Burimi: alBaidha.net

Pyetësi: Shejkh Salih, mund të thonë disa njerëz se ju tani thoni për shembull: ata që morën pjesë në betejën e Xhemelit ishin (Zubejri dhe Talha). Këta njerëz thonë se vërtetë krahasimi, ky krahasim është i padrejtë, domethënë, gjaku i ‘Uthmanit (radij-Allahu ‘anhu) nuk krahasohet sot dhe nuk është kryengritja kundër tij si kryengritja kundër atij që ka përdorur armët dhe i ka helmuar njerëzit, dënimi më i keq. Dhe thonë se ky që në themel është krahasim i padrejtë, absolutisht, që të krahasosh rrethimin e ‘Uthmanit me rrethimin e atij që ka ndaluar faljen e namazit për shembull, apo i ka ndaluar njerëzit që të marrin frymën Islame, kjo është njëra pyetje.

Pyetja tjetër është: thonë, përse ju Ulematë e Sheriatit u drejtoheni vetem njerëzve që të pushojnë, të heshtin e të mos flasin, përse qëndrimi Sheriatik nuk u drejtohet atyre (udhëheqësve) që të kenë frikë Allahun për sa u përket atyre njerëzve, që të zbatojnë sadopak prej fesë së tyre, ne s’po flasim për pasuritë, pasuritë e tyre janë grabitur, por po flasim që ata të zbatojnë sadopak prej fesë së tyre, namazin e tyre, ibadetin e tyre, siç ka ndodhur në një shtet. Unë po ju përcjell fjalët e njerëzve, dhe kam rastin me të vërtetë që t’ju kërkoj leje o Shejkh, është mundësia ime sikur të gjithë të tjerët që t’ju parashtroj këto fjalë dhe të dëgjojnë ata që po na ndjekin.

Shejkh Salih el-Luhajdan: Është përmendur se Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Muslimani e ka detyrë që të dëgjojë e të bindet, edhe nëse goditet në kurriz dhe i marrin pasurinë.” I thanë: “Po nëse na dalin në krye njerëz që kërkojnë nga ne kurse neve nuk na i japin të drejtën tonë?” Ai tha: “Bëni atë që e keni detyrë dhe kërkojini Allahut për vetet tuaja.” A mos vallë Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nuk mendonte për pasojat? A nuk është rezultati i këtyre revolucioneve – siç quhen – apo demonstratave gjakderdhja në to?! A nuk ka shkatërrim të pronës e pasurisë? A nuk janë ato shkak për ndezjen e zjarreve në shumë vende, qofshin ato zjarre ndaj popullit apo ndaj pasurive të njerëzve të tjerë?

Këto zjarrvënie rezultojnë nga ana tjetër me zullum qeveritar, kurse ai që i mban ato zjarre do të jetë në zullumin e kryengritjes kundër tyre. Pastaj derdhet gjaku, konfiskohet pasuria dhe çështjet përkeqësohen më shumë se ç’ishin. Prandaj Ulematë kur flasin për këto kryengritje nuk e ndalojnë fjalën, mirëpo njerëzit nëse kanë dëshira të veçanta, veprimet e tyre i emërtojnë me emër tjetër. Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka përmendur se xhihadi më i madh është fjala e vërtetë përpara udhëheqësit tiran. Njerëzit nuk ndalohen nga të folurit, këshillimi, udhëzimi dhe sqarimi, mirëpo nxitja dhe shtyrja e njerëzve, shkaktimi i bllokimit të rrugëve dhe shpërqëndrimi i njerëzve nga punët e tyre në veçanti, atëherë kjo nuk fshihet nga Sheriati dhe as nga ai që përcjell nga Allahu mesazhin e Tij. E për këtë arsye këshilla nuk ndalohet.

Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka përmendur në besëlidhjen e tij se kush hyn në Islam e ka kusht që të dëgjojë, të bindet e të këshillojë çdo Musliman. Ulematë nuk e ndalojnë këshillimin, mirëpo ata ndalojnë atë gjë që ka ndaluar Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Heqja dorë nga besa e dhënë udhëheqësit për të cilën aludon hadithi në të vërtetë është luftimi. Ai ka thënë: “Jo, derisa të shikoni kufër të qartë për të cilin ju keni argument nga Allahu.” Nuk është argument ajo që merr njeriu nga t’i dojë epshi atij apo nga ndonjë grup njerëzish që bien në një mendje, apo nga nxitjet e tyre që lakmojnë ato ç’ka mund të arrihet me këto demonstrata. Këshilla për udhëheqësin është uaxhib (obligim), kurse udhëheqësi e ka detyrë të pranojë këshillën dhe e ka detyrë që nëse i bëhet e qartë çështja sheriatike të kthehet tek ajo. Por nëse nuk kthehet, nuk thuhet: “Bëni revolucion kundër tij! Vriteni!” Pastaj atij i dalin në mbrojtje ata që kanë patur privilegjin të jenë në shoqërinë e tij, pastaj atje ka gjak e vetëm gjak.

