‘Ali Halebi
Letra me devijimet e Ali Hasen elHalebiut
Lavdia i qoftë All-llahut, salavatet dhe selamet qofshin për të Dërguarin tonë, Muhamedin, për familjen dhe shokët e tij, si dhe për të gjithë që e ndjekin atë në mënyrën më të mirë, deri në Ditën e Gjykimit!
Kjo është një letër që Shejh Rabi’a, All-llahu e ruajttë, ua ka dërguar disa dijetarëve dhe nxënësve të dijes, në mënyrë që t’i njoftojë me devijimet e Ali Hasen elHalebiut dhe të marrë gjykim nga dijetarët. Pas këtyre fletëve, Shejhu i nderuar, All-llahu e ruajttë dhe ia shtoftë jetën, ka ngjitur dokumente që i vërtetojnë fjalët e tij, të nxjerra nga librat, audiot, revistat dhe faqet e internetit ku ka shkruar ose ka folur Halebiu. Meqë i tërë materiali është shumë i gjatë, po jua ofrojmë vetëm pjesën e parë me fjalët e Shejh Rabi’së, All-llahu e ruajttë, kurse ata që janë të interesuar mund t’i shohin dokumentet në origjinalin e tyre në arabisht, ngase përkthimi i tyre nuk do të ishte dokument.
Përkthyesi

Esselamu alejkum ue rahmetUll-llahi ue berakatuHu
Më tej:
Këto janë disa qëndrime të Shejh Ali elHalebiut, All-llahu e udhëzoftë, dhe shpresoj që të më nderoni duke i shqyrtuar ato:
1. Qëndrimi i tij ndaj thënies së fjalës “guthaije” në lidhje me sahabet.
(a) – Nuk e llogarit këtë fjalë si sharje!!! Shih shtojcën numër 1.
(b) – Nxjerr rregulla për ta arsyetuar qëndrimin e tij – dhe të atyre që janë me të – ndaj thënies së kësaj fjale. Shih shtojcën numër 2, faqe 19 – 20.
2. Qëndrimi i tij ndaj “Mesazhit të Ammanit”.
(a) – “Mesazhi i Ammanit” përmban shumë kundërshtime në akide – në tekstin e tij, në përfundimin e tij dhe në pikat kryesorë të tij – ndër të cilat:
- “Ky mesazh fisnik, me të cilin e ka inspiruar Krijuesi i Madhëruar Profetin Besnik Muhamedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, dhe të cilin e kanë mbartur halifët e tij dhe familja e tij më pas, është konspekt i vëllazërisë njerëzore dhe fe që e përmbledh tërë energjinë njerëzore, e shfaq të vërtetën, urdhëron për mirëbërësi dhe ndalon nga të këqijat, e nderon njeriun dhe e pranon tjetrin.”
- “Ai (Islami) predikoi parime dhe vlera të larta, të cilat e realizojnë mirësinë dhe lartësinë e njerëzimit dhe njësinë e racës njerëzore, si dhe predikoi se njerëzit janë të barabartë në të drejtat dhe obligimet.”
Në këtë mesazh përshkruhen parimet mbi të cilat ndërtohet Islami, duke thënë se ato janë:
- “Parime të cilat i bashkojnë gjërat ndarëse të përbashkëta mes pasuesve të feve dhe grupeve njerëzore; sepse esenca e feve të Perëndisë është e njëjtë.”
Më pas, ky paragraf, që i përfshin këto shprehje, mbaron duke pohuar se zbatimi i këtyre parimeve:
- “Themelon një bazë të gjerë për t’u takuar me besimtarët e feve të tjera, në një fushë të përbashkët në shërbim të shoqërisë njerëzore, pa e prekur dallimin në besime dhe pavarësinë e të menduarit.”
Në këtë mesazh, gjithashtu, përmendet kjo shprehje:
- “Islami e ka nderuar njeriun pa e vënë re ngjyrën, gjininë, ose fenë e tij.”
- “Esenca e raportit të muslimanëve me të tjerët është paqja. Pra, nuk ka luftë ku nuk ka armiqësi, por ka dashuri, drejtësi dhe bamirësi.”
