Bismilah...

Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 69-70

 

Emri: El-Uarith (الوَارِثُ) [Ai që mbetet pas shkatërrimit të krijesave, Trashëguesi]

 

Ky emër është përmendur në tre vende në Kur'an dhe në të tre vendet ka ardhur në shumës, e ato janë:

Fjala e të Lartësuarit:

وَإِنَّا لَنَحْنُ نُحْيِي وَنُمِيتُ وَنَحْنُ الْوَارِثُونَ

"S'ka dyshim se Ne e japim jetën dhe vetëm ne e sjellim vdekjen, e Ne jemi Trashëguesit e gjithçkaje." [El-Hixhr, 23]

Fjala e të Lartësuarit:

وَزَكَرِيَّآ إِذْ نَادَىٰ رَبَّهُۥ رَبِّ لَا تَذَرْنِى فَرْدًا وَأَنتَ خَيْرُ ٱلْوَٰرِثِينَ

"Përkujto kur Zekerija i thirri Zotit të tij e i tha: O Zoti im, mos më lër të vetëm, pa pasardhës, pa dyshim se Ti je Trashëguesi më i Mirë."  [El-Enbija, 89]

Fjala e të Lartësuarit:

وَكَمْ أَهْلَكْنَا مِن قَرْيَةٍ بَطِرَتْ مَعِيشَتَهَا ۖ فَتِلْكَ مَسَاكِنُهُمْ لَمْ تُسْكَن مِّن بَعْدِهِمْ إِلَّا قَلِيلًا ۖ وَكُنَّا نَحْنُ الْوَارِثِينَ

"E sa shumë vendbanime e popuj që ishin mosmirënjohës për atë jetesë, Ne i kemi shkatërruar. Këto janë vendbanimet e tyre dhe pak njerëz (më vonë) kanë banuar në to. Me të vërtetë që Ne jemi Trashëguesit." [El-Kasas, 58]

Emri "El-Uarith" do të thotë: Ai që mbetet pas shkatërrimit të krijesave. Çdokush përveç Tij, asgjësohet dhe çdo gjë përpos Atij, shkatërrohet. Ai, i Lartmadhëruari e i Lartësuari, është i Gjalli që nuk vdes kurrë; Ai që mbetet e nuk asgjësohet. Tek Ai është kthimi dhe përfundimi. Tek Ai është fundi dhe destinacioni. Mbretërit dhe mbretëritë e tyre shkatërrohen, ndërsa i Lartësuari i trashëgon të gjitha krijesat, sepse Ai mbetet ndërsa ata zhduken. Ai është i Përhershëm e ata shkatërrohen.

Ndërsa Fjala e Tij:

وَإِنَّا لَنَحْنُ نُحْيِي وَنُمِيتُ وَنَحْنُ الْوَارِثُونَ

"S'ka dyshim se Ne e japim jetën dhe vetëm ne e sjellim vdekjen, e Ne jemi Trashëguesit e gjithçkaje." [El-Hixhr, 23]

Ky ajet do të thotë: Ne e trashëgojmë Tokën dhe çfarë ka në të, duke i vdekur të gjithë ata e nuk mbetet i gjallë askush përveç Nesh kur të vijë ai çast. Pra, çdo gjë zhduket dhe vdes, e do të ngelet Allahu, i Vetmi dhe i Gjalli i Cili nuk vdes kurrë.

Ky ajet e përkujton atë i cili preokupohet për dunjanë dhe e ka bërë atë të shkujdesur për atë që është krijuar dhe ka ardhur në ekzistencë për realizimin e saj, e që është se dunjaja dhe çdo gjë që ka në të prej fillimit e deri në fundin e saj, do të largohet prej tyre dhe ata do të largohen prej saj, ndërsa Allahu do ta trashëgojë tokën dhe çfarë ka në të. Pastaj do t'i kthejë ata për t'i shpërblyer sipas asaj që kanë punuar në të.

Në hutben e fundit që Umer Ibn Abdul-'Aziiz ka mbajtur pasi që ka falenderuar dhe lavdëruar Allahun, ka thënë: "Më pas them: Me të vërtetë që ju nuk jeni krijuar kot dhe nuk jeni lënë pa përgjegjësi! Vërtet që për ju do të ketë një vendtakim ku Allahu do të zbresë për të gjykuar dhe për të bërë ndarje midis jush. Kështu që, ka dështuar dhe është shkatërruar ai që ka dalë prej Mëshirës së Allahut dhe është privuar nga Xhenneti gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe toka. A nuk e di ti se askush nuk është i sigurt për të nesërmen, përveç atij që ka bërë kujdes dhe i është frikësuar të sotshmes, e ka shitur këtë të përkohshmen për atë të përhershmen, këtë të paktën për atë të shumtën dhe frikën për sigurinë?! A nuk e shikoni se ju jeni prej të fortëve që do të shuheni dhe pas jush do të vijnë të tjerë derisa të ktheheni te më i Miri Trashëgues?! Pastaj, ju çdo ditë po përcillni një të vdekur tek Allahu i Plotëfuqishmi dhe i Madhëriar. Atë të vdekur ne e duam dhe jeta e tij përfundoi. Atë lëshoni në gropën e varrit në tokë, brendia e të cilit nuk është e rehatshme dhe as e shtruar. Ai është ndarë nga të dashurit, e ka prekur tokën dhe është përballur me llogarinë. Ështe bërë peng i veprës së tij; s’është nevojtar për atë që e ka lënë mbrapa dhe është shumë nevojtar për atë që e pret përpara. Andaj, o robërit e Allahut, frikësojuni Allahut përpara se të përfundonjë afatet që Ai i ka caktuar për ju dhe përpara se t’ju vijë vdekja. Pastaj Umer ibn Abdul-Azizi e mbuloi fytyrën me qoshin e rrobave dhe qau. Edhe ata që ishin të pranishëm aty qanë.” Allahu i Lartësuar e mëshiroftë atë.

 

Përktheu: Servet Mata