Cila ështa ndarja dhe kuptimi i saktë i Fjalës së Allahut të Lartësuar:

"Pyesni njerëzit e Dhikrit nëse nuk dini."?

Autor: Shejkh Muhammed Ibën 'Umer Bazmul

Burimi: http://www.bazmool.com/fatawa/

Pyetje: Cila ështa ndarja dhe kuptimi i saktë i Fjalës së Allahut të Lartësuar: "Pyesni njerëzit e Dhikrit nëse nuk dini."?

Përgjigje: Lavdet i takojnë Allahut, Zotit të Gjithësisë. Lavdërimet dhe bekimet qofshin mbi më fisnikun e Pejgamberëve dhe të Dërguarve, zotëria jonë Muhamed, si dhe mbi Familjen dhe Shokët e tij.

E më pas:

Me të vërtetë Fjala e Allahut të Lartësuar:

فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِنْ كُنْتُمْ لا تَعْلَمُونَ

"Pyesni njerëzit e Dhikrit nëse nuk dini." [en-Nahl, 43]

tregon disa çështje.

Çështja e parë: se Muslimanët ndahen në dy grupe. Grupi i parë janë njerëzit e dijes, kurse grupi tjetër janë ata që nuk bëjnë pjesë tek njerëzit e dijes, pra janë ata që quhen auamë (njerëzit e thjeshtë).

Çështja e dytë: prej domethënieve të këtij ajeti është se detyra e njerëzve të dijes është sqarimi dhe qartësimi, kurse detyra e auamëve është që ta kthejnë atë që e kanë të paqartë tek njerëzit e dijes.

Çështja e tretë: prej domethënieve të këtij ajeti është se njerëzit e dijes janë njerëzit e dijes së Dhikrit. Dhe me "dhikër" është për qëllim Kur'ani dhe Suneti, me dritën e kuptimit të Selefëve të Devotshëm. Andaj kush është prej njerëzve të dijes që cilësohet me dijen e Kur'anit, Hadithit dhe pasimit të gjurmëve të Selefëve të Devotshëm, atëherë ai është prej njerëzve të dijes që ka për qëllim Allahu – SubhaneHu ue Te'ala – në ajet.

Çështja e katërt: ajeti tregon se nuk kanë të drejtë auamët që të dalin para ulemave, përkundrazi, detyra e tyre është që të pasojnë ulematë. Kështu që, kur ulematë e sqarojnë një çështje, atëherë njerëzit e thjeshtë e kanë detyrë që t'i pasojnë ata dhe të punojnë me fjalën e tyre, dhe nuk i lejohet njeriut të thjeshtë kur kërkon fetva nga një dijetar, që ta kundërshtojë fetvanë që dëgjoi nga dijetari, për të drejtën e tij, përveç atëherë kur fetvaja kundërshton ajetin apo hadithin apo ixhmanë e saktë.

Çështja e pestë: prej domethënieve të këtij ajeti: "Pyesni njerëzit e Dhikrit nëse nuk dini.", është se ata që nuk kthehen tek njerëzit e Dhikrit dhe pasojnë epshet dhe tekat e tyre apo pasojnë njerëz që tek dijetarët nuk konsiderohen prej njerëzve të Dhikrit, atëherë në të vërtetë ata nuk po e zbatojnë urdhërin e Allahut. Ka thënë i Lartësuari:

فَلْيَحْذَرِ الَّذِينَ يُخَالِفُونَ عَنْ أَمْرِهِ أَنْ تُصِيبَهُمْ فِتْنَةٌ أَوْ يُصِيبَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ

"Andaj le të ruhen ata që kundërshtojnë udhërin e tij se mos u bie ndonjë fitne apo mos i zë ndonjë dënim i dhimbshëm." [en-Nuur, 63]

Dhe Allahu e di më së miri.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj