Autor: Shemsuddin ibën el-Kajjim el-Xheuzijeh

Burimi: Iëlamul Muakki’in, 3/ 428-430

 

Ai që ka përvojë me atë që e dërgoi Allahu të Dërguarin e Tij, sal-la Allahu alejhi ue sel-lem, dhe ka përvojë me rrugën në të cilën ishte ai dhe shokët e tij, e sheh se atyre që iu drejtohet gishti për fetari janë njerëzit me fetarinë më të dobët, Allahut i kërkojmë ndihmë!

Çfarë fetarie dhe çfarë mirësie ka ai që shikon se shkelen ndalesat e Allahut, kalohen kufijtë e Tij, braktiset feja e Tij, lihet suneti i të Dërguarit të Allahut, sal-la Allahu alejhi ue sel-lem, ndërkohë që ai e ka zemrën e ftohtë, rri i heshtur dhe shejtan memec? Sikurse ai që flet me të kotën është shejtan që flet. A nuk kanë ardhur telashet në fe përveç se nga këta, të cilët nëse e sigurojnë ushqimin dhe udhëheqjen, atëherë nuk çajnë kokën se çfarë bëhet me fenë, kurse më i miri i tyre është ai që brengoset dhe i lëpin buzët (nga brenga që ka).

Nëse vihet në diskutim ndonjë e metë në prestigjin apo pasurinë e tij, ai përpiqet dhe bën çmos; përpiqet me ngulm duke i përdorur të treja shkallët e refuzimit të së keqes, brenda mundësive të tij. Këta, krahas rrëzimit nga Syri i Allahut (nuk kanë pozitë te Allahu) dhe që kanë ftuar zemërimin e Allahut, janë sprovuar në dunja me sprovën më të rëndë ndërkohë që ata nuk e hetojnë këtë, e ajo është: vdekja e zemrës. Sepse sa më e plotë te jetë jeta e zemrës, aq më i fortë është zemërimi i saj për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe ndihma e tij për fenë është më e plotë.

Kanë përmendur imam Ahmedi dhe të tjerët një ether se Allahu i lartësuar i shpalli njërit nga melekët që të shkatërronte një filan vendi, meleku tha: “O Zoti im, qysh ta bëj këtë kur atje është filan adhuruesi?” Ai tha: “Fillo me të! Sepse fytyra e tij nuk është zymtuar për Mua as edhe një ditë.”

Dhe ka përmendur Ebu Umer në Librin “Et-Temhid” që Allahu i Lartësuar i shpalli një profeti prej profetëve të Tij që thuaj filan asketit: “Sa i përket asketizmit tënd, e ke kërkuar rehatinë para kohe me të, ndërsa me përkushtimin tënd ndaj Meje, e ke arritur ngadhënjimin, porse çfarë bëre për obligimin që ke ndaj Meje?” Ai tha: “O Zoti im, çfarë obligimi kam unë ndaj teje?” Tha: “A ke miqësuar ndonjë njeri të mirë për hir Timin dhe a ke armiqësuar për hir Timin ndonjë armik?

 

Përktheu: Muhamed Kallashi