Autor: el-Hafidh ibën Rexheb el-Hanbelij (795 h.)

Burimi: Keshful kurbeh fi uasfi ehlil gurbeh, fq. 322

 

Abdullah ibën Mesudi - Allahu qoftë i kënaqur me të - ka thënë:

يأتي على الناس زمان يكون المؤمن فيه أذل من الأمة

“Do të vijë një kohë kur njerëzit do ta shohin besimtarin më të nënçmuar se robëresha”

Thotë Ibën Rexheb el-Hanbelij, Allahu e mëshiroftë:

Besimtari do të nënçmohet në kohën e fundit për shkak se ai është i huaj në mesin e njerëzve të prishur, të cilët janë njerëz të dyshimeve dhe të epsheve. Të gjithë këta e urrejnë atë dhe e dëmtojnë, për shkak se rruga e tij e kundërshton rrugën e tyre, qëllimi i tij e kundërshton qëllimin e tyre dhe se ai distancohet nga rruga e tyre.

Kur vdiq Daud et-Taij, Ibën Semaku tha: “Daudi vështroi me zemrën e tij atë që kishte përpara (ahiretin), dhe shikimi i zemrës së tij e verbëroi që ta shoh atë që shohin njerëzit. Ai sikur nuk shihte atë që shihni ju dhe ju sikur nuk e shihnit atë që shihte ai. Kështu, ju çuditeshit me të dhe ai çuditej me ju. Ai ndiente neveri për ju sepse ishte i gjallë në mesin e të vdekurve.”

Kishte nga ata që gruaja dhe fëmija e tij e urrenin, ngaqë nuk e pajtoheshin me gjendjen e tij. Umer bin Abdul Azizi e dëgjoi një herë gruan e tij t’i thoshte: “Allahu na rehatoftë prej teje!”  Ai ia ktheu duke i thënë: “Amin!”

 

Përktheu: Muhamed Kallashi