Autor: Shejkh Salih ibën Feuzan El-Feuzan

Burimi: el-Munteka min Fetaua Shejkh el-Feuzan, vëll. 5/ fq. 137, fetvaja n. 213

 

 

Pyetje: Cilat janë kushtet që duhet të përmbushin gratë muslimane në këtë muaj fisnik?

 

Përgjigje: Kushtet që duhet të përmbushin gratë muslimane në këtë muaj fisnik janë:

1- Kryerja e agjërimit në mënyrën më të përsosur, pasi ai është një nga shtyllat e Islamit dhe nëse has diçka që e pengon prej agjërimit siç janë: menstruacionet, lehonia apo që ua vështirëson agjërimin si: sëmundja, udhëtimi, shtatzënia apo gjidhënia, ato e prishin agjërimin për një nga këto arsye me qëllim kompensimin e tij në ditë të tjera.

2- Të jenë të pandashme nga përmendja e Allahut, që nga leximi i Kur’anit, tesbihu (SubhanAllah), tahlili (La ilahe il-lAllah), tahmidi (Elhamdulilah), tekbiri (Allahu Ekber), kryerja e namazeve farz në kohë, shtimi i namazeve nafile, por jo në kohët kur ndalohet namazi.

3- Ruajta e gjuhës prej fjalëve të ndaluara si: përgojimi, thashethemet, thënia e gjërave jo të vërteta, ofendimet, sharjet, ulja e shikimit nga gjërat haram si filmat e prishur, imazhe të paturpshme dhe shikimi i meshkujve me epsh.

4- Të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të dalin veçse në rast nevoje. E kur dalin të jenë mbuluara, modeste e të ndrojtura, të mos përzihen me meshkuj apo të bëjnë biseda të dyshimta me ta drejtpërdrejt ose nëpërmjet telefonit. Allahu i Lartësuari ka thënë:

فَلا تَخْضَعْنَ بِالْقَوْلِ فَيَطْمَعَ الَّذِي فِي قَلْبِهِ مَرَضٌ وَقُلْنَ قَوْلا مَعْرُوفًا (٣٢

“Dhe mos flisni me përkëdheli, që t’u lakmojë ai që ka sëmundje në zemër por, flisni drejt e në mënyrë të ndershme.” el-Ahzab, 32

Dhe disa gra ose shumica prej tyre e kundërshtojnë moralin sheriatik në Ramadan e po ashtu në kohë të tjera dhe dalin nëpër tregje tejet të zbukuruara, të parfumosura e jo të mbuluara ashtu siç duhet, bëjnë shaka me shitësit, e zbulojnë fytyrën ose vendosin në të mbulesë që nuk mbulon gjë, nxjerrin krahët dhe kjo është haram e njëkohësisht shkak fitneje dhe gjynahu i tij në Ramadan është më i madh për shkak se bëhet në muajin e shenjtë.”

  

Përktheu: Umm ‘Akil