Bismilah...

Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 67

 

Emri: El-Karib (الْقَرِيبُ) – [Ai që është afër me dijen dhe fuqinë e Tij]

 

Emri “El-Karib” ka ardhur në Kur`anin Fisnik në tre vende, që janë Fjala e Allahut të Lartësuar:

﴿وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌۖ أُجِيبُ دَعۡوَةَ ٱلدَّاعِ إِذَا دَعَانِۖ فَلۡيَسۡتَجِيبُواْ لِي وَلۡيُؤۡمِنُواْ بِي لَعَلَّهُمۡ يَرۡشُدُونَ

 E nëse të pyesin ty robërit e Mi, në të vërtetë unë jam afër, i përgjigjem lutjes së lutësit kur ai më lutet Mua, andaj le të më luten Mua dhe të më besojnë Mua, që ata të udhëzohen.” [el-Bekarah, 186]

Gjithashtu, është Fjala e Tij:

﴿قُلۡ إِن ضَلَلۡتُ فَإِنَّمَآ أَضِلُّ عَلَىٰ نَفۡسِيۖ وَإِنِ ٱهۡتَدَيۡتُ فَبِمَا يُوحِيٓ إِلَيَّ رَبِّيٓۚ إِنَّهُۥ سَمِيعٞ قَرِيبٞ

Thuaj: nëse unë devijoj, në të vërtetë unë kam devijuar veçse në dëm të vetes sime, e nëse udhëzohem, kjo ndodh veçse nëpërmjet shpalljes që ma jep Zoti im, e me të vërtetë që Ai dëgjon dhe është afër.” [Sebe’e, 50]

Gjithashtu, është Fjala e Tij:

﴿۞وَإِلَىٰ ثَمُودَ أَخَاهُمۡ صَٰلِحٗاۚ قَالَ يَٰقَوۡمِ ٱعۡبُدُواْ ٱللَّهَ مَا لَكُم مِّنۡ إِلَٰهٍ غَيۡرُهُۥۖ هُوَ أَنشَأَكُم مِّنَ ٱلۡأَرۡضِ وَٱسۡتَعۡمَرَكُمۡ فِيهَا فَٱسۡتَغۡفِرُوهُ ثُمَّ تُوبُوٓاْ إِلَيۡهِۚ إِنَّ رَبِّي قَرِيبٞ مُّجِيبٞ

Edhe popullit të Themudit u dërguam vëllain e tyre, Salihun, i cili tha: “O populli im, adhuroni Allahun se ju nuk keni të adhuruar tjetër me të drejtë përpos Atij, Ai i Cili ju nxorri juve nga dheu, ju bëri juve mëkëmbës në të. Pastaj, pendohuni tek Ai se me të vërtetë që Ai është afër dhe përgjigjet.” [Hud, 61]

Afërsia e Allahut që tregojnë këto ajete, është afërsi e veçantë për ata që e adhurojnë Atë, e duan, i luten dhe i binden Atij, është një afërsi që nuk dihet realiteti i saj, mirëpo dihen rezultatet e saj nga butësia që tregon Ai me ta, nga suksesi që u jep atyre, nga kujdesi i Tij për ta, nga përgjigjja e Tij për ata që i luten Atij, si dhe nga shpërblimi që u jep atyre të cilët e adhurojnë Atë.

Kanë ardhur në Sunet hadithe të shumta autentike, të cilat tregojnë për afërsinë e Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm me robërit e Tij dhe robërit e Tij të devotshëm që Ai i do, se Ai e dëgjon lutjen e tyre, i përgjigjet thirrjes së tyre dhe e plotëson kërkesën e tyre. Ka ardhur në librat e dy Sahihëve, nga Ebu Musa el-Esh’arij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ai ka thënë: Ishim me Profetin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në një udhëtim dhe njerëzit filluan të bënin tekbire me zë të lartë. Atëherë, Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha:

كنا مع النبي -صلى الله عليه وسلم- في سفر، فكنا إذا أشْرَفْنَا على واد هَلَّلْنَا وكبَّرْنَا وارتفعت أصواتنا، فقال النبي -صلى الله عليه وسلم-: يا أيها الناس، ارْبَعُوا على أنفسكم، فإنكم لا تدعون أصمَّ ولا غائباً، إنَّه معكم، إنَّه سميع قريب.

O ju njerëz! Mos i mundoni vetet tuaja sepse në të vërtetë ju nuk po i luteni ndonjë të shurdhëti apo dikujt që nuk është i pranishëm, në të vërtetë ju po i luteni Atij që dëgjon dhe është afër dhe Ai është me ju.”

Ka ardhur gjithashtu në dy librat e Sahihëve, nga Ebu Hurajrah, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i cili ka thënë:

ومن تقرَّبَ إليَّ شبرًا تقربْتُ منه ذراعًا ومن تقرَّبَ إلي ذراعًا تقربتُ منه باعًا ، ومن أتاني يمشي أتيتُه هرولةً

Ka thënë Allahu i Plotfuqishëm e i Madhërishëm: “Kush më afrohet Mua sa një pëllëmbë, Unë i afrohem atij sa një parakrah, e kush më afrohet Mua sa një parakrah, Unë i afrohem atij sa një krah, e kush vjen tek Unë duke ecur, Unë i shkoj atij nxitimthi.”

 

Përktheu: Alban Malaj