Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

 

Pyetje: Ka njerëz që angazhohen duke hyrë në rrjetet sociale kur rrinë me prindërit e tyre ose kur rrinë në shtëpi duke i lënë fëmijët mbas dore. Si t’i përdorë njeriu këto rrjete sociale në mënyrën e duhur? Disa u bëjnë foto fëmijëve të tyre dhe i shpërndajnë në rrjetet sociale.

Përgjigje: Nuk ka dyshim se rrjetet sociale të marrin kohën. Në rrjetet sociale ka mirësi të shumta por ka dhe të këqija të shumta. I suksesshëm  nga robërit e Allahut është ai që përfiton nga të mirat e këtyre rrjeteve dhe ua përcjellë këto të mira njerëzve përmes këtyre rrjeteve, dhe në të njëjtën kohë përdorimi i tyre nuk e largon atë nga gjërat më të rëndësishme se ato. Pra, ky njeri ka dy veti:

(E para): përfiton prej të mirave të këtyre rrjeteve dhe nëpërmjet tyre ua përcjellë këtë të mirën edhe njerëzve.

(E dyta): nuk e largon atë nga gjërat që janë më të rëndësishme se ato.

Nuk ka dyshim se prej problemeve bashkëkohore është angazhimi i njerëzve me rrjetet sociale, saqë disa i largon edhe nga namazi në xhami. Madje sheh që thirret ikameti dhe imami merr tekbirin fillestar, kurse shikon tjetrin që është ulur në fund të xhamisë duke lozur në telefon, ndjek lajmet, shkruan në twitter. S’ka dyshim se këto gjëra janë prej të këqijave të rrjeteve sociale.

Nga të këqijat e tyre është: angazhimi i njerëzve me këto duke lënë mbas dore atë që duhet nderuar dhe duhet patur kujdes për të. Kështu, burri fillon të angazhohet në rrjetet sociale këto duke lënë mbas dore gruan e tij, dhe gruaja merret me këto duke lënë mbas dore burrin e saj, gati sa nuk flasin më me njëri-tjetrin. Madje mund të arrijë puna saqë burri i flet gruas nëpërmjet këtyre rrjeteve. Ndoshta janë në një krevat të vetëm dhe i shkruajnë njëri-tjetrit përmes këtyre rrjeteve, ai i shkruan asaj dhe ajo i shkruan atij.

Madje, njeriu angazhohet në këto rrjete sociale duke e injoruar babanë dhe mamanë e tij. Nëna i flet dhe pyet për fëmijët si janë, ndërsa ai është i zënë duke shkruar, pastaj e kupton që i ka folur dhe thotë “Ah! Po, kështu!” Kjo realisht është një prej problemeve.

Andaj, unë mendoj që është mirë për Muslimanin që të caktojë një orar për këto rrjete sociale. Një orë apo diçka të ngjashme në një kohë të caktuar. Kjo është e para.

E dyta: kur të hyjë në shtëpinë e tij, le të fikë telefonin dhe të merret me familjen dhe gruan e tij, pastaj nëse gjen kohë të lirë, e hap telefonin. Kur të shkojë te shtëpia e nënës apo te shtëpia e babait, para se t’i bjerë ziles le ta fikë telefonin, derisa të dalë nga shtëpia e tyre.

Nga gjërat që kemi dëgjuar është edhe kjo: një grua e moshuar pa që fëmijët e saj angazhoheshin me këto telefona. Ata e vizitonin atë dhe secili mbante në dorë telefonin e tij. Kështu, ajo vuri një shportë te dera e shtëpisë, te dera brenda në shtëpi dhe tha: “Ai që hyn në shtëpi, le ta lërë telefonin në shportë dhe kur të dalë, le ta marrë telefonin.” Kjo është gjë e mirë.

O vëllezër, duhet që ta organizojmë përdorimin e këtyre rrjeteve sociale.

E para: t’i mbyllim derën e sherrit në to, duke u larguar nga ithtarët e fitneve dhe të këqijave,

E dyta: nuk duhet ta lëmë të shpërdorin kohë tonë dhe të na marrë kohën tonë.

Është për të ardhur keq! Nëse e pyet sot një Musliman: “Sa ke lexuar Kur’an sot?” Thotë: “UAllahi, sot nuk munda se isha i zënë.” Mirë po sa twitera lexove? Ai thotë: “Afërsisht një mijë.” Nuk ke kohë të lexosh Kur’an, të lexosh Fjalën e Allahut, i cili është begati i gjithi. UAllahi! Leximi i Kur’anit sjell begati në atë ditë që e ke lexuar. Sa më shumë të shtosh leximin e Kuranit, aq më shumë të shtohet begatia në atë ditë. Ti thua s’kam kohë të lexoj Kur’an, dhe ke kohë për të lexuar twiterat, të lexosh atë e këtë!

O vëllezër, duhet patjetër që t’i organizojmë këto çështje dhe të bëjmë kujdes ndaj këtyre çështjeve të cilat na sjellin shumë dëme dhe të këqija.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org