- “Udhëzimi i këtij Islami madhështor, me përkatësinë e të cilit krenohemi, na fton të bashkohemi dhe të shoqërohemi në një shoqëri njerëzore bashkëkohore dhe të nxitojmë për ta ngritur dhe përparuar atë, duke bashkëpunuar me të gjitha fuqitë e së mirës, logjikës dhe çdo dashamirës së drejtësisë nga secili popull, në mënyrë që ta shfaqim me besnikëri realitetin tonë, duke u shprehur me sinqeritet për pastërtinë e besimit tonë të ndërtuar mbi thirrjen e të Vërtetit të Lartësuar për bashkim dhe devotshmëri...”
deri ku thotë: “Interesimi për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, përforcimi i të drejtës së tij për jetë, dinjitet dhe siguri, sigurimi i nevojave të tij themelore, drejtimi i shoqërive në pajtim me parimet e drejtësisë dhe konsultimit dhe përfitimi nga kontributi i ofruar nga shoqëria njerëzore për mjetet dhe mënyrat e zbatimit të demokracisë.”
- “Ne i apelojmë shoqërisë ndërkombëtare të punojë me gjithë seriozitetin për zbatimin e ligjeve ndërkombëtare, respektimin e dokumenteve dhe vendimeve ndërkombëtare të nxjerra nga Kombet e Bashkuara dhe detyrimin e të gjitha palëve për pranimin dhe futjen e tyre në praktikë...”
Pra, metoda e këtij mesazhi për rrënjosjen e parimit të solidarizimit me kufrin dhe ithtarët e tij është shumë e qartë dhe e dukshme. Kjo mund të përfshihet në këto:
- Fokusimi në anulimin e dallimeve në besim mes muslimanëve dhe kafirëve, duke i përsëritur dhe përdorur këto fjalë:
- vëllazëria njerëzore;
- shoqëria njerëzore, që përsëritet katër herë;
- qytetërimi njerëzor;
- njësia e racës njerëzore.
- Shmangia nga cilësimi i feve të kota me atë që i ka cilësuar All-llahu dhe i Dërguari i Tij, sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, duke u shprehur:
- fetë qiellore fisnike;
- fetë e Perëndisë;
- fetë e tjera.
- Shmangia nga cilësimi i kafirëve dhe mushrikëve siç i ka cilësuar All-llahu dhe i Dërguari i Tij, sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, duke i cilësuar me këto cilësi:
- jomyslimanët;
- të tjerët;
- pasuesit e feve të tjera dhe grupeve njerëzore;
- besimtarët e feve të tjera.
Autorët e këtij mesazhi përpiqen t’ua imponojnë atë njerëzve dhe t’i detyrojnë thirrësit dhe dijetarët që ta përkrahin, si dhe gjëra të tjera që do t’i shohësh në shtojcën nr. 3.
(b) – Krahas pranisë së këtyre kundërshtimeve akaidore në “Mesazhin e Ammanit, Shejh Ali elHalebi, All-llahu e udhëzoftë, e lëvdon këtë mesazh në disa vende:
Vendi i parë: Ka mbajtur një hutbe në Xhaminë elHashimije, në prani të mbretit të Jordanisë, Mbretit Abdullah i Dytë dhe në atë hutbe e ka lavdëruar “Mesazhin e Ammanit”.
Vendi i dytë: Këtë hutbe e ka publikuar në një libër me titullin: “Dhiddel uduan an Amman”. Në këtë hutbe ka thënë:
“Ne e lusim Zotin tonë të Lartësuar me sinqeritet që t’i japë sukses mbretit tonë dhe liderit tonë, All-llahu e ruajttë dhe e stolistë me udhëzimin dhe devotshmërinë e tij, për më shumë kontribut ngulmues dhe të pandërprerë, i cili nuk u ndal së përpjekuri me seriozitet, All-llahu e ruajttë, për realizimin e atij kontributi, duke i njoftuar vendet e botës në përgjithësi me Fenë Islame, me parimet e tij të drejta dhe të madhërishme, si dhe me pastërtinë e Islamit nga veprat e atyre ekstremistëve injorantë nga fundërrinat...
I Dërguari i ynë, sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Kush nuk i falënderon njerëzit nuk e falënderon All-llahun.” Prandaj çdo falënderim ia drejtojmë mbretit tonë, All-llahu ia shpërbleftë me të mira dhe ia shtoftë fisnikërinë dhe bamirësinë, për kujdesin, mbrojtjen, vigjilencën, dhembshurinë, rojën...
