Nga Dijetari i Nderuar, Shejkh Salih Ibn Feuzan el-Feuzan 1


Burimi: Troid.org

Pyetje: Ka disa njerëz këtu, të cilët qëndrojnë larg mësimeve të Akides dhe thonë: “Ne jemi Muslimanë, ne nuk jemi mosbesimtarë apo idhujtarë që të mësojmë Akiden apo që të marrim pjesë në mësimet që mbahen rreth saj!” Çfarë mendimi keni rreth kësaj, pra, Shejkh i nderuar?

 

Përgjigje: T’u mësosh Muslimanëve Akiden (e saktë) nuk do të thotë se i kemi gjykuar ata si mosbesimtarë. Por, ne i mësojmë Muslimanëve Akiden me qëllim që ata të kenë njohuri të plotë rreth saj dhe atyre çështjeve të cilat e bëjnë të pavlerë Akiden dhe çështjet që e kundërshtojnë atë. Hudhejfeh Ibnul-Jeman, një nga sahabët e dalluar (radij-Allahu anhu) ka thënë:

 

“Njerëzit e pyesnin të Dërguarin për hajrin (atë që është e mirë) kurse unë e pyesja për sherrin (atë që është e keqe) nga frika se mos përfundoja në të.”2

 

Poashtu, Umer Ibnul-Khattab (radij-Allahu anhu) ka thënë: “Shumë shpejt hallkat e Islamit do të zbërthehen pak nga pak sepse njerëzit do të hyjnë në Islam por do të jenë të padijshëm rreth Xhahilijetit (praktikave të injorancës që i kundërshton Islami).”3

 

Prandaj, kur u mësojmë Akiden, kjo nuk do të thotë se i kemi gjykuar si jo-Muslimanë ata të cilët po i mësojmë. Por, ajo çfarë nënkupton kjo është se ne dëshirojmë që ata të kenë dije të plotë për Akiden e saktë Islame, në mënyrë që të kapen fort pas saj, të ruhen nga ato gjëra që e kundërshtojnë atë dhe kështu, të qëndrojnë larg prej tyre. Allahu i Lartësuar ka thënë duke iu drejtuar Profetit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)(përkthimi kuptimit të ajetit):

“Dije pra se La ilahe il-lAllah (d.m.th. duhet të kesh dije se askush nuk meriton dhe nuk ka të drejtë të adhurohet përveç Allahut) dhe kërko falje për gjynahet e tua dhe gjynahet e besimtarëve dhe besimtareve.”

[Muhamed, 19]

 

Pra, është e domosdoshme për një person që të mësojë dhe të mos kënaqet me veten e tij thjesht duke thënë: “Unë jam Musliman.” Po, vërtet ti je Musliman, uelhamdulil-lah! Megjithatë, sikur të pyetej ndonjëri prej jush se çfarë do të thotë Islam ose t’i kërkohej që të shpjegojë çfarë është Islami, atëherë shumë prej jush nuk do ishin të aftë që ta shpjegonin. Sikur ndonjërit prej jush t’i kërkohej që t’i shpjegojë ato shkaqe që e anulojnë/zhvlerësojnë Islamin, atëherë shumë prej jush nuk do ishin të aftë që ta shpjegonin.

 

Prandaj, nëse personi është injorant (rreth këtyre çështjeve themelore), ka mundësi që ai të bjerë në Batil (në të pavërtetën, në të kotën, në Shirk, Kufër, Bidat, etj…) pa e kuptuar fare. Sikur ndonjërit prej jush t’i kërkohej që të shpjegojë shtyllat e Islamit apo ato të Imanit, të cilat i ka shpjeguar dhe na i ka mësuar i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), do të gjejmë se pjesa më e madhe e njerëzve janë të paaftë për këtë gjë. E si është puna atëherë kur personi mjaftohet duke thënë ‘Unë jam Musliman’ ndërkohë që nuk ia ka idenë fare këtyre çështjeve (themelore)!

 

Për fat të keq, shumë nga davetçinjt vetë janë të padijshëm rreth (të tilla çështjeve themelore si) kushteve të Namazit ose janë të padijshëm për sa u përket rregullave të abdesit dhe atyre gjërave që e prishin abdesin. Madje disa prej tyre nuk i njohin as shtyllat e Namazit apo obligimet (uaxhibatet) e tij apo ato gjëra që e prishin Namazin. Atëherë në çfarë Islami po thërrasin ata? Islami nuk është thjesht thirrje, por është një realitet që duhet të mësohet dhe të praktikohet.

 

Kështu që, është e domosdoshme të mësohet dija e pastër dhe kuptimi i Fesë., për shkak se personi i cili nuk ka dije të pastër mund të bjerë në rreziqe pa e kuptuar fare, ashtu si personi që ecën në një rrugë por është injorant për faktin se përgjatë rrugës së tij është një kanal ose ndonjë gropë, ose ndoshta mund të jetë ndonjë pritë. Por prapëseprapë (për shkak të injorancës) ai përfundon në gropë apo në pritë pa e kuptuar fare.

 

Kështu që mësimi i Teuhidit është i domosdoshëm sepse Teuhidi është themeli bazë (i Fesë dhe i Akides së saktë). Me të vërtetë, askush nuk largohet nga mësimi i Teuhidit (dhe i atyre çështjeve që t’i imponon ai, si kufijtë e tij, kushtet, parimet themelore, argumentet e qarta, frytet dhe pasojat e tij, ato çështje të cilat e shtojnë dhe e përforcojnë atë dhe ato që e pakësojnë dhe e dobësojnë atë, etj.) përveç njërit nga këta dy lloje njerëzish:

 

[1] personi injorant – dhe mendimit të injoranti nuk duhet t’i kushtohet aspak vëmendje,

[2] ose një i devijuar fanatik, i cili do që t’i largojë njerëzit nga Akideja e pastër e Teuhidit dhe t’i mbajë të fshehta nga njerëzit besimet e tij të pabaza dhe besimet e tjera të devijuara të cilat i janë atribuar Islamit. Ka mundësi që kjo të vijë nga shkujdesja e shumë prej atyre që i largohen mësimit të Teuhidit. Allahu i Lartësuar ka thënë (përkthimi i kuptimit të ajetit):

“Dhe nuk është e pështatshme për besimtarët të dalin për luftë të gjithë bashkë. Nga çdo grup i tyre vetëm një pjesë duhet të marshojë, me qëllim që ata që rrinë pas të njihen me fenë (Islame) dhe që të mund t’i këshillojnë njerëzit e tyre kur të kthehen tek ata dhe që të mund të jenë të vetëdijshëm (për të keqen).”

[Teube, 122]

 

Gjithashtu, i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën i jep kuptimin e Fesë.”4

 

Kuptimi i këtij hadithi është se kurdoqoftë që Allahu nuk ia do të mirën një personi, Ai nuk ia jep atij kuptimin e Fesë. Prandaj ai që thotë “Unë s’kam nevojë ta mësoj Akiden”, është njësoj sikur po thotë: “Unë s’kam nevojë të arrij kuptimin e Fesë! Dhe këtë e thotë ose ndonjë person injorant, ose ai që është i devijuar!

 

1 el-Munteka min Fetaua (1/303-306)

2 Transmetuar nga Bukhari (n.3606) dhe Muslimi (n.1847).

3 Transmetuar nga Ibn Tejmija në Mexhmu’ul-Fetaua (10/301)

4 Transmetuar nga Bukhari (1/25) nga Mu’auija (radij-Allahu anhu).

 

Përktheu Alban Malaj