Autor: Salih bin Abdul-Azijz Aali-Shejkh

Burimi: Shpjegimi i librit “Keshfu Shubuhat,” kaseta 13

 

Nga kjo përfitohet gjithashtu njohja e fjalës që thotë injoranti “Ne e kemi kuptuar Teuhidin”, se kjo është prej injorancës më madhore dhe prej kurtheve të Shejtanit. Sepse nuk mund të thuhet “Ne e kemi kuptuar Teuhidin, prandaj duam diçka tjetër në vend të Teuhidit”, sepse Teuhidi harrohet, çështjet e tij të përzihen dhe dalin forma të reja të shirkut me kalimin e kohës. Prandaj duhet patjetër mësimi i Teuhidit dhe sqarimi i çështjeve të tij. Shejtani i bën njerëzit që ta harrojnë bazën e Teuhidit dhe çështjet e tij, në mënyrë që t’i hedhë ata në shirk. E për këtë arsye, ju e dini hadithin e Ibën ‘Abbasit që ka ardhur në Sahihun e Bukharit, kur u adhuruan njerëzit e devotshëm nga populli i Nuhut. Ibën ‘Abbasi, duke nxjerrë në pah një çështje madhështore, tha: “Kur ata bënë fotot e njerëzve të devotshëm, atyre u erdhi Shejtani…” e vazhdon historia gjer në fund, që është te hadithi të cilin e transmeton ‘Atta nga Ibën ‘Abbasi. Ai tha: “Kur u fshi dituria, atëherë u adhuruan njerëzit e devotshëm.”

Te fjala e tij “kur u fshi dituria” ka dy dobi:

Dobia e parë: është se dituria mbasi ka qenë e pranishme mund të largohet, dhe ajo largohet kur e neglizhon atë.

Dobia e dytë: është se fjala e Ibën ‘Abbasit: “Kur u fshi dituria”, do të thotë që ajo iku gradualisht, e kjo tregon që dituria e Teuhidit nuk ikën e gjithë përnjëherësh nga njerëzit, por ikën gradualisht, derisa të fshihet fare. Ajo nuk fshihet, nuk ngrihet lartë përnjëherësh, porse fshihet gradualisht, shuhet si shkak i neglizhencës së njerëzve dhe pakujdesisë së tyre ndaj kësaj baze madhështore.

Muhamed Ibën ‘Abdul-Uehabi tha: “Nga kjo përfitohet gjithashtu njohja e fjalës që thotë injoranti “Ne e kemi kuptuar Teuhidin”, se kjo është prej injorancës më madhore dhe prej kurtheve të Shejtanit.”

Këtë fjalë “Ne e kemi kuptuar Teuhidin” e kanë thënë disa nxënësa të Shejkh Muhamed Ibën ‘Abdul-Uehabit, i cili është imami i davetit. Ia thanë këtë fjalë në mësimin e tij, sepse kur ai e mbaroi deri në fund leximin e librit të Teuhidit dhe sqarimin e çështjeve të tij, pastaj deshi ta përsëriste prapë për herë të tretë apo për herë të katërt, atëherë ata i thanë atij: “O shejkh, duam libër tjetër, duam ndonjë libër fik`hu apo hadithi!” Ai tha: “Përse?” Ata thanë: “Ne e kuptuam Teuhidin, duam ndonjë dituri tjetër.” Ai u tha atyre: “Më jepni kohë sa ta shqyrtoj këtë çështje.”

Pastaj mbas disa ditësh, erdhi që t’i pyesë ata. U ul te vendi ku mbante mësimin, mirëpo ai dukej shumë i shqetësuar në fytyrën e tij. Ata i thanë: “Çfarë ka ndodhur o Shejkh?” Ai tha: “Më njoftuan për diçka që më shqetësoi!” Ata i thanë: “Çfarë është ajo?” Ai tha: “Më njoftuan se te një shtëpi në Dir’ijeh therën pronarët e shtëpisë një gjel te dera e shtëpisë, përpara se të futen në shtëpi. Donin që të futen në shtëpi, por përpara se të futen në shtëpi, ata therën një gjel te dera, derisa rrodhi gjaku te pragu i derës. Unë dërgova dikë që ta verifikojë këtë çështje, pastaj do të veprojmë ashtu siç duhet.”

Kur erdhi Shejkhu të nesërmen, nxënësat i thanë: “Çfarë ndodhi o Shejkh me atë personin…?” Ai tha: “Mora vesh që çështja nuk ishte ashtu.” Ata i thanë: “E çfarë more vesh?” Ai u tha atyre: “Mora vesh që të zotët e asaj shtëpie nuk e kishin bërë atë gjë, porse filani kishte bërë zina me mamanë e tij!” Ata thanë: “Allahu na ruajttë! Qysh paska bërë zina me mamanë e tij!! Allahu na ruajttë! Qysh paska bërë zina me mamanë e tij!! Dje nuk ishte çështja kështu, dje ishte çështje më e lehtë, porse kjo që ka bërë zina me mamanë, kjo qenka Allahu na ruajttë!”

