, do të drejtohen...”

Duke e bërë adhurim të veçantë vetëm për Allahun; duke iu bindur Atij me bërjen e veprave të mira. Ata do të drejtohen drejt Xhenetit me nderime dhe dashamirësi; do të mblidhen në grupe përkrah më fisnikëve.

 

إِلَى الْجَنَّةِ زُمَرًا

“...për në Xhenet në grupe...”

Të gëzuar dhe të lumtur. Çdo grup do të hyjë në Xhenet me grupin tjetër, me të cilët përkojnë në vepra.

 

حَتَّى إِذَا جَاءُوهَا

“...derisa të arrijnë tek ai...”

Do të thotë: do të mbërrijnë pranë atyre tokave të gjëra (të Xhenetit) dhe shtëpive me bukuri mahnitëse; do t’u fryjë atyre aroma dhe era e lehtë e tyre, dhe të vijë koha e përjetshmërisë dhe bollëkut.

 

وَفُتِحَتْ

“...do të hapen...”

Për ata.

 

أَبْوَابُهَا

“...dyert e tij...”

 

Hapje me nderime, për krijesat më të ndershme, që të nderohen në të.

 

وَقَالَ لَهُمْ خَزَنَتُهَا

“...dhe rojtarët e tij do të thonë...”

Si përshëndetje për ta dhe si mirëpritje:

سَلَامٌ عَلَيْكُمْ

Selamun ‘alejkum (qofshi të shpëtuar).”

Do të thotë: jeni të shpëtuar dhe të siguruar nga çdo fatkeqësi dhe çdo sherr.

 

طِبْتُمْ

“...ju keni vepruar mirë (ishit të mirë e të pastër)...”

Zemrat tuaja u pastruan dhe u përmirësuan me njohjen e Allahut, dashurinë ndaj Tij, frikë-respektin ndaj Tij, përmendjen e Tij si dhe gjymtyrët tuaja me bindjen ndaj Tij. Dhe për shkak të veprave tuaja të mira:

فَادْخُلُوهَا خَالِدِينَ

“...andaj hyni në të që të jetoni përgjithmonë.”

Sepse ajo është Shtëpia e Mirë (Xheneti), dhe nuk ju takon vetëm se të mirëve. 

 

Për Zjarrin tha:

حَتَّىٰ إِذَا جَاءُوهَا فُتِحَتْ أَبْوَابُهَا

 “...kur ata arrijnë tek ai (Zjarri), dyert e tij hapen (menjëherë)...” Ez-Zumer, 71

 

Kurse për Xhenetin tha:

حَتَّىٰ إِذَا جَاءُوهَا وَ فُتِحَتْ أَبْوَابُهَا

“...kur ata arrijnë tek ai dhe dyert e tij (Xhenetit) hapen...” Ez-Zumer, 73

 

Me (shkronjë) “وَ  - uau (dhe).”

 

Kjo është shenjë se banorët e Xhehenemit, vetëm me të arritur përpara dyerve të tij, ato do t’u hapen atyre menjëherë dhe pa ndonjë paralajmërim, dhe me qëllim që hapja e dyerve të tij përballë fytyrave të tyre dhe me mbërritjen e tyre, të jetë me nxehtësinë më të madhe dhe me dënimin më të rëndë.

 

Kurse Xheneti, është vendbanim i lartë, i shtrenjtë; jo çdonjëri arrin tek ai, përveç se ai që përmbush shkaqet të cilat shpijnë tek ai. Megjithëkëtë, për të hyrë tek ai, ata do të kenë nevojën për ndërmjetësimin e ndërmjetësve më fisnikë. Kështu që, dyert e tij nuk do t’u hapen sapo të kenë arritur aty, porse do të kërkojnë prej Allahut ndërmjetësimin e Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – që ai të ndërmjetësojë, kështu Allahu i Lartësuar do t’ia mundësojë ndërmjetësimin. 

 

Përktheu: Jeton Shasivari