Njerëzit ishin të lumtur kur u gjykua Sadam Husejni në Irak, por ajo që ngjau në Irak pas rënies së Sadam Husejnit s’ka dyshim se ajo që dëgjojmë dhe përcillet në çdo vend prej gjakderdhjes dhe dënimit që kaploi vendet (në Irak)... të gjitha këto janë gjëra të këqija. Mirëpo, a krahasohen të këqijat që ndodhën në Irak pas rënies së Sadam Husejnit me ato që ndodhën gjatë jetës së tij? Edhe nëse këto demonstrata nuk janë nga populli i Irakut por shkaktohen dhe bëhen nga fuqia që kërkon një çështje dhe kështu e arrin atë pjesërisht ose të tërën (nëpërmjet atyre demonstratave). Pastaj, ajo që po shfaqet në çdo vend Islamik nga veprimtaria e atyre shteteve që rrinë në pritje për të ndodhur ajo që u nevojitet atyre derisa të vërsulen drejt tyre e të thonë se erdhën për të vendosur demokracinë dhe për të përhapur drejtësinë. Si ne ashtu edhe njerëzit e kanë provuar çfarë drejtësie është arritur!

A u realizua në Afganistan vendosja e drejtësisë mbas rrëzimit të Talibanëve, a u vendos drejtësia, a u arrit zhvillimi ekonomik, a u përmirësua jetesa?! Apo u derdh gjaku, humbën liritë, plasën fitnet, mbizotëruan fatkeqësitë dhe të këqijat që i shkatërruan ato vende, e mjaft gjëra të tjera. S’ka dyshim se njerëzit nxiteshin nga shtetet perëndimore për luftë dhe xhihad në ditët e Bashkimit Sovjetik në Afganistan, por nuk e dimë cili ishte shkaku që çoi në ndryshimin e çështjes dhe ndodhën krime?

Nuk duhet t’u mvishen Ulemave fjalë të cilat ata nuk i kanë thënë dhe as t’u jepen atyre kuptime të cilat ata nuk i kanë patur për qëllim. Ulematë nuk thonë: “Askush të mos këshillojë ndokënd.” Ulematë nuk thonë: “Askush të mos e këshillojë udhëheqësin.” Ulematë nuk thonë: “Nëse gaboi udhëheqësi, atëherë mos i thoni atij në privat – Gabove!” Por që ta publikosh çështjen që ai gaboi dhe ta përhapësh që ta dëgjojnë njerëzit nëpër gazetat e tyre dhe shoqëritë e tyre, kjo a sjell dobi? Nga përvoja (që kemi), dobia nuk arrihet, përkundrazi, sunduesi zullumqar do të përgatitet që të ruajë veten e tij dhe do të kërkojë të flijojë ata të cilët dëmtojnë interesin e tij për hir të mbrojtjes së interesave të tyre.

S’ka dyshim se ajo që po ndodh tani në Egjipt dhe duket se sot është dita e dhjetë... çfarë po ndodh atje? Dobitë humbën! Dhe bankat – sipas asaj që dëgjojmë – janë dobësuar transaksionet e tyre edhe pse ato janë me kamatë, dhe ne nuk e urrejmë dobësimin e tyre (për shkak të kamatës së tyre), mirëpo humbën interesat e njerëzves. Xhamitë ndoshta nuk mbushen për namaze. Ato janë hapur për demonstratat ose janë nën përgjim që të shikojnë kush hyn në to... e mjaft ligësi e gjynahe të tjera.

Muslimani e ka detyrë të tregohet i zellshëm duke iu lutur Allahut Xhel-le ue ‘Ala që ta heqë çdo sprovë dhe fatkeqësi që ka rënë në të gjitha shtetet Islame dhe që t’u japë atyre kapjen më të mirë (pas Fesë së Tij). Njerëzit kur janë në rehati, në sigurinë dhe mbrojtjen e Allahut Xhel-le ue ‘Ala, nuk u hiqet atyre kjo mirësi pa kurrëfarë shkaku. Kjo sepse Allahu nuk e ndryshon mirësinë që ia ka dhënë një populli derisa ata ta ndryshojnë vet.

{flv}Shejkh Luhajdan per Ngjarjet ne Egjipt.wmv{/flv}

Përktheu: Alban Malaj