Ejjub es-Sikhtijani falej gjatë natës dhe e mbante të fshehtë këtë gjë. Kur vinte mëngjesi, ai e ngrinte zërin sikur të ishte çuar nga gjumi në atë moment.”

[Sifatus-Sefueh: 3/492]

Abdus-Samed Ibn Abdil-Uarith ka thënë: “Heushab qante dhe thoshte: Emri im ka arritur në Mesxhidul-Xhami’.”

Transmetohet për Ebul-Alijen se nëse mblidheshin rreth tij më tepër se tre veta, ai çohej.

[et-Teuedu’:47]

Transmetohet nga Bishr Ibnul-Harith se ai ka thënë: “O Allah. Nëse më ke bërë të famshëm që të më ekspozosh në Ditën e Gjykimit, atëherë largoje atë (famën) prej meje.”

[ez-Zuhd: 147]

Fudejl Ibn ‘Ijad ka thënë: “Nuk ka njeri që e do udhëheqjen përveç atyre që janë lakmitarë, të pamoralë, që gjurmojnë gabimet e njerëzve dhe kanë inat që të flitet mirë për ndonjë njeri.”

[Xhami’ Bejanil-‘Ilm: 1/625]

Abdullah Ibnul-Mubarak ka thënë: “Sufjan eth-Theuri më tha: “Ruhu nga fama. Çdo person që kam takuar më ka paralajmëruar kundër famës.”

[es-Sijer: 7/260]

Ebul-Alije ka thënë: Sahabët e Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) më kanë thënë: “Mos bëj ndonjë vepër për dikë tjetër veç Allahut, pasi Ai do të lëjë tek ai për të cilin veprove.”

[el-Musanef: 7/207]

Hamdun el-Kassar u pyet: Përse fjalët e Selefëve janë më të dobishme se fjalët tona?

Ai u përgjigj: “Për shkak se ata folën për t’i dhënë pushtet Islamit dhe të kënaqin Mëshirëplotin; kurse ne flasim për t’i dhënë pushtet veteve tona, për të kërkuar jetën e kësaj dynjaje dhe të kënaqim krijesat.”

[Sefuetus-Sefueh: 2/122]

Muhamed Ibnul-Kasim ka thënë: E kam shoqëruar Muhamed Ibn Eslemin për më shumë se 20 vjetë dhe kurrë nuk e pashë ndonjëherë që të falte dy rekate nafile, përveç në ditën e Xhuma. Në një rast e dëgjova të zotohej: “Pasha Allahun, sikur të kisha mundësi t’i falja dy rekate nafile e të mos më shikonin dy melekët që janë me mua, do ta bëja këtë vetëm nga frika e syfaqësisë.”

Ai hynte në shtëpinë e tij dhe e mbyllte derën. Asnjëherë nuk e mora vesh se me çfarë merrej derisa dëgjova djalin e tij të vogël që tregonte se si qante ai. Megjithatë, kur ai dilte jashtë, e lante fytyrën dhe vinte kuhl dhe nuk dukej asnjë shenjë që të tregonte se ai kishte qarë. Ai i ushqente njerëzit dhe u jepte veshmbathje, por kur e niste të dërguarin e tij, i thoshte: “Sigurohu që ata të mos e marrin vesh se kush të dërgoi.”

[es-Sijer: 12/201]

Hurmuleh ka thënë: E kam dëgjuar Shafi’un të thotë: “Shpresova të shprëblehesha për të gjithë dijen që zotëroja dhe atë që njerëzit e kishin mësuar nga unë, por (dëshirova) që ata të mos më lavdëronin.”

[es-Sijer: 10/55]

Fudejl Ibn ‘Ijad ka thënë: “Kushdo që është dëshpëruar nga vetmia dhe ndihet i qetë kur është mes njerëzve, nuk ka për të qenë i sigurt nga Syfaqësia (Rija).”

[es-Sijer: 8/436]

Ebu Hazim ka thënë: “Mbaji të fshehta veprat e tua të mira më tepër sesa i fsheh veprat e tua të këqia.”

[el-Musanef: 7/195] ;

el-Khurajbi ka thënë: “Ata (Selefët) pëlqenin që robi t’i mbajë të fshehta veprat e mira, (deri në atë masë) saqë edhe gruaja e tij apo ndonjë tjetër të mos ishin në dijeni për to.”

[es-Sijer: 9/349]

Uekij’ ka thënë: “Kushdo që pyet për diçka kur ai e di atë, atëherë kjo është një pjesë e syfaqësisë.”

[el-Xhami’ li Akhlakur-Raui: 1/197]

Akil Ibn Me’kil ka thënë: E dëgjova xhaxhain tim, Uehb Ibn Munebbih, të thotë: “Tri janë shenjat e një hipokriti (munafiku): kur është vetëm është dembel, është plot energji kur ndodhet nën shoqërinë e të tjerëve dhe shkon pas lavdeve në të gjitha çështjet e tij.

Tri janë shenjat e një njeriu lakmitar: ai e përgojon atë për të cilin ka hased, nëse do të takohej me të do t’i sillej me lajka dhe i bëhet qejfi kur ai goditet nga fatkeqësitë.”

[el-Hilje: 4/47]

Kur Abdur-Rrahman Ibn Mehdi u ngrit nga një mexhlis, njerëzit e ndoqën nga pas. (Kur e pa këtë) ai tha: “O njerëz! Mos më ndiqni nga pas.”

[Sijer: 9/207]

Ebu Aun ka thënë: “Kur njerëzit e mirë takohen ata e këshillojnë njëri-tjetrin dhe nëse nuk takohen, atëherë i shkruajnë njëri-tjetrit: Kushdo që bën një vepër duke kërkuar Ahiretin, atëherë Allahu do t’i mjaftojë në çështjet e kësaj dynjaje; kushdo që e korrigjon atë çfarë është mes tij dhe Allahut, atëherë Allahu do ta korrigjojë atë çfarë është mes tij dhe njerëzve; dhe kushdo që e korrigjon sjelljen e tij fshehtas, Allahu do ta korrigjojë gjendjen e tij në publik.”

[el-Musanef: 7/162]

Bishr Ibnul-Harith ka thënë: “Personi që e do famën nuk i frikësohet Allahut.”

Ai ka thënë gjithashtu: “Mos vepro në mënyrë që të përmendesh dhe mbaji të fshehta veprat e tua të mira ashtu siç i fsheh veprat e tua të këqia.”

[es-Sijer: 10/476]

Se’id Ibnul-Hadad ka thënë: “Asgjë nuk të pengon nga Rruga e Allahut sikurse kërkimi i lavdërimit dhe pozita.”

[es-Sijer: 14/214]

Fudejl Ibn ‘Ijad ka thënë: “Ai që do të përmendet tek të tjerët, nuk do të përmendet; dhe kushdo që urren të përmendet, atëherë ai do të përmendet.”

[es-Sijer: 8/432]

Sufjan eth-Theuri ka thënë: “Të jesh i qetë do të thotë të mos dëshirosh të bëhesh i njohur tek të tjerët.”

[es-Sijer: 7/257]

 

Përktheu Alban Malaj