Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 25-26

 

Emrat:

El-‘Afu (العَفُوُّ) - Shlyesi i mëkateve

El-Gafuur (الغَفُورُ) - Falësi i madh

 

Allahu i Lartësuar ka thënë:  

﴿ذَلِكَ وَمَنْ عَاقَبَ بِمِثْلِ مَا عُوقِبَ بِهِ ثُمَّ بُغِيَ عَلَيْهِ لَيَنْصُرَنَّهُ اللَّهُ  إِنَّ اللَّهَ لَعَفُوٌّ غَفُورٌ

“Po, kështu është. Ai që merr hak për aq sa është dëmtuar, pastaj përsëri i bëhet padrejtësi, Allahu sigurisht që do ta ndihmojë atë. Allahu është Shlyesi i mëkateve dhe është Falësi i madh.” El-Haxh, 60

﴿فَأُولَئِكَ عَسَى اللَّهُ أَنْ يَعْفُوَ عَنْهُمْ  وَكَانَ اللَّهُ عَفُوًّا غَفُورًا

“Allahu me siguri që do t’i falë ata. Allahu është Shlyes i mëkateve dhe Falës i madh.” En-Nisa, 99

Emri “el-‘Afu’u” do të thotë: Ai që i fshin të këqijat dhe i falë mëkatet dhe ka kuptim të përafërt me emrin “el-Gafuur,” porse emri “el-‘Afu” ka kuptim më të gjerë, sepse emri “el-Gafuur” vjen prej fjalës “gufraan - غفران” që do të thotë mbulim i mëkateve, kurse “el-‘Afu’u” vjen prej fjalës “el-‘afu - العفو ” që do të thotë shlyerje e mëkateve. Kështu që, shlyerje e mëkateve është më e madhe se mbulimi i tyre. Këta dy emra kanë këto kuptime të përafërta kur përmenden njëri pas tjetrit, ndërsa kur përmenden veçmas çdo njëri mbart kuptim ndryshe nga tjetri.

Falja e Allahut të Lartësuar është dy llojesh:

Lloji i parë: Falja e përgjithshme (el-‘afu el-‘aam) për të gjithë kriminelët, siç janë qafirat dhe të tjerët duke i larguar prej tyre ndëshkimet shkaqet e të cilave janë realizuar dhe ata meritojnë që t’u ndërpriten begatitë. Pra, ata e fyejnë Allahun duke e sharë dhe duke i bërë ortak Atij si dhe shumë kundërshtime tjera që i bëjnë, kurse Ai u jep atyre mirëqenie, furnizim, i begaton ata me begati të dukshme e të padukshme; Ai ua jep dunjanë atyre; u jep nga begatitë dhe të mirat e dunjasë dhe u jep një afat të caktuar, porse nuk do t’ua shlyejë gjynahet dhe nuk do t’i mëshirojë ata (Ditën e Gjykimit).

Lloji i dytë: Falja e veçantë (el-‘afu el-khaas) dhe falja e Tij e veçantë për mëkatet e atyre që janë penduar, kërkojnë falje, i luten Atij, bëjnë adhurim për Të dhe për ata që janë goditur me fatkeqësi dhe shpresojnë në shpërblime. Pra, çdo kushdo që shfaq pendim të çiltër ndaj Tij dhe ky pendim është i sinqertë për Fytyrën e Allahut; është pendim i përgjithshëm i cili nuk shoqërohet me hezitim dhe këmbëngulje në mëkate, atëherë Allahu ia falë atij çfarëdo lloj mëkati, qoftë kufër, fusuk (mëkat i madh) apo mëkat i vogël, të gjitha këto bëjnë pjesë te fjala e Tij, të Lartësuarit:

﴿قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَى أَنْفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِنْ رَحْمَةِ اللَّهِ  إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا  إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ

“Thuaju robërve të mi, të cilët i kanë bërë keq vetes me gjynahe, mos i humbi shpresat në mëshirën e Allahut! Vërtetë Allahu i falë të gjitha gjynahet dhe pa dyshim se Ai është Falësi i madh, Mëshiruesi.” Ez-Zumer, 53

Dyert e shlyerjes dhe faljes së mëkateve janë të hapura. Allahu ka qenë, është dhe do të jetë Shlyes i mëkateve dhe Falës i madh. Allahu ka premtuar se do ta falë dhe t’ia shlyejë mëkatet atij që i bën shkaqet e shlyerjes, siç ka thënë Allahu i Pastri nga çdo mangësi:

﴿وَإِنِّي لَغَفَّارٌ لِمَنْ تَابَ وَآمَنَ وَعَمِلَ صَالِحًا ثُمَّ اهْتَدَى

“Nuk ka dyshim se Unë jam Falës i madh për atë që pendohet, beson dhe bën vepra të mira, pastaj udhëzohet.” Taha, 82

 

Përktheu: Jeton Shasivari