Autor: Shejkh Rabij' Ibn Hadi el-Medkhalij

Pyetje: Si pendohet ai që bie në bidat apo në hizbije?

Përgjigje: “Ai e pranon veprën në të cilën ka rënë ose bidatin ku ka rënë. Gjithashtu, ai duhet ta sqarojë pavërtetësinë e veprës së tij, siç ka thënë Allahu Tebarake ue Te’ala:

إِلا الَّذِينَ تَابُوا وَأَصْلَحُوا وَبَيَّنُوا

Përveç atyre që pendohen, përmirësohen dhe bëjnë sqarim (për çështjen e tyre)...” [el-Bekare, 160]

Pra, ai duhet të përmendë bidatin në të cilin kishte rënë, duhet ta sqarojë pavërtetësinë e tij, të shfaqë keqardhjen (që ra në atë bidat) dhe duhet të deklarojë braktisjen e atij veprimi (që është bidat) duke patur vendosmërinë për të mos u kthyer më kurrë tek ai (bidat).

Këto janë kushtet e pendimit: një ndjenjë e vërtetë keqardhjeje, braktisja (e bidatit) dhe vendimi i patundur për të mos iu kthyer më bidatit të tij.

Dhe nëse ai u ka bërë dëm njerëzve - Allahu ju bekoftë - dhe bidati i tij është përhapur midis tyre, atëherë ai duhet ta sqarojë hapur pavërtetësinë e tij dhe duhet të përhapë argumentin që vërteton pavërtetësinë e asaj gjëje.

Ka njerëz që thonë se janë penduar, pastaj duket nga veprimet dhe qëndrimet e tyre se ata nuk ishin të vërtetë në pendimin e tyre. (Tek ata) nuk ka asnjë shenjë keqardhjeje apo turpi.

Unë kam parë njerëz që thonë, “Unë jam penduar” dhe pastaj ata vazhdojnë po tek ajo gjë nga e cila ata pretendojnë se janë penduar! Kjo është si shembulli i mosbesimtarit që pranon Islamin, por më pas ai vazhdon ta ngrejë shpatën kundër Muslimanëve. Ai thotë: “Unë jam penduar, por shpata ime është ende e zhveshur sot...” Kjo është një provë e qartë që tregon se ai nuk ka qenë i vërtetë dhe se ai nuk është penduar me të vërtetë.”

 

Përktheu Alban Malaj