Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 103-104

 

Emri: El-Uitr (الْوِتْرُ) [Ai është Tek, i Vetmi, i Pashembullti]

Ky është një emër që është vërtetuar në Sunet. Në Dy Sahihët është transmetuar nga Ebu Hurejrah, radijAllahu anhu, se Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë:

"‏ لِلَّهِ تِسْعَةٌ وَتِسْعُونَ اسْمًا، مِائَةٌ إِلاَّ وَاحِدًا، لاَ يَحْفَظُهَا أَحَدٌ إِلاَّ دَخَلَ الْجَنَّةَ، وَهْوَ وَتْرٌ يُحِبُّ الْوَتْرَ ‏"‏‏.‏

"Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra, njëqind pa një. Kushdo që i mëson ato, do të hyjë në Xhennet. Ai është Tek dhe e do namazin tek (vitrin)."

Emri "el-Uitru" do të thotë: i Vetmi i Cili është i Pashoq dhe nuk ka të ngjashëm me Të. Ai është një emër që tregon se Allahu, i Pastri prej të metave, është Një i Vetëm dhe tregon përse ai veçohet nga të gjithë me cilësitë e Tij të Plota e të Madhërishme dhe se Ai është i Pashoq e i Pashembullt në cilësitë e Tij.

Në Kur'anin Fisnik ka shumë tekste që tregojnë për mohimin e ortakërisë, shëmbëllimit dhe krahasimit; vet emërtimi i Tij me emrin “Allah” është argument për këtë gjë dhe e pohon këtë në mënyrën më të qartë.

Besimi se Allahu është Tek dhe i Vetëm, tregon për mohimin e ortakërisë së Tij në çdo aspekt, në Veten e Tij, Cilësitë e Tij dhe Veprat e Tij dhe tregon për pohimin se Ai, i Pastri prej të metave, është i Vetmi në Madhështi, Përsosmëri, Lavdi, Krenari dhe Madhërim.

Gjithashtu ky emër pohon se vetëm Allahu ka shpikur të gjitha krijesat dhe i ka sjellë ato në ekzistencë, dhe se Ai vepron çfarë të dëshirojë me to. Kështu që, Ai nuk ka ortak, as të ngjashëm, as të barabartë e as të shembullt.

Ky pohim tregon se është obligim që vetëm Ai të veçohet përmes nënshtrimit, përgjërimit, dashurisë, shpresës, mbështetjes, kthimit tek Ai dhe përmes të gjitha llojeve të tjera të adhurimit.

Ka thënë Ebul Abbas el-Kurtubij, Allahu e mëshiroftë: "Me emrin "el-Uitr" është për qëllim Teuhidi, kështu kuptimi i tij është: Allahu është i Vetëm dhe Unik në Veten e Tij, Përsosmërinë e Tij dhe Veprat e Tij. Ai e do Teuhidin, që do të thotë:  që ai të veçohet me adhurime dhe të besohet se Ai është i Vetëm dhe Unik, ndryshe nga krijesat e Tij. Kështu përputhet fillimi i hadithit me fundin e tij dhe kuptimi sipërfaqsor i hadithit me kuptimin e brendshëm të tij."

Pra, fillimi i hadithit tregon se Allahu është Unik dhe i Vetëm në madhështi, përsosmëri, krijim, veprim dhe sistemim e krijesave, ndërsa fundi i hadithit është nxitje për Teuhid duke e sqaruar dashurinë e Tij, të Pastrit prej të metave, për njerëzit e Teuhidit të cilët e zbatojnë dhe e veprojnë atë.

Allahu ka sqaruar në Kur'anin Fisnik se ata që marrin ndërmjetës, i kanë bërë shirk Atij dhe se ata ndërmjetës nuk posedojnë për adhuruesit e tyre asgjë prej të mirës dhe dobisë. Thotë Allahu i Lartësuar:

وَيَعْبُدُونَ مِن دُونِ ٱللَّهِ مَا لَا يَضُرُّهُمْ وَلَا يَنفَعُهُمْ وَيَقُولُونَ هَٰؤُلَآءِ شُفَعَٰؤُنَا عِندَ ٱللَّهِ ۚ قُلْ أَتُنَبِّـُٔونَ ٱللَّهَ بِمَا لَا يَعْلَمُ فِى ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَلَا فِى ٱلْأَرْضِ ۚ سُبْحَٰنَهُۥ وَتَعَٰلَىٰ عَمَّا يُشْرِكُونَ

"... dhe adhurojnë bashkë me Allahun ata që nuk u bëjnë dëm e as dobi, duke thënë: ‘Këta janë ndërmjetësit tanë tek Allahu.’ Thuaju: ‘A mos po e njoftoni ju Allahun për diçka që Ai nuk di se çfarë ka në qiej dhe në tokë?’ I Pastër nga të metat dhe i Lartësuar është Ai nga të tjerë që ju ia shoqëroni në adhurim." [Junus, 18]

Pra, ai që vë ndërmjetës mes tij dhe Allahut, është politeist; ndërmjetësimi i ndërmjetësit nuk do t’i bëjë dobi atij dhe as që do të ndërmjetësohet për të. Ndërsa Ai që e cakton Allahun të Vetëm për Zot të tijin, të adhuruarin e tij, të dashurin e tij, shpreson tek Ai, i frikësohet vetëm Atij, vetëm te Ai kërkon afrim, kërkon kënaqësinë e Tij, ruhet prej zemërimit të Tij, të Pastrit prej të metave, atëherë ky është besimtar që i përkushtohet vetëm Allahut me adhurim. Ky do të ketë përfundim të lavdishëm dhe lumturi dhe gëzim në këtë botë dhe në botën tjetër.

Allahu na dhëntë sukses në realizimin e kësaj dhe na bëftë me begatinë dhe bujarinë e Tij prej banorëve të Xheneteve të begatshme.

 

Përktheu: Servet Mata