Kurse, “Mesazhi i Ammanit”, që është pararendës në shpjegimin e Mesazhit të Islamit të vërtetë dhe mesatar, të cilën e lëshoi ai, All-llahu e ruajttë, para më shumë se një viti, nuk është gjë tjetër veçse argument i fortë dhe fakt i dukshëm për krenarinë e tij në këtë Fe dhe pastërtinë e tij; dhe për mburrjen me bukurinë e saj dhe çiltërsinë e tij, si dhe për kujdesin e tij për përparimin dhe jetëgjatësinë e saj. Kjo më shtyn që t’i rri besnik bindjes ndaj tij me të vërtetë dhe ta vërtetoj obligimin e bindjes ndaj urdhrit të tij në bamirësi...”
Shih shtojcën nr. 4.
Vendi i tretë: Këtë hutbe, edhe një herë, e ka publikuar duke u mburrur me të, siç qëndron në faqen 4 të librit të tij me titull: “Shpërthimet në Amman dhe teksti i hutbes së të Xhumasë që e mbajta para Mbretit Abdullah i Dytë, Mbretit të Mbretërisë së Jordanisë Hashimite, All-llahu e forcoftë me bindje ndaj Tij, më datën 8 Shevval 1426h.”
Në të është edhe poezia “Redd – Bejan”, shih shtojcën nr. 5.
3. Qëndrimi i tij ndaj kundërshtimit mes Ehli Sunnetit dhe bidatxhinjve.
Ka shkruar një artikull në forumin, të cilin e mbikëqyr ai dhe quhet “Kul-lus selefijjin”, me titull: “esSelefijjeh hijel uesetu eshsher’ij, elmudhadd lit tetarruf”. Aty thotë:
“Para se t’i përgjigjemi këtij pretendimi të kotë – dhe që ta shmangim turbullimin e kuptimeve – unë pohoj: se çështjet e fikhut, ose akides, rreth të cilave ndodhin divergjenca mes selefizmit dhe kundërshtarëve të tij – madje mes të gjithë muslimanëve me njëri-tjetrin – nuk lejohet të llogariten, ose të përdoren, në asnjë mënyrë dhe në asnjë gjendje, për ta akuzuar njërën palë me ekstremizëm dhe terrorizëm; ngase ato janë thjesht çështje shkencore (ilmije) të pastra; siç janë çështjet e pohimit të Emrave të All-llahut të Bukur dhe Cilësive të Tij të Larta, në mënyrën që i përket Madhërisë së Tij, çështjet e kërkimit të ndihmës dhe ndërmjetësimit nga dikush tjetër pos All-llahut të Lartësuar – që është në kundërshtim me hyjnizimin dhe njësimin e Tij, ose çështja e teprimit në hakun e zotërisë sonë, të Dërguarit të Zgjedhur të All-llahut, sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem; ngase këto janë çështje që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë tema të diskutimit mes dijetarëve të pasuesve të kibles në përgjithësi, megjithëse vijnë nga grupe dhe medhhebe të ndryshme; me fjalë të përpikta dhe gjykime të sakta...” Shih shtojcën numër 6.
Në këtë forum interneti ka mynxyra dhe gjëma të shumta. Ndër to:
Shpifja për Ehli Sunnetin, si: Shejh Ahmed enNexhmi, All-llahu e mëshiroftë, Shejh Rabi’ elMedkhali, Shejh Ubejd elXhabiri, Shejh Muhamed ibën Hadi elMedkhali dhe të tjerë nga nxënësit e dijes dhe njerëzit e vlerës.
Shpresoj nga eminenca e juaj që të urdhëroni t’i shqyrtoni këto dhe ta thoni fjalën e duhur për këtë njeri, në mënyrë që të mbrohet Feja dhe të kujdesemi për Teuhidin, ngase ju jeni ndër më të mirët – ne ju njohim për të tillë, por All-llahu i di të gjitha – që e ndihmuan Sunnetin dhe pasuesit e tij dhe e mbrojtën akiden e teuhidit nga çdo njollë, kurse kjo është çështje, pasha All-llahun, e rrezikshme.
Marrë nga:
http://www.bayenahsalaf.com/vb/showthread.php?t=7401.
Përktheu: Xhemal N. Jakupi
10 Dhul Ki’de 1431h
(18.10.2010G)
| < Prev | Next > |
|---|