Pra, Shejkhu Muhamed Ibën ‘Abdul-Uehabi e tha këtë fjalë: “Nga kjo ti mëson se fjala e injorantit “Ne e kemi mësuar Teuhidin” është prej injorancës më madhore dhe prej kurtheve të Shejtanit”

Muhamed Ibën ‘Abdul-Uehabi tha: “Nga kjo përfitohet gjithashtu njohja e fjalës që thotë injoranti “Ne e kemi kuptuar Teuhidin”, se kjo është prej injorancës më madhore dhe prej kurtheve të Shejtanit.” Sepse ata e konsideruan gjynahun e madh si diçka shumë të rëndë, ndërsa shirkun e madh që iu bë Allahut, i cili të nxjerr nga feja, zemrat e tyre nuk e refuzuan. Përse nuk e refuzuan zemrat e tyre këtë formë të shirkut, që është derdhja e gjakut te pragu i derës, kur do që të hysh te shtëpia e re? Sepse ata nuk e dinë që kjo formë bëhet me qëllim që t’u afrohesh xhinëve, që të largosh sherrin e tyre apo që të largosh sherrin e atyre që mund të të hanë me sy. Kjo formë bëhet duke ofruar kurban për dikë tjetër në vend të Allahut, gjë që është shirk i madh ndaj të Adhuruarit të Madhëruar dhe të Lartësuar.

Pra, ata e konsideruan gjynahun e madh si gjë shumë të rëndë, ndërsa shirkun e madh që iu bë Allahut të Madhëruar e të Lartësuar, ata nuk e konsideruan si gjë shumë të rëndë. Kjo ndodh sot po njësoj – siç e shikoni edhe ju – te disa injorantë të cilët nëse shohin disa gjynahe të mëdha, zemërohen dhe bëjnë potere. Ama nëse dëgjojnë që po i bëhet shirk i madh Allahut të Madhëruar e të Lartësuar, ata nuk luajnë nga vendi. Pra i keni parë ata njerëz që kur shohin apo dëgjojnë se në disa vende janë përhapur disa gjynahe në moral apo zina apo gjëra që të shpien në zina apo zhveshje e grave apo janë përhapur disa poshtërsi, zullume e gjërave të ngjashme, ata menjëherë ndizen dhe fillojnë të flasin. Ama nëse dikush prej tyre shikon që po i bëhet Allahut të Madhëruar e të Lartësuar shirk i madh, nëse shikon se është ndërtuar një tyrbe mbi varrin e dikujt që adhurohet në vend të Allahut të Madhëruar e të Lartësuar, apo shikon njerëzit që po therin kurban për dikë tjetër në vend të Allahut të Madhëruar e të Lartësuar, kur i lexon këto gjëra nëpër gazeta e libra, atij nuk i dridhet zemra për hakun më të madh, që është haku i Allahut.

Dhe ky është argument që tregon injorancën e tij, është argument që tregon se ai nuk e di se çfarë është e dobishme për veten e tij, sepse ky injorant po nuk e mësoi Teuhidin dhe të zemërohet zemra e tij për hakun e Allahut të Madhëruar e të Lartësuar, që Ai i vetëm e meriton adhurimin e askush tjetër pos Tij, atëherë ai njeri është në sherr. Andaj kush gjen në veten e tij se ai kur i shikon gjynahet zemërohet, ama kur shikon që Allahut të Madhëruar e të Lartësuar po i bëhet shirk i madh, zemra e tij nuk dridhet, atëherë ai duhet ta dijë që ai nuk e ka kuptuar Teuhidin dhe nuk e ka madhëruar Allahun e Madhëruar e të Lartësuar me madhërimin që meriton Ai.

Kështu që, ata të cilët thanë “Ne e kemi kuptuar Teuhidin”, ata janë injorantë dhe atyre iu fut Shejtani nëpërmjet kurthit më të madh, siç tha Shejkh Muhamed Ibën ‘Abdul-Uehabi, Allahu e mëshiroftë dhe i dhënë shpërblim të madh: “Nga kjo përfiton se duhet të bësh kujdes dhe duhet të mësosh se fjala e injorantit “Ne e kuptuam Teuhidin” është prej injorancës më madhore dhe prej kurtheve të Shejtanit.”

 

Përktheu: Alban Malaj

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org