Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

Pyetje:

Kohët e fundit po përsëriten fyerjet e ndryshme ndaj Profetit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, përmes filmave, gazetave dhe mjeteve tjera. Parashtrohet pyetja: Cili është qëndrimi sheriatik që duhet të mbajmë ndaj këtyre fyerjeve? Dhe një pyetje tjetër në vazhdim thotë: “Çfarë gjykimi ka shprehja e revoltës përmes protestave ndaj fyerjeve për Profetin, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem?”

Përgjigje:

O vëllezër, kjo nuk është diçka e re! Në kohën e profetit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, i thonin profetit se është magjistar, gënjeshtar, fallxhor, poet, etj., kurse i Dërguari, alejhi salatu ue selam, duronte. Ai bënte durim dhe nuk ngutej. Allahu e urdhëronte që të bëjë durim:

وَاصْبِرْ عَلَى مَا يَقُولُونَ وَاهْجُرْهُمْ هَجْراً جَمِيلاً

“Bëj durim ndaj asaj që thonë ata dhe largohu nga ata në mënyrë më të mirë.” El-Muzemmil, 13

Ai i dëgjonte çfarë thonin ata, porse ai, alejhi salatu ue selam, bënte durim ngase e kishte urdhëruar Allahu kështu, i Plotfuqishmi dhe i Madhëruari.

وَلَقَدْ نَعْلَمُ أَنَّكَ يَضِيقُ صَدْرُكَ بِمَا يَقُولُونَ ﴿٩٧ فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَكُن مِّنَ السَّاجِدِينَ 

“Ne e dimë se po të ngushtohet gjoksi nga fjalët e tyre, por ti madhëroje dhe lavdëroje Zotin tënd. Dhe ji nga ata që i bëjnë sexhde Allahut (nga ata që falen). Adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” El-Hixhr, 97-99

Pra, ai duronte dhe i ndalonte shokët e tij që mos të hakmerreshin në kohën kur ishte në Mekke. I ndalonte shokët e tij. Sepse nëse do të hakmerrej kundër mushrikëve, Islami do të merrte fund në Mekke, thirrja Islame do të merrte fund në djepin e saj. Ai vazhdoi të bëjë durim derisa emigroi dhe pastaj bëri përkrahës, atëherë Allahu e urdhëroi atë që të bënte xhihad kundër mushrikëve, xhihad sipas Sheriatit.

Kurse protestat, shkatërrimet, vrasjen e të pafajshmëve, vrasjen e jo-muslimanëve që u ka garantuar shteti siguri dhe ata jo-muslimanë që jetojnë në shtetin e Muslimanëve, këto veprime janë tradhti dhe nuk lejohet të bëhen. Nuk lejohet vrasja e njerëzve të pafajshëm, edhe në qoftë se personi është pabesimtar. Nuk lejohet!

وَلا يَجْرِمَنَّكُمْ شَنَآنُ قَوْمٍ أَنْ صَدُّوكُمْ عَنْ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ أَنْ تَعْتَدُوا

“...të mos ju shtyjë urrejtja që keni ndaj një populli të cilët ju nxorën nga Mesxhidul-Haram (Kabeja), që ju t’i sulmoni ata.” El-Maideh, 2

Nuk lejohet ta sulmosh të pafajshmin.

وَلَا تَزِرُ وَازِرَةٌ وِزْرَ أُخْرَىٰ 

“Asnjë mëkatar nuk do të mbart mëkatin e tjetrit.” Fatir, 18

وَإِنْ أَحَدٌ مِّنَ الْمُشْرِكِينَ اسْتَجَارَكَ فَأَجِرْهُ حَتَّىٰ يَسْمَعَ كَلَامَ اللَّـهِ ثُمَّ أَبْلِغْهُ مَأْمَنَهُ ۚ ذَٰلِكَ بِأَنَّهُمْ قَوْمٌ لَّا يَعْلَمُونَ

“Nëse ndonjë mushrik kërkon mbrojtjen tënde, ti siguroji mbrojte atij në mënyrë që ai t’i dëgjojë fjalët e Allahut (me shpresë se do ta pranojë Islamin). Pastaj, përcille atë deri në vendin e tij të sigurt (vendbanimin e tij).” et-Teubeh, 6

Delegatët e mushrikëve vinin tek i Dërguari, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, për të bërë dialog. Madje hynin edhe në xhaminë e tij, alejhi salatu ue selam, dhe ai dialogonte me ata, edhe pse ata ishin mushrikë e pabesimtarë.

Duhet patjetër të dihet, se Islami nuk është fe e revoltës dhe hakmarrjes, porse është fe e udhëzimit, mëshirës dhe butësisë, ashtu siç ishte vet Profeti, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Si rrjedhojë e këtyre gjërave, çfarë ishte rezultati? Rezultati ishte që Allahu e ndihmoi të Dërguarin e Tij dhe e bëri triumfuese fenë e tij. Kurse ata që u tallën me Profetin, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, disa prej tyre u bënë prijësit e Islamit dhe muxhahidë (luftëtarë) në rrugë të Allahut; hyrën në Islam dhe u bënë Muslimanë të fortë, sepse Profeti, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, bëri durim me ta, u tregua i mëshirshëm dhe i butë me ta, saqë u bë i dashur tek ata. Siç ka thënë Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar:

وَإِنَّكَ لَعَلى خُلُقٍ عَظِيمٍ

“Pa dyshim se ti ke një moral të lartë.” El-Kalem, 4

Ky është morali i të Dërguarit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

Pabesimtarët me këto akte që bëjnë, synojnë që të shkaktojnë revolta e të thonë pastaj: “Shikoni veprimet e Muslimanëve! I vrasin ambasadorët! Prishin shtëpi! Rrënojnë ndërtesa! Këto gjëra janë pjesë e fesë Islame!” 

Këtë e dëshirojnë pabesimtarët nga Muslimanët: mposhtjen e Muslimanëve përmes akteve të injorantëve dhe të infiltruarve në mesin e tyre.

Nuk lejohet që të ngutesh në lidhje me këto çështje.

وَلَقَدْ كُذِّبَتْ رُسُلٌ مِنْ قَبْلِكَ فَصَبَرُوا عَلَى مَا كُذِّبُوا وَأُوذُوا حَتَّى أَتَاهُمْ نَصْرُنَا وَلا مُبَدِّلَ لِكَلِمَاتِ اللَّهِ وَلَقَدْ جَاءَكَ مِنْ نَبَإِ الْمُرْسَلِينَ

“Janë përgënjeshtruar edhe të dërguarit e tjerë që erdhën para teje, por ata i duruan përgënjeshtrimet dhe torturat derisa u erdhi ndihma Jonë, sepse askush nuk mund t’i ndryshojë Fjalët (Caktimin) e Allahut. Ty tashmë të kanë mbërritur lajmet për ata të dërguar.” El-En’am, 34

Këto janë udhëzimet e Islamit në këto situata: butësia, mbajtja e qetësisë, durimi dhe mos-ngutja.

Mushrikët duan të përfitojnë në këto raste, duke u bazuar në aktet që bëjnë disa Muslimanë, si: arroganca, shkatërrimi dhe vrasja, vajti puna deri aty saqë disa Muslimanë filluan të luftojnë njëri-tjetrin. Protestuesit luftonin me forcat e sigurisë që janë Muslimanë.

Kjo është ajo që duan pabesimtarët.  

 

Përktheu: Jeton Shasivari

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org