Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq.17

 

Emri:

Es-Samed (الصَّمَدُ) [I Përsosuri Absolut, të Cilit ia ka nevojën çdo krijesë, kurse Ai nuk ka nevojë për askënd]

 

Ky emër ka ardhur në suren “el-Ikhlas” dhe kuptimi i tij është: Sunduesi Madhështor, i Cili është i Përsosur në dijen e Tij, në urtësinë e Tij, në vetpërmbajtjen e Tij, në fuqinë e Tij, në krenarinë e Tij, në madhështinë e Tij dhe në të gjitha cilësitë e Tij. Pra, ky emër i përmbledh shumë cilësi dhe ai është më i madhi i tyre. Atij i drejtohen të gjitha krijesat; Atë e synon gjithçka që ekziston, për të gjitha nevojat e tyre.

Pra, krijesat nuk kanë Zot tjetër veç Tij, e as nuk synojnë dikë tjetër veç Tij, që të kërkojnë ndihmë për rregullimin e çështjeve të tyre fetare dhe për rregullimin e çështjeve të tyre në dynja. Ata kërkojnë ndihmën e Tij për fatkeqësitë dhe problemet e tyre, si dhe i përgjërohen Atij kur i zënë hallet dhe belatë; i kërkojnë ndihmë Atij kur kanë vështirësi dhe mundime, ngase e dinë që vetëm Ai ua plotëson nevojat; Ai ua largon belatë, për shkak të dijes së Tij të përsosur, mëshirës së Tij të gjerë, butësisë, mirësisë së Tij, fuqisë së Tij të madhe, krenarisë dhe sundimit të Tij.

Ka transmetuar Ibën Xherir et-Taberij në “Tefsirin e tij” nga AbdUllah ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, se ai ka thënë: “Emri “es-Samed” do të thotë: drejtuesi i përsosur në drejtimin e tij; fisniku që është i përsosur në fisnikërinë e tij; madhështori që është i përsosur në madhështinë e tij; durimtari që është i përsosur në durimin e tij; i pasuri që është i përsosur në pasurinë e tij; i plotfuqishmi që është i përsosur në fuqinë e tij absolut; i dijshmi që është i përsosur në dijen e tij; i urti që është i përsosur në urtësinë e tij. Ai është i përsosur në të gjitha aspektet e fisnikërisë dhe madhështisë, e ky është Allahu i Lartësuar. Këto janë cilësitë e Tij të cilat nuk i takojnë askujt tjetër veç Tij.”

 

Përktheu: Alban Malaj